Të udhëtosh do të thotë të zbulosh vende të reja, duke mos u kufizuar vetëm në hotele, resorte dhe vendet kryesore turistike.
Njohja e lagjeve më në modë në botë mund të jetë një pikënisje e mirë gjatë fazës së marrjes së vendimit.
Nëpërmjet 15 mijë intervistave, “Time Out”, guidë turistike britanike gjeti lagjet më trendi në botë…
SOUTH END, BOSTON
South End, në Boston, është një lagje krejtësisht e rigjallëruar krahasuar me disa vite më parë. Vendasit përpiqeshin ta shmangnin, ndërsa sot është një nga qendrat artistike kryesore të qytetit. Ndërtesat historike prej guri, kafetë joshëse dhe galeritë e shumta – krijimtaria është tërheqja kryesore në këto rrugë, e gjithë kjo atmosferë është vetëm pak minuta larg Downtown.
PALERMO SOHO, BUENOS AIRES
Një nga zonat më të njohura të Buenos Aires është Palermo, ku është zhvilluar Palermo Soho, një lagje bohem për të rinjtë dhe artistët vendas, por edhe udhëtarët që kërkojnë vende që dhurojnë frymëzim dhe vibrime ndërkombëtare.
Një ndërthurje e historisë me modernitetit, me shtëpi të vjetra të përshtatura për turizmin e kohërave të sotme, që shikon drejt së ardhmes, por me kokën lart drejt ngjyrave dhe stileve të një kohe të shkuar, që nuk duhet harruar.
PETITE ITALIE, MONTREAL
Shija italiane gjen terren të begatë në çdo vend të botës, edhe në Kanada, më saktësisht në Montreal. Këtu mund të vizitoni zonën Petite Italie, me ngrohtësinë tipike të Italisë. Nga Vespa-t, me zhurmën e tyre karakteristike, deri tek picat italiane e rrugët plot gjallëri.
WYNWOOD, MAJEMI
Wynwood është sot një ndër zonat më të njohura në Majami, por deri pak vite me parë ishte një lagje me famë jo të mirë. Komuniteti i gjallë i artistëve, vendas, por jo vetëm, i kanë dhënë një zhvillim të vrullshëm zonës. Kudo nëpër rrugë mund të shohësh grafite të formave nga më të ndryshme të artit. Nëse këtyre u shtohen dhe baret dhe restorantet më në modë, ndërthurja është e përsosur.
ROMA, MEXICO CITY
E shkuara dhe e tashmja ndërthuren në Mexico City, në zonën e Romës. Një vend vintage në pamje, po përtej fasadës ka restorante me kuzhinë inovative, galeri arti dhe bare trendi në gjithë qytetin.
FORMER FRENCH CONCESSION, SHANGAI
Prej kohësh Former French Concession në Shangai është një ndër lagjet më në modë.
Fama e saj i ka rrënjët në vitet e kaluara dhe duket sikur nuk zbehet. Një ndërthurje ndikimesh ndërkombëtare që u japin vendasve dhe turistëve ndjesinë e bukur sikur janë në qendër të botës, me përvojat, aromat, shijet e larmishme.
MONTI, ROME
Jemi në Monti, në zemër të Romës, pak hapa larg Koloseut. Qendra historike e kryeqytetit italian është një udhëtim nëpër shekuj. Art, ushqim, histori, dhe pse jo, njerëz të famshëm, në një vend të mrekullueshëm si Roma.
SANT ANTONI, BARCELONA
Një pjesë e Barcelonës po tretet në kohë. Bëhet fjalë për atë historike e cila është përpirë nga kohërat moderne. Por këtu bën përjashtim Sant Antoni. Në rrugët e saj ndihet një ekuilibër gjithnjë e më i brishtë ku e vjetra dhe e reja nuk luftojnë me njëra-tjetrën, por përpiqen të bashkohen, ose të paktën përpiqen ta bëjnë këtë gjë.
WEST VILLAGE, NJU JORK
Nëse Brooklyn është sigurisht zona më e përmendur e Nju Jorkut, në kuptimin kinematografik, zemra e qytetit që nuk fle asnjëherë është West Village. Kultura të ndryshme ndërthuren në një vend që përfaqëson mikrokozmosin ideal për brezat e rinj dhe ata nostalgjikë.
ENMORE, SYDNEY
Nga një vend në tjetrin në botë, shkojmë në Sidnei, në lagjen më në modë për të gjithë të rinjtë vendas dhe turistët. Këtu festa vazhdon gjatë gjithë natës, mes muzikës e koktejeve. Gjallëria e natës merr një tjetër ndjesi me lindjen e diellit, mes dyqaneve me disqe muzikore dhe artistëve të rrugës.