Në 1 shtator, nisin regjistrimet në shkollat profesionale, që së fundmi kanë tërhequr vëmendjen e qeverisë, që po bën përpjekje për të orientuar nxënësit në këtë drejtim.
Një lëvizje e fundit e qeverisë është dënia e bursave për studentët që këtë vit do të zgjedhin të studiojnë në degët e bujqësisë dhe blegtorisë në shkollat profesionale.
Sipas Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, “Dhënia e bursës nënkupton mbulimin e të gjitha shpenzimeve rezidenciale, ushqimin dhe fjetjen, çka do t’u lejonte shumë të rinjve nga zonat rurale, të cilët duan të arsimohen në këtë shkollë model të Qarkut të Fierit, të kenë mundësi ta bëjnë këtë pa asnjë kosto shtesë për prindërit, por përkundrazi duke marrë një bursë të plotë për ta kthyer investimin e tyre në shkollë, në ferma apo biznese që ne presim të hapen në bujqësi e blegtori”, deklaroi ministri Veliaj.
Dhënien e bursave për studentët e degës së blegtorisë dhe bujqësisë z. Veliaj e cilësoi si një risi dhe mënyrë e mirë për të promovuar e mbështetur vendimmarrjen e atyre prindërve që i orientojnë fëmijët e tyre në këto degë, të cilat për fat të keq janë harruar.
Sipas z. Veliaj, për 23 vjet shqiptarët i janë larguar bujqësisë dhe blegtorisë, ndonëse këto dy fusha sot janë sektorët ku investimet po rriten vazhdimisht në vendet e Bashkimit Europian. “Shumë investitorë të huaj po kërkojnë të përdorin tokat dhe klimën në Shqipëri, por nuk gjejnë staf të kualifikuar as në bujqësi, e as në blegtori”, nënvizoi ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.