Nga Porquerolles te Capraia, nga Ikaria te Ponza, janë përzgjedhur dhjetë ishuj për detin fantastik, ecjet në natyrë, peizazhin autentik të vendeve dhe karakteristikave që i bëjnë unike.
PORQUEROLLES, FRANCË
Nuk është shumë larg Saint Tropez, por Porquerolles, ishulli më i madh në arkipelagun Hyères jeton një jetë veçan. Për të ruajtur këtë natyrë të mrekullueshme, që të bën të imagjinosh se si ka qenë më parë kjo zonë para bumit të madh turistik, ishulli ka rregulla shumë të rrepta për ruajtjen e mjedisit.
Plazhet e mëdha me rërë të bardhë të Porquerolles shfaqen papritur, rrethuar nga një pyll i dendur me pisha dhe një det i kristaltë.
Në Porquerolles mund të ecësh vetëm në këmbë ose me biçikletë, nuk janë ndërtuar shtëpi, nuk mund të bësh kamping dhe madje nuk mund të pish cigare jashtë qendrës së banimit, për të shmangur incidente.
IKARIA, GREQI
Një ishull, një mit. Ai i Ikarios, që nuk pati frikë të fluturonte drejt diellit, por ra në ujërat e Egjeut të veriut që e rrethojnë. Makri i lashtë (i gjatë, për shkak të formës së tij) në jug ka një bregdet të ashpër me shkëmbinj, ndërsa në veri plazhe të bardha.
Agios Kirikos është kryeqyteti i vogël i Ikarias, i cili gjendet në një kodër, me shtëpi të bardha të rrethuara nga lulet. Ikaria është një ishull i gjelbër, i pasur me ullinj, pemishte, vreshta dhe pyje. Deti, me shumë peshq, është i kristaltë, me plazhe si Seychelles. Ikaria është e famshme për vetitë kurative të ujërave, të pasura me radon – Therma ndodhet në verilindje të ishullit.
PANTELLERIA, SICILI
Vullkanike, në jug të Tunisit, me shkëmbinj të errët që zbresin drejt detit. Me shtëpitë karakteristike me çati në formë kupole, vreshtat nga ku prodhohet një verë e ëmbël, Pantelleria në Sicili është bërë këtë vit pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s.
Atraksionet kryesore në Pantelleria janë Arco dell Elefante, Laghetto delle Ondine me një pishinë natyrore, por është bukur të ecësh edhe përgjatë shtigjeve të Montagna Grande. Nuk duhet të humbisni as Specchio di Venere (ndryshe liqeni i Pantelleria). Në bardhësinë e rërës minerale spikat bluja intense e ujërave nga të cilat burojnë ujëra termale, të pasura me silic dhe karbonat sode.
SIFNOS, GREQI
Porti është i vogël, dhe menjëherë përreth, malet fshehin vendet më të mëdha – Artemonas, Apollonia, të cilat ndodhen në majat e kodrave në zemër të ishullit. Mes aromës së mirë të timo-s së egër (bimë mjekësore) zbret drejt plazhit të Poulati.
Një ndër vendet më të dashura është plazhi Vathi. Por vendi më romantik në Sifnos është Chrisopogi, me gadishullin që dominohet nga manastiri i bardhë i shekullit të 17. Nuk duhet të humbisni perëndimin e diellit, kur plazhi merr ngjyrë rozë dhe më pas ndriçohet nga Hëna.
PONZA, LACIO
Në mes të Romës e Napolit, Ponza është ishulli më i madh i një arkipelagu në të cilin bëjnë pjesë Palmarola, Gavi dhe Zannone. Ishulli tregon si në sipërfaqe, si për të pasionuarit zhytjeve, shpirtin e vet romak, i pasur me histori.
