100 vjet bujqësi

08/12/2012 08:04 0 komente
albumi foto tjeter 13_opt

Nga Ismail Beka

Nuk ka ndonjë sektor tjetër të ekonomisë shqiptare që mund të ketë më shumë bazë krahasueshmërie dhe problematike në një shtrirje 100-vjeç are se sa bujqësia në Shqipëri.

Së pari, për vetë shoqërinë shqiptare, në këto 100 vjet me popullsi me rritje të shpejtë demografike gjatë gjithë këtyre 100 vjetëve, pra gjithnjë me moshë mesatare të re, por edhe me dominancë në zonat rurale. (nga 90% në vitet 1920, 65% në vitet 1990 deri në regjistrimin e fundit 2011 kur ka zbritur për herë të parë në më pak se 50%). Ulja e popullsisë rurale, nga njëra anë ka të bëjë me mbipopullimin e Tiranës, Durrësit, e zonave të tjera urbane, por nga ana tjetër edhe e emigracionit shumë më të lartë nga zonat rurale.

Në të gjithë këtë shekull, pavarësisht nga sistemet qeverisëse, bujqësia ka qenë dega më e rëndësishme ekonomike në prodhimin kombëtar (së bashku me industrinë ushqimore) ka zënë më shumë se 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Disa nga karakteristikat e zhvillimit të bujqësisë janë si më poshtë:

-Punësimi në bujqësi ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol shumë të rëndësishëm. Gjithmonë me rreth 50% të të punësuarve vijnë nga sektori i bujqësisë. (Të paktën kështu thonë statistikat).

-Shoqëria shqiptare në më shume se 60 vjet (gjatë këtyre 100 vjetëve) ka pasur një emigracion të lartë për të siguruar jetesën, ndërkohë që në 40 vjetët e tjera të kohës së komunizmit, ishte e detyruar të qëndrojë i izoluar dhe i tejpopulluar në fshat dhe për t’u marrë me bujqësi.

-Çështja e pronave për tokën bujqësore dhe pasuritë e tjera në zonat rurale kanë qenë më të komplikuarat dhe deri më sot nuk janë zgjidhur dhe vazhdojnë të përbëjnë edhe problemin më të madh në ditët e sotme. Ka pasur përpjekje të vazhduara për t’u rregulluar, por jo të qarta.

-Çështjet e strukturës së mbjelljeve të bujqësisë në këtë shekull kanë qenë sigurimi i ushqimit të popullit dhe sigurimi i nivelit të jetesës për popullsinë rurale.

-Produktiviteti i ulët i punës në fshat (të ardhura shumë të ulëta) veçanërisht në zonat malore të vendit ka qenë një tjetër ve[ori e zhvillimit bujqësor.

-Vendi ka qenë gjithmonë i varfër dhe veçanërisht në zonat rurale.

-Mekanizimi në shkallë të ulët e ka shoqëruar bujqësinë shqiptare në këto 100 vjet dhe ka ndikuar që shumë procese pune të kryhen me krahë e rendimenti i punës të jetë mjaft i ulët.

 

Të dhënat

Një bazë e rëndësishme për këtë analizë dhe veçanërisht për krahasueshmërinë e treguesve të zhvillimit të bujqësisë në periudha të ndryshme të këtij shekulli janë disa botime me shumë vlerë për kërkime.

Së pari, është studimi i dr. Dalip Zavalani, i cili ka mbrojtur disertacionin e tij në Universitetin e Berlinit në vitin 1938 dhe ndoshta ka bërë analizën më të thelluar ekonomike të bujqësisë shqiptare. (botim është në gjermanisht). Në këtë studim ai ka bërë një analizë të hollësishme të marrëdhënieve të pronësisë, zhvillimet e popullsisë, strukturën bujqësore, prodhimin dhe tregtinë e prodhimeve bujqësore.

Dhe nëpërmjet këtij studimi nuk ka vetëm analiza por edhe të dhëna statistikore të kohës, ku autori në shumë raste edhe i analizon ato. Pra analizohen zhvillimet e 25 vjetëve të para të pas pavarësisë.

Një bazë tjetër shumë e mirë dokumentacioni për bujqësinë shqiptare është botimi i staticientit të bujqësisë, z. Shkëlqim Agolli, në vitin 2000, i cili është nga botimet e rralla, deri tani, që sjell me shifra bujqësinë në të gjithë periudhën që analizojmë.

