Gjatë ceremonisë së organizuar për projektin e USAID-it për kreditimin e fermerëve,
“1 vit Agrokapital”, ministri i Bujqësisë Panariti theksoi qëllimin e mëtejshëm për zhvillimin e agro-biznesit dhe rigjallërimin e bujqësisë.
“ Falënderoj bankat dhe insitucionet e tjera të kreditimit që, duke u solidarizuar me çka i ndodhi fermerëve nga përmbytjet, arritën të bienin dakort për shtyrjen e kësteve të kredisë.
Ju bëj me dije gjithashtu se qeveria ka vendosur të mbartë kreditë për rreth 1000 familje të prekura nga përmbytjet, që me vlerë shkon 1.5 milion euro.”- përfundoi fjalën e tij ministri Panariti, duke shtuar se programi “Agro Kapital” është i rëndësishëm dhe se kërkohet pjesëmarrja e sektorit bankar dhe dhënia e kredive për t’i shndërruar këto fonde në një katalizator dhe për procesin e kreditimit.
Këtë aktivitet e përshëndeti edhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, i cili deklaroi se kredidhënia ndaj fermerëve të përmbytur duhet të jetë sa më transparente. ” Përmbytjet nuk kanë dëmtuar vullnetin e shqiptarëve. “Agro Kapital” po ndihmon shumë ferma bujqësore. Ka ende shumë biznese për ndihma”, deklaroi Lu.
Ndërkohë, përfaqësues të USAID, duke bërë një përmbledhje të situatës së bujqësisë këto 5 vitet e fundit, tha se ekonomia ka qenë në rënie këto vitet e fundit, ndaj dhe bujqësia s’ka patur shumë zhvillim. Madje, edhe kreditimi, sipas tij, ka qenë njëkohësisht ndër më të këqijat në rajon, edhe për bujqësinë. Ndërkaq që remitancat kanë qenë të larta dhe lejet e ndërtimit kanë qenë të bllokuara.
“ Edhe kredia informale ka ndikuar në këtë situatë. Por sektori i bujqësisë duhet të marri jetë pasi, produktet tona janë shumë të kërkuara. 18% të PBB-së vjen nga bujqësia, është e nënvlerësuar si sektor. Ndaj Agrokapitali , si projekt i nisur nga USAID ka si qëllim të rrisë prodhimin, investimet dhe xhirot në konsum”, deklaroi ai.
Gjithashtu, u evidentuan problemet kryesore, sipas USAID, në bujqësinë shqiptare, të cilat janë:
1. Aksesi në kapital
2. Njohuritë teknike
Projekti i USAID “Agro Kapital” përfshin dhënien e 18.5 milion dollarë investime që sipas ministrit do të krijojnë 1150 vende të reja pune.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.