Këtë vit, lista me njerëzit më të fuqishëm në botë (World’s Most Powerful 2018) përbëhej nga 75 emra, 1 për çdo 100 milionë njerëz në tokë.
Nga këta, 35 janë drejtues kompanish. Pjesa më e madhe janë amerikanë, ndjekur nga disa aziatikë, një europian dhe një afrikan.
Më poshtë janë dhjetë CEO-t më të fuqishëm, vlera e kompanive të të cilëve arrin në 5 trilionë dollarë, ose sa PBB e Japonisë (Japonia është ekonomia e tretë më e madhe në botë).
Në krye të renditjes është njeriu më i pasur në botë, i vetmi me 12 shifra pranë emrit të tij, Jeff Bezos, drejtuesi i Amazon. Në momentin që u publikua renditja, vlente 133 miliardë dollarë.
CEO tjetër që bën pjesë në Top 10 të njerëzve më të fuqishëm në tokë është Larry Page, CEO i Alphabet. Përveçse drejton motorin më të madh të kërkimit në botë, Google, Larry ka investuar në një kompani me taksi fluturuese me vetëdrejtim të quajtur Kitty Hawk, që së fundi po i teston këto pajisje në Zelandën e Re.
Mark Zuckerberg nuk bën më pjesë në top 10 për shkak me siguri të skandalit të Cambridge Analytica. Në mars u zbulua se Facebook ndante të dhënat e përdoruesve të saj me shoqërinë për konsulencë politike Cambridge Analytica. Facebook vlen më shumë se gjysmë trilion dollarë.
Warren Buffet u tërhoq nga bordi i Kraft Heiz, por 87-vjeçari (i dyti më i vjetër në Renditjen e Njerëzve më të Fuqishëm, pas Li-ka Shing) nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi në Berkshire Hathaway, kompania të cilën e bleu në vitin 1963. Në maj, “Oracle of Omaha” (pseudonimi i Warren Buffet) bëri të ditur se Berkshire bleu 75 milionë aksione të Apple, duke e rritur aksionet e tij në vetëm më poshtë se 5%.
Njeriu më i fuqishëm i Wall Street, Jamie Dimon renditet i 19 në listën e përgjithshme. CEO i JP Morgan, banka më e madhe në botë, me më shumë se 2 trilionë asete në menaxhim, tha se do të qëndrojë në krye të saj edhe për të paktën 5 vjet.
Lideri më i fuqishëm në biznes jo amerikan është Jack Ma, drejtuesi ekzekutiv i Alibaba, një ndër kompanitë e-commerce më të mëdha në botë. Ashtu si Amazon, Alibaba ka korrur sukses nëpërmjet Alibaba Cloud, përveçse sheh rritje të të ardhurave nga aktivitetet komerciale kryesore. Jack Ma po ashtu ka gjetur kohë për t’iu kushtuar aktrimit duke marrë rolin kryesor në një film kinez, me metrazh të shkurtër, “Gong shou dao”.
CEO i Walmart, punëdhënësi më i madh privat në botë, Doug McMillon, menaxhon 2,3 milionë punonjës (thuajse numri i personave në ushtrinë kineze). Kompania shumëkombëshe e retail-it bëri të ditur ndryshime në profilin e saj: ajo planifikon të hapë më pak superqendra vitin e ardhshëm dhe të fokusohet më shumë në e-commerce dhe në teknologjinë tek pikat e saj të shitjes.
Nën drejtimin e Tim Cook, Apple është kompania më prestigjioze në botë. CEO i Apple u është përgjigjur kohëve të fundit shqetësimeve rreth shitjeve të ngadalta të iPhone X, i cili doli në nëntor të 2017-s dhe kushton 999 dollarë, duke thënë se është “pajisja më inovative në treg”.
Elon Musk, një ndër revolucionarët më të mëdhenj në fushën e teknologjisë së kohës sonë, ka pasur një vit (tradicionalisht) të ngarkuar. Në muajin shkurt, kompania SpaceX lëshoi me sukses raketën më të fuqishme në botë. Megjithatë jo gjithçka shkon fjollë, pasi në prill kompania Tesla pati një ngadalësim të prodhimit të makinave elektrike.
Njeriu i fundit në këtë listë është nga Azia, Ma Huateng, i njohur ndryshe si Pony Ma. Falë tij, aksionet e kompanisë Tencent led janë rritur thuajse 60 për qind këtë vit.
*Igor Bosilkovski
Burimi: Forbes