Pasi në të gjithë raportet që analizojnë bujqësinë e pas viteve 90 është “harruar” krahasimi me shifrat e mëparshme. Në çdo raport statistikor, strategji zhvillimi apo projekte, të dhënat krahasuese janë ato të pas viteve 1990, duke mos qenë në gjendje të vlerësosh mbi bazën e potencialeve se ku ndodhet sot bujqësia shqiptare.

Nga ana tjetër, ka vështirësi për statistika të besueshme ekonomike dhe veçanërisht ato të bujqësisë (përjashto kohën e komunizmit).

Pra në këto kushte ka tri periudha shumë të rëndësishme që tregojnë zhvillimet e sistemit të bujqësisë në Shqipëri: Periudha deri në Luftën e Dytë Botërore, periudha e qeverisjes komuniste, periudha e pas viteve 1990.

 

Bujqësia shqiptare e viteve 1930

Nga regjistrimi i vitit 1930, popullsia shqiptare ishte 1.003.124 banorë, 35 banore/km². Popullsia që merrej me bujqësi ishte 254,216 vetë, ose 25% e popullsisë. Nga të cilët 104,896 (41%) ishin ferma me toka dhe pjesa tjetër (59%) ishin bujq të lirë (bujq të vegjël) barinj, shtëpiakë, shërbëtorë, punëtorë bujqësie.

Shpërndarja e parregullt e tokës bujqësore e bënte bujqësinë që të mos i shërbente gjithë popullsisë për ushqim dhe jetesë. Pjesa tjetër e popullsisë merrej me veprimtari të tjera (shërbime në qytet, tregti, artizanat). Por gjithsesi, në kushtet e zhvillimit të vendit nuk kishte mundësi të ofrohet punë për 75% të popullsisë.

Emigracioni ishte edhe për atë periudhë burimi bazë i të ardhurave për ekonominë e vendit dhe jetesën e popullsisë. Destinacioni kryesor i emigracionit ishte Turqia, pjesa europiane, por edhe Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Egjipti dhe më tej edhe SHBA, Australi dhe Argjentinë. Koha më e shkurtër e qëndrimit ishte 6-mujore (vjeshtë-pranverë), ose për 2-3 vjet si dhe një pjesë tjetër qëndronte në emigracion me dekada. Anëtarët e tjerë të familjes punonin tokën, përfshirë edhe gratë në disa zona të vendit.

Të ardhurat nga emigracioni shkonin për ushqimin e familjeve të tyre. (200-300 RM) për një sezon. Një pjesë e kostove shkonin për të paguar qiranë e tokës dhe për të shlyer pagesa të tjera. Të tjera pagesa shërbenin për të paguar shpenzimet e martesës (në Shqipërinë e Mesme, Elbasan dhe Tepelenë, nusja kushtonte nga 150-800 RM). Krahas ndikimit në të ardhurat e familjeve dhe përmirësimin e nivelit të jetesës, kjo ndikonte negativisht në dhënien prioritet të bujqësisë nga shumë familje.

Familjet bujqësore tradicionale, kryesisht ishin familje të mëdha për të përballuar më mirë punët e bujqësisë. Kishte familje edhe deri në 40 vetë (brenda shtëpisë ishin disa breza). Familjet e vogla, nga ana tjetër bashkëpunonin, me njëra-tjetrën.

Në disa ferma punonin edhe punëtorë bujqësie me rrogë, me kontrata 6-mujore ose 1-vjeçare. Në të njëjtën kohë kishte edhe punëtorë të lirë për punë të ndryshme, veçanërisht nga zona të varfra ku nuk kishin tokë e të ardhura ose në fshat në periudha të ndryshme. (kryesisht punë me akord, kositje, hapje puse etj.).

Në zona ku kishte mjaft tokë si në Bilisht, Korçë, Gjirokastër në kushtet e mungesës së mekanikës bujqësore punonin edhe gratë në bujqësi.

 

Marrëdhëniet e pronësisë dhe madhësia e fermave

Asnjë pjesë e tokës dhe truallit nuk ishte pa pronarë. (si në zonat urbane ashtu edhe në fshatra). Struktura e pronarëve (interesante për t’u vendosur në skemë).

