100 milion euro për spitale private

30/12/2011 10:15 AM 0 komente

Në tre vitet e fundit po kryhen investime të mëdha për ndërtimin e spitaleve private. Brenda vitit 2009 pritet që në Shqipëri të kenë aktivitet tre spitale private

Shëndetësia është një nga sektorët e ekonomisë shqiptare që po tërheq interesin më të lartë të investitorëve në vitet e fundit. Pasi ka filluar nga puna Spitali Amerikan në Laprakë dhe është në prag të inaugurimit Universal Hospital Tirana, një tjetër spital privat po ndërtohet dhe pritet të nisë aktivitetin brenda këtij viti. Grupi grek Hygeia, një nga më të mëdhenjtë në Ballkan në ofrimin e shërbimeve shëndetësore private, po ndërton një spital edhe në Shqipëri.

Problemet e shumta të sistemit shëndetësor publik janë bërë stimul për zhvillimin e spitaleve private. Janë mijëra shqiptarë që çdo vit shkojnë jashtë vendit për të marrë shërbime mjekësore, ndërsa ata që kurohen në Shqipëri vuajnë gjendjen e vështirë, të zhytura në batakun e kushteve të këqija fizike, cilësinë e dobët të shërbimeve dhe korrupsionit. Duke marrë shkas nga ky realitet investitorët e huaj dhe vendas po shpenzojnë shuma të mëdha për të ndërtuar spitale ku shërbimi të jetë i standardeve perëndimore.

Objektivi i parë është tërheqja e pacientëve që shkojnë jashtë vendit për t´u kuruar. Drejtuesit e spitaleve private japin shembullin më të zakontë, atë të ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër. Pamundësia e përballimit të tyre nga Qendra Spitalore Universitare ka bërë që shumë pacientë të shkojnë jashtë vendit për t´u kuruar, kryesisht drejt Turqisë. Sipas investitorëve, krijimi i kushteve për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve në Shqipëri do t´u kursejë pacientëve udhëtimin e gjatë. Dhe kjo logjikë duket se ka funksionuar, të paktën duke iu referuar eksperiencës së Spitalit Amerikan, i pari spital privat në Shqipëri. Që në fillim, ky spital u dha prioritet ndërhyrjeve të kirurgjisë dhe kardiokirurgjisë, duke parë se nevoja më e madhe ishte në këto specialitete. Sipas drejtuesve të spitalit, gjatë dy viteve të aktivitetit të tyre, numri i pacientëve që shkojnë për t´u operuar në Turqi ka rënë ndjeshëm.

Spitalet private kanë gjithashtu ambicie për të tërhequr pacientë edhe nga vendet e rajonit, ku, sipas tyre, nuk ekzistojnë spitale kaq të pajisura dhe të specializuara.

Megjithatë, financimi i shërbimit në spitalet private nga pjesa më e madhe e njerëzve ngelet një problem që duhet parë. Të gjitha spitalet private thonë se është shumë e rëndësishme që në një të ardhme afatshkurtër të përfshihen në skemën e sigurimeve shëndetësore. Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor pritet të miratohet gjatë këtij viti, i cili do t´i hapë rrugë financimit të shërbimeve shëndetësore për të siguruarit edhe në strukturat shëndetësore private.

Spitalet private, tregu që po pasurohet

Spitali Amerikan (Balkan Alliance Group) nisi punën në janar të vitit 2007, si një investim i disa aksionerëve shqiptarë dhe turq, pasi mori me koncesion disa mjedise pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Me kalimin e kohës, aktiviteti dhe mjediset e spitalit u zgjeruan, sidomos pas hyrjes në strukturën e aksionerëve të fondit amerikan Badminister Capital Management Found dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Deri në fund të vitit 2008, Spitali Amerikan deklaronte investime në vlerën e 13 milion eurove. Ndër arritjet e deritanishme të Spitalit Amerikan është edhe realizimi për herë të parë në Shqipëri i transplantit të veshkave, ndërkohë që shumë shpejt do të realizojë edhe transplantin e parë të mëlçisë. Aktualisht, Spitali Amerikan ka rreth 150 punonjës dhe ofron shërbime në 21 specialitete.

