Produktiviteti është diçka që shumë punëmarrës e kërkojnë nga punonjësit e tyre aktualë dhe ata të rinj. Nëse punonjësit janë produktivë, kompanisë i kushton më pak për të marrë të njëjtat rezultate.
Por produktiviteti varet nga shumë faktorë. Për shembull, nëse një punonjës e menaxhon kohën me zgjuarsi, kjo gjë mund të ndikojë te produktiviteti i tij.
E njëjta gjë vlen edhe për aftësinë e tyre, zakonet në punë dhe gjithë instrumentet që u vihen në dispozion. Megjithatë ka disa faktorë që mund t’ju befasojnë, që mund të ndikojnë në produktivitetin në punë dhe që duhet të merren në konsideratë.
1.Ndryshimet e temperaturës
Kur njerëzit kanë shumë vapë ose ftohtë – kjo mund të ndikojë në punën e tyre. Kjo është e vërtetë për të dyja, si brenda edhe jashtë zyrës.
Brenda zyrës
Temperaturat e ulëta mund të përkeqësojnë humorin e një personi si dhe produktivitetin e tij. Punonjësit do të jenë më të shqetësuar se si të ngrohen se sa të japin më të mirën në punën e tyre.
Nga ana tjetër, ka nga ata punonjës që nuk punojnë mirë në një ambient shumë të nxehtë. Ndihen letargjikë, punojnë më pak dhe kanë më pak rendiment.
Moti jashtë
Moti jashtë mund të ndikojë në humorin dhe produktivitetin e punonjësve që punojnë brenda në një zyrë. Nëse është kohë vrenjtur, disa punonjës mund të ndihen letargjikë dhe të kenë vështirësi të punojnë me gjithë potencialin e tyre. Nga ana tjetër, një ditë me diell përmirëson humorin e njerëzve dhe i bën të ndihen më të lumtur. Kjo i ndihmon të përqendrohen më shumë dhe të përfundojnë më shumë punë.
2.Muzika
Shumë njerëz dëgjojnë muzikë në punë ndërkohë që punojnë. Disa njerëzve u pëlqen të dëgjojnë muzikë ndërkohë që punojnë, pasi thonë se i ndihmon të punojnë më mirë. Dhe gjëja më e çuditshme është se ata kanë të drejtë.
Muzika në sfond, në veçanti, ndikon në humorin e njerëzve dhe rrit produktivitetin. Të dëgjoni një muzikë që ju pëlqen ju ndihmon t’i përfundoni punët më shpejt. Ky mund të jetë një faktor befasues që ndikon në produktivitetin në vendin e punës.
3.Ndriçimi i ambientit
Të punoni në një ambient me pak dritë nuk është e lehtë. Punonjësit mund të kenë vështirësi të shohin ekranin dhe duhet t’i përsërisin disa detyra apo t’i rishikojnë për t’i bërë më mirë. Në të njëjtën kohë, njerëz të tjerë kanë probleme me ndriçimin e brendshëm që është shumë i fortë. Kjo mund t’u shkaktojë migrenë dhe mund t’ua bëjë shumë të vështirë të punojnë. Për të zgjidhur këtë problem, ju duhet ta përshtasni ndriçimin në ambientin e punës sipas nevojës së secilit punonjës.
4.Pajisje të papërshtatshme
Edhe pse drejtuesit e kompanive përpiqen që të mos shpenzojnë shumë, vjen një pikë kur shpenzimet janë të nevojshme. Ka një ndryshim mes të qenët i kursyer në shpenzime dhe të jesh ekonomik deri në pikën kur kjo mund t’ju kushtojë më shumë. Kjo vlen për kompjuterët, mobiliet në zyrë, aplikacione etj., etj.
5.Kënaqësia e punonjësve
Kur punonjësit nuk janë të kënaqur në vendin e punës, kjo ndikon te produktiviteti. Kjo çon drejt konflikteve dhe mungesave në punë – punonjësit nuk do të shqetësohen dhe aq shumë për punën dhe nuk do të angazhohen me gjithë potencialin e tyre për ta kryer atë.