Fermat bujqësore ishin të bazuara në fermat e vogla familjare. Nuk kishte ferma të mëdha. Si madhësi mesatare e një ferme ishte një sipërfaqe që mund të punohet me një pendë qe. (pra llogaritur mbi bazën e krahëve të punës dhe të “mekanizimit” të kohës me qe. Në rajonin e Korçës dallohen edhe disa ferma të mëdha me 32-38 hektarë, ku punojnë disa bujq së bashku. Numri i familjeve në fshat ishte 139,617 (88% e familjeve gjithsej). Numri i tyre që kishin prona bujqësore ishte 58,589 (nga të cilët 2% në qytet) që përbëjnë 41% të familjeve në zonat rurale. (të tjerët 73,304 familje 104,898 persona) ishin pa prona.

Prodhimi shqiptar ishte pothuajse plotësisht bujqësor. Shkalla e përpunimit ishte shumë e vogël. Disa fabrika primitive të përpunimit të djathit, perime, verë, vaj ulliri dhe krahas këtyre edhe fabrikë mielli, fabrikë cigaresh, tharëse misri dhe fabrika e birrës në Korçë.

Eksportet e bujqësisë shqiptare lidheshin kryesisht me tepricat e prodhimit bujqësor. Eksportet bujqësore zinin 81.3% të eksporteve shqiptare. Prodhimet më të rëndësishme të eksportit ishin: djathë, blegtori, lëkurë, ullinj, fruta dhe produkte bujqësore. Shqipëria e asaj kohe ishte një vend neto eksportues. Tregtia e jashtme raporti eksport:import për prodhimet ushqimore ishte 3.5:1.

Viti më i mirë bujqësor ishte viti 1928. Më tej filluan krizat ndërkombëtare dhe filluan të ulen ndjeshëm të ardhurat nga emigracioni që në kushte normale ishin rreth 7-10 milion Gfrs. Kjo bëri që nga njëra anë të ulet shumë fuqia blerëse e konsumatorëve vendas. Ndërkohë që në këto vite ndryshuan edhe koniunkturat botërore të tregjeve të prodhimeve ushqimore (u ulën shumë çmimet e drithërave).

Shumë më keq gjendja me prodhimet blegtorale. Kërkesa për to në tregjet e brendshme ra shumë, pasi me një fuqi blerëse shumë të ulët ishte përparësi blerja e bukës dhe veçanërisht familjet në zonat malore të zhytur në varfëri filluan të kërkojnë vetë zgjidhje të prodhimit të qumështit, duke blerë nga një dhi. Vështirësitë u shtuan edhe në eksportet e prodhimeve blegtorale (të cilat përbënin 63% të eksporteve).

Kjo erdhi për shumë faktorë: veçanërisht në Itali dhe Greqi filluan të zbatohen politika bujqësore tregtare që pengonin prodhimet shqiptare, veçanërisht edhe në kushtet e mungesës së investimeve në industritë përpunuese të qumështit.

Nga ana tjetër, ra edhe kërkesa në tregun e brendshëm për lesh dhe lëkurë, pasi filluan të vijnë nga jashtë më të lira tekstilet për veshje dhe gomat e përdorura për veshje të këmbës.

Drithërat dhe kullotat ishin degët kryesore të bujqësisë shqiptare. Jashtë këtyre vjen vetëm ulliri dhe agrumet, veçanërisht limonët, që kanë një kuptim, prej të cilave eksportohen sasi të konsiderueshme.

Në strukturën e mbjelljeve dominonte misri (mbi 50% të tokës bujqësore dhe në zona të caktuara edhe 70% të sipërfaqes si në Krujë etj). Gruri zinte 30% të sipërfaqes dhe drithëra të tjerë 10%, pastaj si kultura tradicionale duhan, fasule (si kulturë bashkëshoqëruese) dhe patate. Duhani vlerësohet të jetë mbjellë mbi 2100 hektarë.

Vera dhe vreshtat kishin një zhvillim të kufizuar kryesisht në formën e pjergullave dhe pak në formë vreshta kryesisht në zonën perëndimore. Muhamedanizmi e kishte ulur shumë ndjeshëm shkëlqimin që ka pasur vendi me verërat dhe vreshtat në kohët e mëparshme.

