Prej datës 1 maj të gjithë punonjësit që kanë paga deri në 30,000 lekë nuk do të paguajnë më tatim mbi të ardhurat personale. Zyra e konsulencës së taksave, UHY Elite, bën të ditur se vendimi i qeverisë i mëse një muaji më parë, tashmë do të hyjë në fuqi, duke lehtësuar kështu individët që kanë pagat të ulëta.
Përpara këtij ndryshimi, nëse paga mujore ishte më e vogël ose e barabartë me 30,000, vetëm 10,000 lekë ishin të patatueshme.
Por ky nuk është ndryshimi i vetëm në ligjin e taksave.
Ndryshimi i dytë që është bërë se nuk do të njihen si shpenzime të zbritshme të gjitha shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturuara nga persona të tretë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi.
Përpara këtij ndryshimi kishte një paqartësi në lidhje me afatet kohore të pagesës së tatimit në burim dhe të vetë faturës së shërbimit, që shpenzimi të njihej si i zbritshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.