10 teknologjitë që do të revolucionarizojnë botën në 2019 sipas Bill Gates

11/03/2019 4:30 PM 0 komente

Nga vaksina kundër kancerit deri te sondat për ekzaminimin e zorrëve, cilat janë projektet inovative që do të revolucionarizojnë të ardhmen tonë? Ky është parashikimi i themeluesit të Microsoft

 

Interneti është i mbushur me parashikime dhe klasifikime mbi trendet dhe teknologjitë që do të revolucionarizojnë jetën tonë. Disa janë përpunuar pa analiza të thelluara, ndërsa të tjera janë të akredituara dhe arrijnë të parashikojnë ndryshimet në mënyrë efikase. Një ndër publikimet më të besueshme të momentit është ai i Bill Gates, mbi10 teknologjitë revolucionare të vitit 2019.

Dekalogu u publikua në fund të shkurtit në MIT Technology Review, nën kujdesin e themeluesit të Microsoft. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për revistën, pasi për herë të parë, një bashkëpunëtor ka pasur fuqi të plotë te përmbajtja e shkrimit.

Sipas kryeredaktorit Gideon Lichfield, lista ka rëndësi historike, pasi reflekton bindjen se teknologjitë e reja shërbejnë për të përmirësuar dhe për të zgjatur jetën e njerëzve. Zgjedhjet e Gates na lejojnë të njohim jo vetëm trendet e ardhshme, por të kemi edhe një tablo të përgjithshme të sfidave dhe mundësive më të rëndësishme të kohës sonë. Nga projekti Dactyl te përmirësimi i energjisë nukleare

Shpikjet që lidhen me Inteligjencën Artificiale janë destinuar që të rriten dhe, ndër to, Bill Gates ka zgjedhur projektin Dactyl, që do t’i lejojë robotët të manipulojnë objekte të vogla në mënyrë të saktë dhe të sigurt. Kjo është e mundur, mbi të gjitha, falë mësimit të detyruar, mjaft i përhapur në procedurat e Inteligjencës Artificiale.

Robotët do t’ia nisin me simulime të vogla virtuale që më pas t’ia dalin të zhvendosin apo të kapin diçka në botën reale. Përveç evolucionit të Inteligjencës Artificiale, në të ardhmen do të jemi dëshmitarë edhe të ndryshimeve të mëdha që lidhen me prodhimin e energjisë nukleare. Protagonistët e së ardhmes së afërt do të jenë reaktorë të vegjël bërthamorë që do të mund të prodhojnë edhe sasi të vogla energjie, me ndikim të ulët në mjedis dhe kursim të rëndësishëm ekonomik.

 

Trendet e reja në fushën e shëndetësisë

Ndryshime të rëndësishme teknologjike do të ndodhin edhe në sektorin e shëndetësisë. Gates thekson në veçanti katër projekte të rëndësishme. I pari lidhet me sondat në zorrë, që pasi gëlltiten, do të lejojnë të kryhen ekzaminime të rëndësishme pa anestezi, edhe tek të sapolindurit dhe fëmijët.

Këto ekzaminime joinvazive do ta bëjnë më të lehtë identifikimin e patologjive të ndryshme në sistemin gastrointestinal. Gjithashtu vijon puna për një pajisje që mbahet në puls, që do të lejojë kryerjen e elektrokardiogrameve kudo dhe në këtë mënyrë, të parandalojë iktuse, infarkte dhe probleme të tjera të sistemit të enëve të gjakut.

Sipërmarrësi ka përfshirë në këtë listë edhe një projekt që prek një pjesë të vogël të popullsisë – parashikimin e lindjeve të parakohshme. Në të vërtetë, një fëmijë në dhjetë lind para kohe dhe shumë prej tyre nuk arrijnë të mbijetojnë. Rreziku mund të parashikohet falë analizave specifike të ADN dhe ARN të gjakut të nënës.

Ndër të tjera, janë bërë hapa para edhe në diagnozën prenatale të patologjive të ndryshme, si Sindroma Down. Edhe vaksinat kundër kancerit janë një element që duhen pasur në vëzhgim. Në fakt, janë duke u testuar terapi të ndryshme që i lejojnë mbrojtjes imunitare të shkatërrojë qelizat tumorale. Këto trajtime janë të destinuara të mundin një ndër sëmundjet më të këqija të kohës sonë.

 

Mbrojtja e planetit

Ndër tendencat për t’u pasur në vëzhgim janë edhe ato që synojnë të shpëtojnë planetin dhe qenien njerëzore. Një nga problemet thelbësore është sigurisht ngrohja globale. Për të zvogëluar në maksimum efektet e saj, është duke u studiuar një substancë që synon të eliminojë dioksidin e karbonit dhe gazin serrë.

Një tjetër problem është disponibiliteti i mishit – i cili po fillon të pakësohet. Për më tepër, fermat kanë ndikim të madh te ndotja e mjedisit. Për këtë arsye, një ndër revolucionet më të mëdha të së ardhmes së afërt do të jetë prodhimi i mishit sintetik.

Së fundmi, ulja e ndotjes së burimeve ujore për t’i lejuar të gjithë të kenë akses në shërbimet higjienike dhe, së shpejti, do të jenë të disponueshme banja pa kanalizime. Në fakt, sot janë mbi 2 miliardë persona që derdhin jashtëqitjet e tyre në lumenj, dete dhe kjo provokon rritje alarmuese të baktereve dhe parazitëve.
Evolucioni i asistentëve dixhitalë

Trendi i fundit që citohet në këtë klasifikim është evoluimi i asistentëve dixhitalë, që sot janë gjithnjë e më të përhapur në botë. Objektivi i kompanive teknologjike është të krijojnë pajisje që të kuptojnë në mënyrë të përkryer gjuhën natyrore. Kompania OpenAi po punon për arritjen e këtij objektivi dhe Gates ka përmendur edhe Google Duplex dhe potencialin e saj për tregun.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of