Spitali i dytë privat pritet të jetë Universal Hospital Tirana, një investim prej 40 milion eurosh turko-shqiptar. Spitali pritet të nisë nga puna brenda gjysmës së parë të këtij viti, ndërkohë që ka përfunduar plotësisht ndërtimi i godinës dhe instalimi i pjesës më të madhe të aparaturave. Spitali do të përbëhet nga dy kulla prej tetë katesh secila dhe do të ketë 124 dhoma për shtrimin e pacientëve, si dhe 5 salla operacioni. Sipas drejtuesve, në Universal Hospital Tirana do të kryhen të gjitha ndërhyrjet e mundshme kirurgjikale, që nga kirurgjia estetike e deri te ndërhyrjet më të vështira të trurit.

 Brenda vitit do të jemi edhe ne

Intervistë me z.Thanas Poçi, drejtor i përgjithshëm i Hygeia Hospital Tirana

Drejt përfundimit është edhe spitali i tretë i madh privat, Hygeia Hospital Tirana. Spitali do të jetë fryt i një investimi prej të paktën 50 milion eurosh dhe do të jetë i vendosur në periferi të Tiranës. Sipas drejtorit të përgjithshëm, z.Thanas Poçi, Hygeia Hospital Tirana do të hapet më datë 1 dhjetor të këtij viti dhe do të ofrojë shërbim universal në pothuajse të gjitha specialitetet. Z.Poçi thotë se në fazën e parë të punës fokus të veçantë do të ketë trajtimi i të sëmurëve me tumorë, për të cilët spitali do të sjellë teknika të reja të radioterapisë, që aktualisht në Shqipëri nuk përdoren. Gjithashtu, Spitali Hygeia do të synojë të zhvillojë edhe metodat më të fundit të kirurgjisë, veçanërisht ndërhyrjet kirurgjikale pa çarje.

Z.Poçi thotë se spitalet private, që po vijnë në momentin e duhur, janë domosdoshmëri për të plotësuar boshllëqet e lëna nga shërbimi publik. Ai është i mendimit se çmimet që do të ofrojë Hygeia Hospital janë të përballueshme për shqiptarët, ndonëse zgjidhja më e mirë do të ishte përfshirja në treg e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore dhe në një të ardhme më të largët, edhe të shoqërive të sigurimeve. Sipas tij, Hygeia do të konkurrojë me spitalet e tjera private falë ekspertizës dhe eksperiencës së grupit që përfaqëson, si dhe me një politikë çmimesh që do të synojë t´i përqaset sa më shumë të jetë e mundur aftësisë paguese të individëve.

çfarë përfaqëson Hygeia Group dhe çfarë synon projekti që keni nisur në Shqipëri?

Hygeia Group është grupi më i madh i shërbimeve spitalore në Ballkan dhe synon që në një të ardhme afatshkurtër të jetë grupi më i madh dhe më i kompletuar në të gjithë Europën Juglindore dhe në Lindjen e Mesme. Hygeia Group aktualisht përbëhet nga 12 kompani, nga të cilat 10 janë spitale të shtrira në Greqi, Turqi, Qipro dhe së fundmi në Shqipëri. Në një të ardhme të afërt, do të fillojnë nga zbatimi projektet e dy spitaleve të tjerë në Rumani dhe Serbi. Grupi Hygeia administron mbi 2000 shtretër spitalorë në këto shtete që përmenda. Kur flasim për shërbime shëndetësore, pjesa kryesore e shërbimeve të Hygeia Group janë shërbime spitalore, megjithatë grupi vepron edhe në nivelin e shërbimit parësor me anë të qendrave diagnostikuese, por edhe kompani që merren me shërbimet mbështetëse spitalore, që nga furnizimi me paketat e mjekimit e deri te materialet e tjera për përdorim spitalor. Ky është një parakusht për të unifikuar standardet e shërbimit shëndetësor në të gjitha vendet. Si spitalet që veprojnë në Greqi, Turqi, Qipro, do të kenë të njëjtën cilësi shërbimi si spitali që do të hapet në Shqipëri.

Kompania shqiptare e grupit është themeluar në vjeshtën e vitit 2007, e përbërë nga aksionerë grekë dhe shqiptarë. Aksioner kryesor është Hygeia Group, ndërsa partneri shqiptar është biznesmeni Shyqyri Duraku. Falë mbështetjes nga institucionet shtetërore, kemi arritur të nisim nga zbatimi i projektit që në prill të vitit 2008. Objekti ku do të vendoset spitali ndodhet në periferi të Tiranës dhe ka një sipërfaqe prej 25 mijë m2, me gjithsej 220 shtretër. Ndërtesa bazë ku do të ofrohen shërbimet spitalore do të ketë 7 kate, ndërkohë që do të ketë edhe një objekt ndihmës me 5 kate. Godina ndihmëse do të shërbejë për ofrimin e shërbimit parësor, si edhe për vendosjen e mjediseve në shërbim të mjekëve, si zyra etj.

Sa do të jetë vlera e investimit?

Vlera e investimit është mbi 50 milion euro. Vetëm godina bazë do të kushtojë 33 milion euro, nga të cilat rreth 20 milion euro do të jetë vlera e aparaturave dhe pajisjeve mjekësore. Nga këto shifra kuptohet qartë se spitali do të ketë një kosto shumë të lartë, sepse grupi Hygeia zbaton standarde shumë të larta të shërbimit. Jemi në ato parametra kostoje që zbatohen në Europën Perëndimore, sepse cilësia e materialeve ndërtimore, e sistemeve, e strukturave spitalore do të jetë e standardeve bashkëkohore.

Kur parashikohet të nisë aktiviteti i spitalit?

Në bazë të programeve tona, spitali do të hapet në dhjetor të këtij viti. Plani ynë parashikon që më datë 1 dhjetor godina të jetë e gatshme, të gjitha aparaturat dhe sistemet të jenë të instaluara dhe personeli të jetë i gatshëm për të nisur nga puna.

Cilat shërbime do të kenë përparësi, duke pasur parasysh edhe nevojat specifike të sistemit spitalor në Shqipëri?

Spitali do të jetë universal dhe do të ofrojë të gjithë gamën e shërbimeve të një spitali të përgjithshëm. Në bazë të studimeve që kemi bërë lidhur me nevojat e pacientëve, do të jemi më të fokusuar në shërbime të veçanta. Mund të them se për sa i takon ndërhyrjeve kirurgjikale, ne do të synojmë të ofrojmë ndërhyrjet laparoskopike, pra ndërhyrjet kirurgjikale pa çarje. Kjo është gjenerata e fundit e ndërhyrjeve kirurgjikale. Blloku ynë operator i përbërë nga 9 salla njëra pas tjetrës do t´i ofrojë të gjitha mjetet dhe teknologjitë për këto ndërhyrje. Ne do të ofrojmë të gjitha llojet e ndërhyrjeve të këtij lloji, që nga ato neurokirurgjike, kardiokirurgjike e deri te ndërhyrjet ortopedike.

Gjithashtu, në Shqipëri shërbimi onkologjik, sidomos në drejtim të radioterapisë, lë për të dëshiruar, për shkak edhe të pamundësisë së shtetit për ta mbështetur me fonde. Ne do të vendosim në spital për shërbimin e radioterapisë dy akseleratorë linearë, dy pajisje që nuk ekzistojnë sot për sot në Shqipëri dhe që janë të pakta edhe në rajon, qoftë për shkak të kostove, qoftë për shkak të teknolgjisë që kërkon përdorimin nga specialistë shumë të aftë. Këto pajisje kanë saktësi në të dhjetat e milimetrit dhe përdorimi i tyre kërkon staf shumë profesional. Besojmë se kjo do të përmirësojë gjendjen e të sëmurëve me tumor në Shqipëri, jo vetëm duke shtuar vite jetë, por duke përmirësuar edhe cilësinë e jetës. Këto janë trajtime natyrisht të kushtueshme, kështu që në këtë segment do të ishte pozitive që të kishte një angazhim edhe nga shteti, duke përballuar trajtimin e të sëmurëve me këto terapi, qoftë nëpërmjet sigurimeve shëndetësore apo edhe nëpërmjet fondeve të posaçme.