Nga ana tjetër, e kundërta është e vërtetë për ata që e duan punën e tyre. Ata janë të kënaqur me punën e tyre dhe shpesh më produktivë. Për rrjedhojë, kompanitë që dëshirojnë një angazhim dhe produktivitet më të madh nga punonjësit duhet të përpiqen që punonjësit të ndihen të kënaqur. Ky objektiv mund të arrihet duke i dëgjuar dhe duke punuar për të përmirësuar raportin e tyre me punën.
6.Ushtrimi fizike të rregullta
Të gjithë e dinë se ka shumë përfitime pozitive, nëse bëni ushtrime në mënyrë të rregullt. Megjithatë, përveç ndikimeve pozitive në shëndet, ndikon pozitivisht edhe te produktiviteti. Ushtrimet fizike përmirësojnë qarkullimin e gjakut në organizëm dhe furnizojnë me më shumë oksigjen qelizat e trurit. Kjo përmirëson funksionet e trurit dhe ul nivelin e stresit.
Punonjësit më pak të stresuar e më të shëndetshëm punojnë më shpejt dhe përmbushin më shumë punë. Kjo përkthehet në rritje të eficencës dhe produktivitet.
7.Mungesa e trajnimeve
Mungesa e trajnimeve mund të pengojë suksesin e sipërmarrjeve duke ndikuar në produktivitet. Duke qenë se çdo punonjës është i ndryshëm, numri i trajnimeve të nevojshme ndryshon nga një punonjës te tjetri. Kjo është diçka që duhet marrë në konsideratë. Ndër të tjera, punëmarrësit duhet t’u garantojnë personelit të tyre përdorimin e të gjithë instrumenteve që zotërojnë për të qenë më produktivë.
8.Tavolina pune të rrëmujshme
Edhe pse disa njerëz mendojnë se një tavolinë e rrëmujshme pasqyron jetën frenetike të ditëve të sotme, të tjerë nuk janë dakord. E vërteta është se kur një tavolinë është e mbushur me dokumente, materiale, stilolapsa e gjëra të tjera është e vështirë për të punuar.
Punonjësit që e mbajnë tavolinën e tyre të punës në këtë gjendje i humbin nga sytë gjërat dhe ndihen më të stresuar. Për të shmangur gjithë këtë, duket të arkivojnë atë që munden që të mbajnë një tavolinë të organizuar. Në këtë mënyrë ata do të jenë më produktivë.
9.Një ambient pune ergonomik
Një nga faktorët që do t’ju duket i çuditshëm dhe do t’ju befasojë, i cili ndikon në produktivitet është ergonomia në ambientin e punës. Jo të gjithë e kuptojnë këtë koncept, por duhet të dini se kjo ka vërtet ndikim. Ja, shikoni një punonjës që punon në një karrige shumë të ulët, kjo mund ta bëjë të papërshtatshëm pozicionin kur ju shkruani në tastierë. Punonjësit që nuk ndihen rehat në vendin e tyre kur punojnë, nuk janë dhe aq produktivë se sa ata të cilët punojnë në vende pune ergonomike.
Në vend që të jeni të përqendruar te puna juaj, ju do ta keni mendjen te dhimbja e shpinës, krahëve, qafës etj. Të gjithë ata që punojnë në vende të përshtatshme pune do të jenë më produktivë dhe kjo do t’i japë më shumë vlerë kompanisë suaj.
10.Parapërgatitja në shtëpi
Punonjësit që duan të përmirësojnë produktivitetin e tyre duhet ta nisin që nga shtëpia. Ata duhet të organizohen një natë më parë për të punuar ditën më pas. Kjo do t’ju krijojë mundësinë të përgatiten më shpejt në mëngjes dhe të arrijnë në orar në punë. Kur të mbërrijnë në punë do të jenë më produktivë.
Ata duhet të zgjedhin atë çfarë do të veshin të nesërmen një natë më parë. Po ashtu ata duhet të shikojnë axhendën e tyre, në mënyrë që kur të shkojnë të nesërmen në punë të jenë më të përgatitur dhe si rezultat më produktivë.
*Kayla Sloan
Burimi: business2community