Stresi mund të jetë një vrasës për çdo profesionist në kohërat e sotme. Mund t’ju ulë moralin dhe t’ju krijojë mërzitje të panevojshme në jetën e përditshme. Duke marrë pak kohë me veten mund t’ju ndihmojë të reduktoni stresin dhe t’ju bëjë më produktivë në punë, dhe po ashtu t’ju ndihmojë të gjeni ekuilibrin tuaj mes jetës profesionale dhe asaj personale.
Sipas një sondazhi të Gallup në dhjetor të vitit 2017, 44% e njerëzve ndihen shpesh nën stres gjatë jetës së përditshme dhe 41% pranon që nuk ka kohë të bëjë atë që do. Stresi i vazhdueshëm mund të jetë i dëmshëm për shëndetin dhe mirëqenien dhe është e nevojshme të merrni disa masa për të shmangur ndikimin e tij negativ.
Më poshtë 10 anëtarë të Forbes Coach Council ndajnë me ju një strategji praktike që çdo profesionist mund ta përfshijë lehtësisht në jetën e tij për të reduktuar stresin.
Lexoni dhjetë këshillat e mëposhtme….
1.Vendosni kufij të qartë
Vendosja e kufijve të qartë është shumë e rëndësishme në reduktimin e stresit. Pasi t’i keni përcaktuar ato, flisni me drejtuesin tuaj, bashkëpunëtorët, kolegët, njerëzit e familjes dhe miqtë, në mënyrë që të jenë në dijeni të tyre dhe çfarë është më e rëndësishme, t’ju ndihmojnë që t’i zbatoni ato. Përcaktoni një orar të përpiktë pune, lëreni punën në punë, mos e kontrolloni email-in në shtëpi dhe kini parasysh që puna juaj është pikërisht kjo: një punë – thotë Kyle Elliot, MPA, CHES, Kyle Elliott Consulting.
2.Mjaft më me listën e “punëve për të bërë”
Një nga strategjitë efikase për të reduktuar stresin është eliminimi i listës së “punëve për t’u bërë” dhe të jetoni sipas punëve të axhendës suaj. Këto lista nuk e pasqyrojnë realitetin se për çfarë keni kohë në të vërtetë. Duke bërë vetëm atë që keni planifikuar në axhendën tuaj dhe duke deleguar punët që nuk ju përshtaten, ju shmangni stresin dhe të qenët i mbingarkuar me mbledhje e punë për të cilat nuk keni kohë – Angel Santos, Grow My Brand
3.Jepuni përparësi punëve më emergjente dhe të rëndësishme
Një strategji praktike të cilën profesionistët në kohët e sotme mund ta përfshijnë lehtësisht në jetën e tyre për të reduktuar stresin është zbatimi i Matricës së Menaxhimit të Kohës nga Stephen Covey (Time Management Matrix) dhe identifikimi i punëve që janë më emergjente dhe të rëndësishme. Bëni atë që është urgjente dhe e rëndësishme, delegoni atë që është urgjente dhe e jo e rëndësishme, delegoni çfarë është e rëndësishme dhe jo urgjente, dhe lini për në fund atë që nuk është urgjente dhe jo e rëndësishme – Dr. Sharon H. Porter, Perfect Time SHP LLC
4.Meditoni
Meditimi dhe reflektimi janë të rëndësishme për të reduktuar stresin. Ndërkohë që bota ecën me hapa të shpejtë, merrni pak kohë me veten. Ndalni pak hapin që të merrni frymë, të pranoni dhe kuptoni atë që doni për jetën tuaj. Nëse diçka nuk ju përshtatet, largoni stresin dhe ecni përpara – Laura Hinds, Women’s Luxury Guild
5.Jini të përqendruar
Një strategji praktike është të jeni i qartë në atë që ju kualifikon në mënyrë unike dhe ju çon drejt suksesit. Jini të fokusuar dhe bëni më të mirën – Machen MacDonald, ProBrilliance Leadership Institute.
6.Bëni një vetëkontroll
Stresi vjen nga një vend në të cilin gjërat që duam nuk janë ashtu siç i kishim imagjinuar. Mund të jetë një vendim të cilin e keni marrë, apo një vendim të cilin duhet ende ta merrni. Stresi vjen nga një vend ankthi. Ne mund të reduktojmë stresin duke bërë një kontroll tek egoja jonë – Lu Xanne Boon, Mindvalley
7.Përqendrohuni vetëm në atë që mund të kontrolloni
Kuptoni se çfarë mund të kontrolloni dhe çfarë nuk mund të kontrolloni. Nuk jeni i sigurt? Sa më shpejt të përqendroheni në veprimet tuaja, reagimet e përgjigjet, shumë shpejt do të jeni në gjendje të reduktoni stresin në jetën tuaj. – MJ Impastato, H2H Systems
8.Meditoni dhe qëndroni pozitiv
Së pari provoni meditimin. Jini të ndërgjegjshëm për frymëmarrjen tuaj dhe relaksohuni për të paktën 15 minuta në ditë. Së dyti mos parashikoni një rezultat të tmerrshëm. Ankthi është një policë e keqe sigurimi por nuk ju përgatit vërtet për më të keqen. Ka edhe përjashtime dhe zbritje të larta – Janet Britcher, Transformation Management LLC
9.Fokusohuni te përvojat që ju japin energji
A rriten drejtuesit e mëdhenj duke qenë në presion të vazhdueshëm? Në të vërtetë, jo. Ne mund ta frenojmë stresin nëpërmjet përvojave të ndryshimit të qëllimshëm që ushqejnë vetëdijen tonë, shpresën dhe dhembshurinë. Një lidership i suksesshëm është një lojë e gjatë që kërkon të jetosh me qëllime të qarta. – Cari Coats, Accendo Leadership Advisory Group
10.Flisni me veten tuaj të së ardhmes
Ju duhet të provoni të meditoni, për të bërë një bisedë me veten tuaj në të ardhmen. E ardhmja juaj do t’ju thotë gjithnjë nëse ajo për çfarë po shqetësoheni e stresoheni shumë ka vërtet rëndësi. Kjo do t’ju japë një perspektivë të re të cilën ndoshta nuk e shihni në situatën tuaj aktuale. – Manpreet Dhillon, Veza
Burimi: Forbes