Sot në Ponza ju mund të vizitoni një numër të madh vendesh arkeologjike, si Grotte di Pilate (Shpella e Pilatit), nekropolin e Bagno Vecchio dhe atë të Guarini, rezervuarin e Dragonara etj. Por atraksioni i vërtetë janë plazhe si Cala Feola, me pishina natyrore, Cala Fonte, plazhi i Frontone në të cilin mund të shkohet vetëm nga deti me një traget.
Ponza mund të shihet më mirë duke marrë me qira një varkë dhe duke bërë një shëtitje nëpër ishull, në zbulim të gjireve të fshehur, shpellave dhe duke shijuar spektaklin e ujërave transparente…
PALMARIA, LIGURIA
Përballë Portit të Venerës pjesë e parkut natyror, ndodhet një parajsë prej 179 hektarësh ku nëse ecën mes për mes shtigjeve, mund të përshkosh gjithë ishullin në tre orë. Në Palmaira ka vetëm një strehëz, e përdorur në të kaluarën nga marinarët si një vendpushimi ku sot mund të hash në tarracë dhe të shikosh Portin e Venerës dhe mund të flesh në natyrë.
MINORCA, SPANJË
Shkëmbinj, plazhe, shkëmbinj, pyje. Minorca që nga viti 1993 është pjesë e Trashëgimisë së UNESC0-s. Një ishull që përgjatë kohërave “ka mbetur” vetvetja, me ritmet e saj, peizazhin, festat tradicionale, kuzhinën.
Pjesa më perëndimore e Balearëve është e pasur me histori. Ciutadella është një gur i çmuar; Mahòn është një fshat gjithë jetë. Ju mund të niseni nga qytetet dhe fshatrat e bregdetit për të vizituar gjire të virgjëra me ujëra të kristaltë. Si për shembull Cala Macarelleta.
Ndërsa Cala Pregonda në Minorca është një vend parajsor, me shkëmbinj, rërë rozë dhe ngjyra intense. Cala Pregonda ndodhet vetëm pak kilometra larg Fornells, në veri të bregdetit.
CAPRAIA, TOSKANA
Një fshat i vogël peshkimi, Capraia, me vetëm një rrugë të asfaltuar, e gjatë 800 metra, që daton në kohërat antike, përgjatë Forte di San Giorgio. Ky është Capraia, ishulli toskan i vizituar nga romakët, piratët saraçenë dhe turqit.
Ky vend, me origjinë vullkanike, është ideal për ata që në një ditë duan të kenë pranë detin dhe të bëjnë një shëtitje në natyrë.
FOURNI, GREQI
Nuk është një ishull i vetëm, por një tërësi ishujsh dhe shkëmbinjsh, pranë Samos, një fshat-port, jeta e të cilit duket sikur ka ndalur në kohë, që mirëpret ata që duan të përjetojnë jetën që rrjedh ngadalë dhe soditëse si njëherë e një kohë të ishujve grekë. Fourni është një plazh i vogël. Ka vetëm plazhe të izoluara si Petrokopio, i cili spikat për rërën e tij të bardhë dhe ujërat transparente dhe Agia Triada, një vend i pasur me histori.
I bekuar nga perënditë, që i kanë dhuruar një arkipelag të vogël dhe një peizazh mbresëlënës, Fourni ka një flotë të vogël peshkimi, “preja” e së cilës përfundon në duart e shefave të kuzhinës në Athinë.
BRAČ, KROACI
Në arkipelagun e Splitit, gjendet ishulli i gurgdhendësve që punojnë gurin e bardhë vendas. Është një përzierje e historisë me natyrën, i cilësuar si ishulli më ‘i lartë’ i detit Adriatik.
Ne Brač gjendet Manastiri i Blaca, themeluar në vitin 1550 nga priftërinjtë në arratisje nga osmanët. Me teleskopin dhe pianon e sjellë nga Vjena, manastiri dëshmon ende sot jetën e pasur kulturore të ishullit. Në Brač gjenden disa nga plazhet më të bukura të Kroacisë si Zlatni Rat.
Burimi: Corriere della Sera