Mbarështimi i blegtorisë zë një pozicion shumë më të rëndësishëm se sa ai bujqësor. Eksportet e këtyre prodhimeve janë 63% e eksporteve shqiptare në total. Mbarështimi në formën e mbajtjes së lirë të blegtorisë e bën atë ekonomike në treg. Po ashtu, edhe mbajtja e blegtorisë në shtëpi, që për fermat është shumë më e sigurt se sa prodhimi bujqësor, i cili është i varur nga ndryshimet e motit. Në kushtet e një baze ushqimore, shumë të varfër, edhe blegtoria, si në rastin e bujqësisë, ka një zhvillim ekstensiv. Kryesisht shfrytëzohen kullotat verore për delet. Në zonat bregdetare me klimë më të butë, me dimër të lagësht dhe verë të thatë mund të ushqehen bagëtia për gjithë vitin. Ushqimi në stallë vjen vetëm në zonat malore, por kryesisht një ushqim i varfër për të garantuar kalimin e tyre në sezonin e pranverës. Detyruar nga kushtet e vështira të mungesës së ushqimeve dimërore, bëhen edhe shtegtime nga kullota dimërore e verore nga malet në zonat e ulëta.

Dominante bagëtitë e imta (mbi 2 milionë në vitin 1934, rreth 200 krerë për 100 banorë) dhe veçanërisht dele 1,3 milionë ose 135 krerë për 100 banorë). Me numrin më të madh Delvinë–Konispol, Elbasan, Vlorë etj. Prodhimi më i rëndësishëm dhe i vlerësuar: Qumësht, mish dhe lesh. Shumë e rëndësishme gjithashtu plehërimi i tokës bujqësore. Mbajtja e dhive në disa zona të caktuara, si shoqëruese edhe të deleve, për ushqim për vete, ndërkohë që prodhimet e qumështit të deleve ishin për tregti. Mungonin kushte për gjedhin, veçanërisht kushtet e sigurimit të një baze ushqimore të qëndrueshme. Tek lopët, raca vendi mesatarisht 200-400 litër qumësht në vit, vetëm në zonën e Shkodrës mund të merrnin deri 1000 litra për lopë.

 

Bujqësia në periudhën e socializmit 1945-1990

E shoqëruar me transformime të mëdha strukturore (tri herë reforma themelore, reforma agrare, kolektivizimi dhe shtetëzimi i plotë i fshatit dhe i pronës private).

Investime të mëdha në bujqësi, për përfitimin e tokave bujqësore nga moçalishtet, shkripëzimi i tokave si dhe hapja e tokave të reja nga livadhet dhe tarracimet e shumta për pemëtore e vreshta.

Investime kapitale shumë të larta në infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes. Ndër vendet e vetme që arriti të sigurojë mbi 60% të tokës bujqësore nën sistemin e ujitjes si dhe të gjithë kullimin e tokave, me një sistem të fuqishëm drenazhimi dhe hodrovoresh.

Bujqësia ishte e orientuar plotësisht në detyra strategjike të ushqimit të popullsisë, veçanërisht sfida e madhe e prodhimit e bukës në vend.

Në këtë periudhë u realizuan investime themelore në sistemin e arsimit profesional bujqësor dhe të Universitetit Bujqësor në Tiranë dhe Institutit të Lartë Bujqësor në Korçë dhe ngritjen e një rrjeti prej 14 instituteve kërkimore e shkencore të bujqësisë.

Investimet në bujqësi zinin rreth 1.3% e investimeve në nivel ekonomie, ndërkohë që bujqësia zinte rreth 25% të ekonomisë kombëtare dhe punësonte rreth 50% të tregut të punës.

Politika shtetërore e kufizimit të lëvizjes së lirë e rriti shumë popullsinë në zonat rurale dhe në fund të vitit 1990 vazhdonte të jetonte mbi 65% e popullsisë në fshat.

U ngrit një sistem shumë i gjerë i grumbullimit të prodhimeve bujqësore si dhe përpunimi i këtyre produkteve sigurohej nga një industri e shumëllojshme, por në nivel të ulët teknologjik.

Shqipëria e viteve 1980 ishte eksportuese e prodhimeve bujqësore, kryesisht në perime, pije alkoolike (kryesisht konjak “Skënderbej” e verë), duhan e cigare si dhe produkte të përpunuara, kryesisht salcë domate etj.

Importet ishin të ulëta, dhe duke qenë se nuk plotësoheshin dot nevojat ushqimore të popullsisë me shumë produkte të nevojës së parë, si sheqer, oriz, kafe, produkte mishi e bulmeti, për shumë vite, veçanërisht në periudhën 1980–1990, u vendos sistemi i racionalizimit “tollonit” për shumë prej këtyre produkteve bazë të ushqimit.

