Trashëgimia kulturore e Italisë dhe bukuritë e saj natyrore kanë tërhequr turistë nga e gjithë bota, por gjatë muajve të verës që sapo lamë pas, vendet më të vizituara mbipopullohen nga turistët dhe sado të bukura që mund të jenë, pjesa më e madhe e turistëve shprehen se është shumë e lodhshme të qëndrosh në radhë për t’i vizituar.
Por ky shtet ka edhe disa vende të fshehta, të cilat si pasojë e ruajtjes me fanatizëm nga pushtimi i turistëve, ju mundësojnë shijimin e tij në qetësi të plotë dhe mbi të gjitha duke ju kursyer lodhjen e radhëve të gjata.
Kantina “Do Mori”
Kanali më i madh i lundrueshëm “Grand Canal” ka nga të dyja anët e tij restorante të cilat janë ndërtuar kryesisht në funksion të turistëve. Por nëse ju doni që me të vërtetë të provoni shijen e ushqimit tradicional, keni kantinën “Do Mori”. Kjo kantinë është aq e vjetër sa mendohet të jetë ndërtuar që në vitet 1400. Ajo nuk ka tavolina dhe karrige por ushqimin që do të merrni këtu do ta hani në disa stola prej druri të papërpunuar që ndodhen brenda dhe jashtë saj. Thuhet se ky ka qenë një prej vendeve më të frekuentuara edhe të Kazanovës.
Lugina “Ca’ Zappa”
Një prej vilave më të bukura të ndërtuara sipas stilit holandez, qëndron e vetme në jug të luginës “Ca Zappa”. Ajo mendohet se është ndërtuar në 1925 nga një emigrant nga Holanda dhe mund të arrihet vetëm me varkë. Kjo pjesë e luginës cilësohet nga vizitorë të shumtë si një prej zonave përrallore të Venecias.
Dyqani “Malefatte”
Dyqani “Malefatte” është një nismë jofitimprurëse e drejtuar nga Rio Tera dei Pensieri, e cila merret me shitjen e produkteve të krijuara me dorë nga burra dhe gra të burgosura në burgjet e Venecias. Produktet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga veshjet e deri tek çantat me lëkurë origjinale, por mbi të gjitha, çmimet me të cilat shiten produkte të tilla janë shumë të ulëta krahasuar me ato të dyqaneve të tjera.
Qyteti “Chioggia”
Nëse nuk mund ta përballoni Venecian në një ditë të nxehtë korriku, ku numri i vizitorëve është tejet i lartë, zgjidhja më e shpejtë e mundshme është largimi për në qytetin e Chioggia-s, i cili ndodhet shumë pranë saj. Këtu, përveçse do të kënaqeni nga natyra e këtij qyteti do të shijoni edhe produktet e mrekullueshme dhe të shijshme të detit, pasi peshkimi është një prej shtyllave më të forta të ekonomisë së këtij vendi.
Libraria “Acqua Alta”
Kjo librari me një numër shumë të madh librash, drejtohet nga veneciani Luigi Frizzo dhe brenda saj, librat përveçse të vendosur në rafte, janë vënë edhe në një gondola të madhe në mes të librarisë, si dhe në disa vaska. Një ndër gjërat më të veçanta të kësaj librarie është se sapo del jashtë saj, ka disa shkallë të cilat janë të ndërtuara po me libra, të cilët fatkeqëssiht lagen gjatë ditëve me shi.
Ishulli i “Shën Andreas”
Turistët vizitojnë Muranon për të parë dyqanet me qelqurina, Buranon për shtëpitë shumëngjyrëshe dhe Torcellon për natyrën e saj të paprekur, prandaj ishulli i “Shën Andreas” është i mbipopulluar gjatë pjesës më të madhe të vitit. Në këtë qytet ndodhet edhe kështejlla e shekullit të 17, e cila është ruajtur në gjëndje shumë të mirë. Ndërsa në veri të këtij ishulli, ju mund të mrekulloheni nga pamja që do të shfaqet përpara jush.
Ishulli i “Shën Françeskut”
Një tjetër ishull që nuk vizitohet shumë nga turistët është ai i “Shën Françeskut”, që ndodhet midis Buranos dhe Shën Erasmos dhe ka në qendër të tij një mamastir, që njihet edhe me emrin si “Manastiri i Shkretëtirës”. Manastiri, në qendër të tij, rrethohet nga 4,000 pemë që duket sikur e mbrojnë atë nga rrjedhjet e fuqishme të ujit.
Kisha e Shën Françeskut të Vignas
Në sajë të vendndodhjes së saj, në juglindje të qytetit, kjo kishë nuk vizitohet as gjatë pikut të turistëve. Ajo nisi të ndërtohej në fillim të viteve 1534 dhe përfundoi në fund të viteve 1572.
“Kantina e puthjes”
Kjo kantinë-restorant ndodhet përgjatë kanalit Capuzine, por duhet të tregoheni të zgjuar që të mos shkoni në vaktin e drekës, pasi ka shumë pak tavolina dhe rrezikoni që të mos gjeni vend nëse shkoni. Këtu ofrohen disa prej pjatave tradicionale me produkte mishi dhe peshku të freskët. Kjo është edhe një prej kantinave më të vjetra të zonës.
Guida më e frikshme që mund të bëni në Vjenë
Nëse ju pëlqen adrenalina e lartë, atëherë ju këshillojmë që të zgjidhni guidën turistike më të frikshmë që zhvillohet gjatë orëve të vona në qytetin e Venecias. Një prej vendeve më të frikshme që do të vizitoni është një labirinth me rrugë të ngushta në të cilin janë vrarë mijëra njerëz dhe që sipas gojëdhënave thuhet se natën, ajo rrugicë mbushet me shpirtrat e tyre.