Nuk përbën lajm, megjithatë lëkundjet në bursa janë të ndjeshme gjithnjë për kompanitë teknologjike. Këtë e vërteton edhe këtë vit klasifikimi i Brand Finance Global.
Në këtë renditje gjenden 100 kompani.
Google këtë vit renditet në krye të klasifikimit, duke lënë pas Apple, e cila tani mban vendin e dytë.
Në vend të tretë gjendet Amazon, ndërsa Microsoft zbriti në vendin e pestë. Sa i përket Samsung, ai është ngjitur në klasifikim, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë. Surpriza është Facebook, që ka hyrë në “Top 10”, duke u renditur në vend të nëntë, nga vendi i 17 që ishte vitin e kaluar.
Sa i përket markave italiane, Eni vlen më shumë se Enel, të dyja kompani që i përkasin sektorit energjetik. E që të dyja gjenden në klasifikim përpara markave të tilla të mirënjohura si: Gucci, Tim e Ferrari.
Edhe markat e botës së financës nuk mbeten pas, duke u pozicionuar brenda 50 më të mëdhave italiane, me një vlerë totale prej 94 miliardë eurosh.
Nëse shikohet me kujdes vlera e përgjithshme e markave italiane vihet re se “feta më e madhe e tortës” i takon sektorit të veshjeve dhe atij të luksit, me 22.1 miliardë euro (12 marka), ndiqet nga sektori i gazit dhe i naftës me 10.9 miliardë euro (2 marka), si dhe ai i makinave me 9.8 miliardë euro (2 marka).
Edhe pse Italia ka një sërë markash të njohura në botë, ato vlejnë 5% më pak në total sesa ato të Spanjës, Francës, Gjermanisë e Mbretërisë së Bashkuar.
Burimi: Il Sole 24 ore