Zonat malore në Shqipëri kryesisht rurale, por edhe urbane të krijuara si rezultat i qendrave të minierave apo qendra të përpunimit të drurit. Shqipëria ka rreth 2/3 e territorit zonë malore. Deri në vitin 1990, ato mbeten shumë të populluara. U investua shumë në arsim, shëndetësi, elektrifikim, bujqësi përfshirë edhe ujitje. Megjithatë mbeti nën zhvillimin e zonave të tjera të vendit. Kooperativat malore ishin më të varfrat e vendit.

 

Bujqësia e pas viteve ‘90 – vijon tranzicioni i vështirë.

Sektori i bujqësisë në Shqipëri vazhdon të këtë rol shumë më të rëndësishëm ekonomik dhe social, krahasuar me vendet e tjera jo vetëm të EU por edhe të rajonit të Europës Juglindore. Sektori i bujqësisë zë 1/5 e GDP dhe në këtë sektor janë të punësuar 50% e të punësuarve gjithsej. Niveli i zhvillimit të bujqësisë dhe oferta që ajo siguron në ushqimin e popullsisë vazhdon të jetë e ulët, në krahasim me shanset që ka dhe me nevojat e tregut të brendshëm për ushqime.

Pas viteve ‘90 pati një kolaps të sektorit, që u shoqërua me një krizë të plotë ushqimore në vend. Nga procesi i transformimit (privatizimit) të bujqësisë pas viteve 1990 në mënyrë graduale filloi të gjallërohet prodhimi i vogël familjar për nevojat e ushqimeve më të rëndësishme të familjes, kryesisht ato blegtorale dhe perime. Si rezultat i vetorientimit për konsum familjar në vitet e para të pasreformës (1993-1996) u shënua një rritje vjetore e bujqësisë në nivel dyshifror (10-12%). Por bëhej fjale për rritje krahasuar me nivele krejt të ulëta prodhimi. Po kështu, në kushtet e kolapsit të plotë ekonomik të vendit, bujqësia zinte deri 60% të GDP-së (deri në vitet 1998). Në këto rrethana u krijua edhe përshtypja që bujqësia përbënte një sektor të zhvilluar ekonomik.

Baza e reformës në sektorin bujqësor ishte privatizimi i tokës bujqësore (në fakt ndarje të tokës bujqësore në mënyrë të barabartë për banorët në fshat) që krijoi një privatizim me bazë sociale dhe pa marrë në konsiderate rezultatet e pronësisë mbi tokën bujqësore para se të ishte bërë kolektivizimi dhe shtetëzimi i tyre. Në këto kushte nuk u krijuan vetëm problemet e copëzimit të fermave dhe parcelizimit të tejskajshëm, por janë krijuar edhe konflikte të ndjeshme pronësore, të cilat nuk janë zgjidhur akoma dhe për pasojë nuk ka filluar të këtë një treg të tokës bujqësore. Edhe sot pas 10 vjetësh, që është bërë privatizimi i tokës bujqësore, ne vazhdojmë të kemi ferma me madhësi mesatare 1,2 hektarë.

Bujqësia dhe veçanërisht pesha e produkteve shqiptare në treg, vazhdon të rritet me ritme shumë më të ulëta se sa pritshmëria dhe krahasuar me burimet  që ka vendi. Shqipëria në vitin 2010 ka nivelin më të ulët të plotësimit të nevojave të popullsisë me prodhime ushqimore, si dhe deficitin më të lartë ushqimor, me një raport të përkeqësuar 1:8 eksport:import. Eksporti i prodhimeve bujqësore e ushqimore prej 700 milionë eurosh (4% e vlerës së prodhimit të përgjithshëm bujqësor) dhe importi zë 80 milionë euro lekë (35% e prodhimit të përgjithshëm bujqësor). Me një raport mjaft deficitar prej 1:8. Me këto shifra të tregtisë së jashtme për prodhimet ushqimore, Shqipëria renditet ndër vendet më të varura nga importi krahasuar me shumë të tjera ndërkohë që është edhe ndër vendet me shpenzim më të lartë të buxhetit familjar për ushqime.

Ka shumë faktorë që e kufizojnë rritjen e prodhimeve bujqësore vendase në tregun e brendshëm dhe analiza e tyre nuk mund të bëhet në kuadrin e këtij artikulli, por me siguri ka mundësi që shteti ta shtojë investimin në bujqësi dhe ta riorientojë shumë më mirë se deri tani në masa që çojnë në rritjen e prodhimit për të ulur importet.

