100 punëdhënësit më të mëdhenj

08/12/2016 2:14 PM 0 komente

Tre kompani call center renditen ndër 10 punëdhënësit më të mëdhenj në vend, teksa janë tre sipërmarrjet e para private për sa i përket numrit të personave që kanë punësuar. Struktura aktuale e ekonomisë nuk premton asgjë pozitive nëse humbin 25 mijë vendet e punës, të krijuara vitet e fundit nga call center. Tabela me 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend

Kompanitë e qendrave telefonike, aktiviteti i të cilave rrezikon të tkurret ndjeshëm nëse Senati italian do të miratojë rregullat kufizuese në fillim të dhjetorit, janë kthyer për momentin në burimin më të madh të punësimit në vend, sidomos tek të rinjtë.

Sipas të dhënave nga tatimet, për punëdhënësit më të mëdhenj, janë tre ndërmarrje call center që renditen në mesin e 10 kompanive që kanë më shumë të punësuar. Ato janë Intercom Data Service (IDS), me rreth 3000 të punësuar, Albacall dhe Albania Marketing Service (Teleperformance), me përkatësisht rreth 2100 dhe 1800 të punësuar (shih tabelën në fund), sipas të dhënave nga tatimet, që i referohen vitit 2015.

Aktualisht, kompania me numrin me të madh të të punësuarve në vend është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), me pronësi shtetërore, me mbi 6 mijë të punësuar. Punëdhënës të mëdhenj janë dhe ndërmarrje të tjera shtetërore si Posta Shqiptare dhe Albpetrol (shiko tabelën në vijim me 100 punëdhënësit më të mëdhenj).

Por, nëse i referohemi vetëm sektorit privat, tre kompanitë e sipërpërmendura call center janë ato që në vite janë bërë burimi kryesor i punësimit në sektorin privat, duke pasur numrin më të madh të të punësuarve nga ndërmarrjet jo me pronësi shtetërore.

Në total, sipas tatimeve, janë rreth 25 mijë të punësuar në call center, duke e bërë atë sektorin e katërt më të madh në vend, pas tregtisë-shërbimeve, ndërtimit dhe industrisë që punon me material porositësi (fason), sipas të dhënave nga tatimet dhe Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve e INSTAT. Ky sektor ka sot rreth 7% të të punësuarve në sektorin privat jobujqësor, sipas të dhënave nga tatimet e INSTAT.

Tregi Marketing Group, Fiber, Professional Marketing Albania, Infocall, Fastcall renditen gjithashtu në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me nga 500-800 punonjës secila.

 

Cilët janë punëdhënësit më të mëdhenj në ekonomi

Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.

Kompani të tjera të mëdha private punësues të mëdhenj, të fokusuara në industrinë e rëndë, si Albpetrol, Bankers Petroleum, Simmons Edeco Limited, nuk kanë qenë agresivë vitet e fundit, për shkak të koniunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipërmarrje të tjera të industrisë së rëndë kanë falimentuar tashmë, si p.sh., Kurum, që kishte në 2014-n rreth 700 punonjës, apo ARMO, që ndonëse ka filluar punë, mbetet një kompani problematike.

Bankat, që mbeten vendi më interesant dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.

Sipërmarrjet e telekomunikacionit janë gjithashtu në fazë stanjacioni, teksa rritja e të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm dhe në total kanë pak më shumë se 2000 punonjës.

Sot, ndërmarrjet më të mëdha për sa u përket të punësuarve janë ato shtetërore, si OSHEE, KESH, apo drejtoritë arsimore.

 

Rrethi vicioz i punësimit – Nga do të vijë rritja dhe zëvendësimi i mundshëm i call center

 

Struktura aktuale e ekonomisë nuk premton asgjë pozitive nëse humbin 25 mijë vendet e punës të krijuara vitet e fundit nga call center për shumë arsye:

-Industria nxjerrëse është në vështirësi për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

-Tregtia me pakicë, që ka numrin më të madh të të (vetë)punësuarve në vend, po vuan konkurrencën nga qendrat tregtare, rënien e konsumit dhe presionin e formalizimit, duke bërë që shumë dyqane në shkojnë drejt mbylljes

-Bankat janë në stanjacion prej vitesh.