Në Shqipëri po kryhen investime të mëdha në shëndetësi dhe suksesi i këtyre investimeve lidhet me shitjen e shërbimeve shumë të kushtueshme, që pjesa dërrmuese e njerëzve këtu nuk mund t´i përballojë. Sa i lidhur është suksesi i investimeve private me përfshirjen e tyre në skemën e sigurimeve shëndetësore?

Spitalet që po ndërtohen janë në kohën e duhur, madje edhe pak të vonuara. Jemi të ndërgjegjshëm se shërbimi shëndetësor ka nevojë për mbështetjen e strukturave private, për të qenë plotësuese të sistemit publik.

Nga ana tjetër, unë them se standardi i jetesës në Shqipëri sot është i tillë që qytetari të mund të blejë shërbime spitalore private. Forma e pagesës së kësaj blerjeje është e diskutueshme, që nga pagesat në ‘cash´ deri te skemat e sigurimeve, qofshin shtetërore apo private. Për kategori të veçanta dhe që kanë nevojë për shërbime shumë të kushtueshme, mund të ketë edhe pagesa direkte nga buxheti i shtetit.

Në këtë moment është bërë një hap i rëndësishëm duke përfshirë në skemën e sigurimeve spitalet publike. Unë mendoj që kuadri ligjor nuk pengon që ISKSH të mund të lidhë kontrata edhe me spitalet private.

Ju përmendët edhe një formë tjetër të financimit të shërbimeve spitalore, marrëveshjet me kompanitë e sigurimeve. Besoni se ekzistojnë hapësirat që spitalet private shqiptare të lidhin marrëveshje të tilla me kompanitë e sigurimit?

Ne jemi ende në një fazë embrionale. Ndoshta vetë mungesa e tregut spitalor privat ka bërë që të mungojnë këto lloj mekanizmash. Mungesa e spitaleve nuk i ka nxitur sigurimet që të hyjnë edhe ato në këtë lloj tregu. Mendoj se hyrja në treg e spitaleve private do të jetë katalizator edhe për këtë treg. Shoh që ka interes nga kompanitë e sigurimeve, por është kjo është punë që duhet kryer paralelisht. Ne duhet të krijojmë bazat dhe të ofrojmë shërbime cilësore, kompanitë duhet të ngacmojnë interesat e klientëve dhe të tyre: është normale që rezultati do të jetë bashkëpunimi në interes të të gjitha palëve.

Si e prisni konkurrencën me spitalet e tjera private?

Konkurrenca është gjëja më normale në një treg të lirë. Unë mendoj se në sektorin spitalor jemi në hapat e para të krijimit të operatorëve spitalorë dhe konkurrenca do të zhvillohet sepse sot për sot nuk besoj se ekziston ndonjë konkurrencë e mirëfilltë. E konsiderojmë konkurrencën, por ne hyjmë në treg me përvojë dhe me baza shumë të konsoliduara, falë eksperiencës së grupit Hygea. Falë mbështetjes së ekspertizës së grupit, ne mund të marrim përsipër edhe diagnozat më të ndërlikuara. Spitali ka planifikuar të shpenzojë shuma të konsiderueshme për trajnimin dhe specializimin e stafit mjekësor. E themi me siguri të plotë se të ardhmen tonë e shohim në duart e mjekëve shqiptarë, të cilët i vlerësojmë maksimalisht për aftësitë profesionale. Me politikën tonë të çmimeve ne do të kemi klientë jo vetëm milionerë, por do të përpiqemi të hapim dyert për sa më shumë njerëz që kanë nevojë për shërbime mjekësore.

Nga Ersuin Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of