Në strukturën e prodhimit bujqësor të vitit 2010, sipas vjetarit statistikor të MBU), blegtoria zë 52%, bujqësia 31% dhe pemëtaria 17%. Dominojnë në të gjitha fermat e vogla bujqësore.

Në prodhimin bujqësor është ulur ndjeshëm sipërfaqja e tokës bujqësore që mbillet me kultura bujqësore (bimë arash). 404 mijë hektarë nga mbi 600 mijë hektarë që mbilleshin deri në fundin e viteve 1990.

Në strukturën e mbjelljeve të kulturave bujqësore dominojnë drithërat 146 mijë ha, nga të cilat grurë 74 mije ha (afërsisht 50%). 138 mijë ferma mbjellin këtë sipërfaqe. Misër mbjellin 176 mijë fermerë një sipërfaqe prej 54 mijë ha. Në sasinë e prodhimit, peshën më të madhe e zë misri me 362 mijë tonë nga rreth 694 mijë tonë drithëra. Rendimenti llogaritet në 4,3 tonë mesatar për drithërat dhe për misrin mbi 5,3, për grurin 4.

Me perime mbillen 30 mijë hektarë nga rreth 242 mijë ferma. Me perimet, ku llogaritet edhe bostan, prodhimi vlerësohet rreth 860 mijë tonë, një shifër shumë e lartë po të mendohet se ku konsumohet i gjithë ky prodhim? Sipërfaqja e perimeve në sera ka arritur në 828 hektarë, nga të cilat 57 ha me ngrohje që prodhojnë rreth 66 mijë tonë ose 80 tonë/ha. Domate (462 ha) dhe tranguj (172) janë dy prodhimet bazë që kultivohen në sera.

Në grupin e frutave dhe vreshtave, vendin më të rëndësishëm e zë ulliri, me rreth 4,3 milionë rrënjë në prodhim dhe mbi 6,3 milionë rrënjë, gjithsej 70 mijë tonë prodhim vjetor (në vit të mbarë). Si dhe vreshta, me rreth 185 mijë tonë rrush me rreth 9700 ha, si dhe pjergulla. (rreth 16 mijë ferma kanë pemëtari dhe vreshta).

Bimët industriale dhe duhani nuk përbëjnë më një realitet të bujqësisë shqiptare. Ka vetëm 1,2 mijë hektarë duhan, (gjithsej 3,5 mijë ha, duhan, lule dielli, sojë).

Foragjere të njoma janë mbi 200 mijë ha. (të mbjella shumëvjeçare ose në disa raste krejt e degraduar si ushqim për blegtorinë). 91 mijë ha vlerësohet tokë djerrë, ku pjesa më e madhe i përket grupit kryesor të fermave me 1,1–2 ha.

Me prodhimin e sotëm të kulturave bujqësore ka një deficit të ndjeshëm për ushqimin e popullsisë, që sigurohet nga importi. Volumin më të madh tregtar dhe vlerën më të lartë në importe e përbëjnë grupi drithëra ; (grurë, misër, miell dhe ushqim blegtorie) (15,5 miliardë lekë mbi 110 milionë euro). Në peshë, kjo sasi arrin në mbi 470 mijë tonë.

Një vlerë shumë të lartë dhe të pajustifikueshme për vetë drejtimin e zhvillimit të bujqësisë shqiptare dhe avantazhet e shfaqura në këto vite, përbën grupi i importeve të fruta-perimeve dhe industrisë së përpunimit të tyre: (përfshirë lëngje frutash, konserva, reçele, salca etj., e deri tek patate të përpunuara për kuzhinat dhe restorantet). (Janë mbi 75 milionë euro të importuara në vitin 2010). Sasia e fruta-perimeve që importohen vazhdon të jetë rreth 9 herë më e lartë se sa eksportet.