-Sektori i telekomunikacioneve po e optimizon numrin e punonjësve.

-Investimet e huaja, që do të sillnin kapital të freskët dhe vende të reja pune nuk po duken, teksa klima në vend, sipas deklaratave të tyre, mbetet e rënduar, duke bërë që investitorët të zgjedhin rajonin, kryesisht Maqedoninë dhe Serbinë. Këto dy shtete po tërheqin investime në industrinë mbështetëse të makinave, që kanë vlerë të shtuar dhe janë të vështira për t’u zhvendosur, ndryshe nga call center që nuk kërkon investime të mëdha fillestare dhe është lehtësisht i transferueshëm.

-Biznesi nuk po shfrytëzon kapacitetet ekzistuese, jo më të investojë për t’i zgjeruar ato çka do të mundësonte hapjen e vendeve të reja të punës.

– Mungon vizioni i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investimeve dhe për të rritur vlerën e shtuar.

-Shpresa mbetet te mbijetesa e fasonit, zgjerimi i shërbimeve dhe investimet e fundit në gazsjellësin TAP dhe hidrocentralin e Devollit.

-Shqipërisë i mungojnë punëdhënësit e mëdhenj privatë. Vetëm 50 sipërmarrje kanë më shumë se 300 punonjës.

 

———-

 

Teleperfomance: Nuk largohemi nga Shqipëria, ligji është shkruar keq

Në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhw më…

Diego Pisa, është menaxheri për Shqipërinë i një prej kompanive të mëdha të shërbimit call center, Teleperformance. Një kompani ndërkombëtare e cila ka seli në 62 shtete, përfshi këtu edhe vende si Shqipëria, Rumania etj. I pyetur nga “Monitor”, nga Italia, Pisa komenton ligjin  e delokalizimit të shërbimit call center që po diskutohet në vendin e tij e shprehet se ky është një ligj i shkruar keq, që godet delokalizimin e këtyre kompanive, duke e konsideruar si shkakun e të gjitha të këqijave, por nw vend qw ta ndalojw e inkurajon mw tej fenomenin ‘dumping” dhe do krijojw konfuzion. I pyetur nëse në këto kushte kompania e tij do të largohet nga Shqipëria, thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhw. “Ne jemi një kompani ndërkombëtare e cila ka seli në 62 vende dhe kemi planet tona të biznesit. Ne nuk kemi ndërmend të largohemi nga Shqipëria”. Në lidhje me rregullat e ashpra që parashikon projektligji i ri sa i përket ndalimit të lehtësive fiskale z. Pisa thotë se ata nuk kanë përfituar asnjë lehtësi nga shteti italian.

Natyrisht, thotë ai, miratimi i ligjit do të sjellë probleme për këtë sektor në Shqipëri. Të gjitha shoqëritë e shërbimit call center do të duhet të hapin seli në vendet e BE-së për të mos pasur probleme. “Në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ky sektor është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhw më”, përfundon z.Pisa.

Por, një tjetër element që projektligji thekson e që vihet në dukje edhe nga ekspertët italianë është se ai synon që të luftojë fenomenin e garës së uljes së çmimeve, duke përcaktuar se shoqëritë që vendosin të shfrytëzojnë shërbimet e një call center, duhet të zgjedhin ofertën më të mirë, në raport me koston e personelit.

Ky parim është i kuptueshëm, thonë ekspertët, por zbatimi i tij në praktikë do të jetë i vështirë, duke qenë se kosto e personelit është një variabël qe shpesh varet nga volumi i punës(shërbimit të ofruar), gjë e cila nuk mund të dihet paraprakisht. Për këtë arsye nuk do të jetë e thjeshtë të përcaktohet ndikimi efektiv i kostos së personelit mbi ofertën e përgjithshme.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz