Përfytyroni që po hapni një biznes me dy bashkëthemelues të tjerë. Njëri nga ju është CEO, tjetri CTO, ndërsa i treti është i përqendruar në gjetjen e klientëve.
Ju punësoni disa inxhinierë, një designer dhe një menaxher. Merrni me qira një ambient, krijoni produktin dhe nisni të firmosni kontratat e para me klientët.
Biznesi është duke ecur mirë dhe pas disa muajsh ju vendosni të hapni një pozicion për të drejtuar grupin e suportit të klientëve. Më së fundi gjeni kandidatin që është i përshtatshëm për këtë pozicion.
Në fund të ditës kur ajo kthehet në shtëpi, shoku i saj e pyet për përshtypjen që i la kompania. Ajo ndalet një çast dhe mendon se çfarë mësoi gjatë ditës për kompaninë.
Ajo mori në konsideratë:
1.Çfarë e motivon ekipin? A zgjodhi ekipi të punojë në këtë kompani sepse beson në këtë skuadër dhe mision, apo thjesht sepse i nevojitej një punë? A vijnë punonjësit në punë plot me energji për t’u marrë me gjithçka që del përpara apo qëndrojnë me sytë nga ora duke pritur që të shkojnë në shtëpi? A janë ata të motivuar nga frika apo dështimi apo nga mundësia për të arritur diçka të madhe?
2.Cilat janë zakonet në punë të njerëzve? A vijnë ata herët në punë dhe largohen në darkë apo punojnë deri vonë në mbrëmje dhe kthehen të nesërmen në drekë në punë? A punojnë ata rregullisht nga shtëpia? A u përgjigjen ata email-eve dhe mesazheve në mbrëmje dhe në fundjavë apo qëndrojnë “offline” kur dita e tyre e punës përfundon?
3.A ka diversitet ekipi? A është ekipi i punës i përbërë nga punonjës të huaj dhe vendas? A ka një përvojë nga nivele të ndryshme? A ka diversitet racial dhe gjinor? A e njihnin njëri-tjetrin punonjësit para se të bënin pjesë në këtë kompani apo ata u rekrutuan nga background-e dhe rrjete të ndryshme?
4.A socializohen punonjësit? Në fund të ditës së punës, a dalin punonjësit të pinë diçka me njëri-tjetrin apo dalin me miq të tjerë dhe familjarë? A e pëlqejnë ata njëri-tjetrin apo janë thjesht miqësorë?
5.Nga ku lindin idetë? Themeluesit janë gjeneruesit e ideve dhe presin që punonjësit t’i ekzekutojnë ato? Apo presin që çdo pjesëtar i ekipit të sjellë idetë e veta? A janë punësuar njerëzit në bazë të aftësisë për të gjeneruar dhe për të mbështetur ide të reja, apo thjesht në bazë të aftësisë për të kryer punën që i jepet për detyrë?
6.Si bashkëpunon ekipi? A lënë takim punonjësit me njëri-tjetrin për të diskutuar idetë balllë për ballë apo diskutojnë nëpërmjet email-it apo mesazheve? A i ndajnë ata idetë me të tjerët për të marrë reagime? A merren vendimet pas rënies dakord apo një person më i madh thjesht vendos se cila është gjëja më e mirë për t’u bërë dhe pret që edhe punonjësit e tjerë ta ndjekin atë?
7.A i kërkojnë apo i shmangin njerëzit konfliktet? Kur ka një vendim të vështirë për t’u marrë, a mblidhen njerëzit për të vendosur së bashku? Kur nevojitet të bëhet një bisedë e vështirë, a janë të gatshëm njerëzit të flasin apo i shmangen asaj? A ankohen njerëzit pas krahëve për njëri-tjetrin, apo përpiqen që t’i lënë mënjanë dhe t’i zgjidhin problemet?
8.A promovohen punonjësit brenda kompanisë? A trajnohen punonjësit në kompani në mënyrë që ndërkohë që kompania rritet, ata, punonjësit të rriten bashkë me të, duke marrë më shumë përgjegjësi?
Apo kompania punëson drejtues nga jashtë kur kërkohet një drejtim më i qartë?
9.Sa e strukturuar është kompania? A ka kompania objektiva dhe synime të qarta për të cilat ekipi është duke punuar? A është e qartë se kush është përgjegjës për cilën punë? Kur ka ndryshime gjatë punës, a merren në konsideratë dhe komunikohen ato apo bëhen për kapriçio? A merr kompania vendime të shpejta apo i vonon ato dhe kalon kohë duke marrë në konsideratë të gjithë mundësitë?
10.Kush shpërblehet? A promovohen dhe përgëzohen personat që guxojnë dhe veprojnë në një situatë të vështirë apo punonjësit e qëndrueshëm dhe besueshëm? Cilët e marrin mirënjohjen më të madhe, personat që punojnë me klientët apo ata që punojnë pas skenës?
Kultura në pjesën më të madhe përcaktohet nga njerëzit të cilët punojnë në të. Pjesa më e madhe e kulturës së një kompanie është thjesht një rritje e njerëzve që punojnë aty.
Një kompani me persona introvertë me siguri do të ketë një kulturë më të qetë. Një kompani me punonjës që merren me shitje do të ketë një kulturë pune të përqendruar te klienti dhe më ekstroverte. Një kompani me persona të pasigurt dhe mosbesues do të ketë një kulturë politike ose toksike. Një kompani me njerëz që e urrejnë konfliktin do të jetë e pavendosur dhe pasive agresive. Një kompani në të cilën punojnë persona të zotë do të ketë me siguri përvojat dhe praktikat më të mira.
Kultura e kompanisë vendoset nga drejtuesit. Janë ata që e bëjnë bashkë ekipin. Vendosin se cilin të ngrenë në detyrë dhe të promovojnë. Sjellja e tyre është një shembull për pjesën tjetër të ekipit e modelon atë. Kjo është arsyeja se pse kompanitë e vogla shpesh reflektojnë personalitetin e themeluesit të saj.
Ndërkohë që kompanitë ndryshojnë, kulturat duhet të ndryshojnë. Ajo që më parë ishte e përshtatshme, mund të mos jetë më e tillë në të ardhmen, kështu që ekipi duhet të vazhdojë të pyesë nëse kultura aktuale funksionon, por edhe si duhet të ndryshojë me rritjen e kompanisë. Kultura e punës është jetike – ndryshon çdo ditë. Një ekip nuk mund ta kontrollojë plotësisht atë, por duhet të përpiqet gjithnjë ta përmirësojë atë, edhe nëse kjo do të thotë vendime të vështira apo të pakëndshme.
Marrë me shkurtime: INC