 

Blegtoria

Pothuajse të gjitha fermat kanë blegtori (294 mijë) nga të cilat vetëm 52 mijë me dele dhe 22 mijë me dhi. Gjedhi përbën drejtimin kryesor të prodhimit blegtoral. 493 mijë gjedh (355 mijë lopë); 2,581 mijë të imta nga të cilat 1,800 të leshta (1,340) mijë dele dhe 775 të dhirta (576 mijë) dhi. Në fermat që merren me blegtori, ferma të mëdha quhen ato që kanë më shumë se 6 lopë (3200 ferma). Me dele dhe dhi më shumë se 50 krerë (7950 ferma) me dele dhe (3300 ferma) me dhi. Kafshët e punës nuk luajnë me një rol të rëndësishëm 98 mijë një thundrake. Në statistikat e vitit 2010, bagëtitë janë ulur ndjeshëm krahasuar me vitin 2000 (ndoshta edhe problem statistikash). Prodhimi blegtoral veçanërisht qumështi i lopëve vlerësohet shumë i lartë. 1,070 mijë tonë (vetëm nga lopët 930 mijë tonë). Mish peshë e gjallë 145 mijë tonë prodhim i ulët.

Edhe prodhimet me origjinë blegtorale, përfshirë mishin dhe prodhimet e bulmetit, nuk sigurohen në mënyrë të mjaftueshme nga prodhimi vendas. Vlera e importit arrin 11 miliardë lekë (80 milionë euro) dhe në peshë prej 58 mijë tonësh. Tendenca për këtë grup produktesh shënon rritje të importit dhe çka është më e rëndësishme po rritet edhe importi i kafshëve të gjalla për therje direkte.

 

Industria ushqimore

Industria ushqimore vazhdon të jetë larg nevojave të ushqimit dhe prodhimit vendas: Vlera e prodhimit të përgjithshëm bujqësor (përfshirë agroindustrinë) është 227 miliardë lekë. (Bujqësia 172 miliardë dhe agroindustria 56 miliardë) pra në një raport krejt të keq 1:3,5, i cili dëshmon për një industri ushqimore që nuk është 2156 ndërmarrje me më shumë se 10800 të punësuar (1957 ndërmarrje kanë nga 1-5 të punësuar).

Shumë degë të industrisë ushqimore punojnë vetëm me lëndë të parë të importit (industria e sallamit, miellit, konservave të peshkimit etj.). Në bazë të këtyre të dhënave rezulton që një pjesë shumë e vogël e prodhimit bujqësor përpunohet nga industria dhe pjesa tjetër përpunohet në familje, mbetet për konsum familjar ose tregtohet e papërpunuar.

Disa nga prodhimet që përpunohen në familje janë më të mëdha se ato të industrisë (djathë, gjalpë, verë, raki etj). Produkte të përpunuara në fermë: bukë 75 mijë tonë, djathë 14 600 tonë, gjizë 9 500 tonë, gjalpë 3 800 tonë, verë 84 mijë hl, raki 128 mijë hl. (statistikat e MBU).

Në fakt, shifrat duhen marrë edhe me rezervë, pasi ka edhe shumë biznese informale që funksionojnë në zonat rurale, baxho e vogël, mullinj të fshatit, linja të përpunimit të ullirit ku “fabrikat” kryejnë rolin e shërbimeve dhe fermerët marrin me vete prodhimin e gatshëm dhe e konsumojnë në familje ose e shesin vetë në treg. Pra biznese të argoindustrisë të palidhur me sistemin e matur të prodhimit dhe të tatimeve dhe aq më keq edhe jashtë sistemit të kontrollit.

Në këtë mënyrë, mbështetja për zhvillimin e industrisë ushqimore, duhet parë shumë më kompleks dhe shumë më specifike në krahasim me ndërmarrjet e sektorëve të tjerë. Përgjegjësia e lartë e sigurisë ushqimore për ushqimin e popullsisë, e veçanërisht edhe një siguri ushqimore për tregun e turizmit do ta vendosin rolin e shtetit në prioritetet më të larta të masave mbështetëse. Kjo lidhet në radhë të parë me vendosjen në pozita të barabarta në treg dhe me kontrollin e rreptë të ç do produkti që shitet në treg. Kjo do të nxisë më tej investitorët që të investojnë në këtë industri. Projektet e partneritetit me sektorin privat (PPP) duhet të jenë baza e zhvillimit të mëtejshëm e sektorit të industrisë ushqimore në vend.

Të ardhurat që sigurohen nga emigracioni, për të gjithë periudhën 20-vjeçare kanë rezultuar jetike për vendin tonë. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë, rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e këtyre të mësipërme jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane, duke përftuar respektivisht rreth 66 dhe 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Dërgesat nga emigrantët përbëjnë komponentin më të rëndësishëm në të ardhurat mujore të familjes në zonën rurale, duke përfaqësuar rreth 40 për qind të saj.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.