100 vite jetë të shtetit shqiptar kanë historinë e vet shumëdimensionale të lindjes, rritjes, ndryshimit dhe zhvillimit. Padyshim që zhvillimet ekonomike dhe financiare janë pjesë e pandarë e kësaj historie. Janë shumë vepra, shumë ngjarje, shumë emra që kanë vënë gurët e themeleve të historisë së zhvillimeve ekonomike e financiare në faza e periudha të ndryshme, si ministrat e Financave, Avni Bej Delvina, Abdi Toptani (MF), Ndoc Coba, Kol Thaci, Luigj Gurakuqi, Mufit Libohova, Sulejman Starova, Milto Tutulani, Aqif Dibra dhe gjurmët e lëna nga veprat e Ndoc Cobës, Kol Thacit, Luigj Gurakuqit, Mufit Libohovës, Sulejman Starovës, Milto Tutulanit, Aqif Dibrës, Haxhi Shkozës me Financat e Shqipnise 1839-1934, Teki Selenica me Shqipnia 1927, dhe Shqipnia 1937, Iljaz Fishta dhe Veniamin Toci me Ekonomia e Shqipërisë në vitet e para të ndërtimit socialist, Sabah Hilmia me Aspekte të politikës së çmimeve në RSH”, Financat Publike nga Prof. Dr. Sabah Hilmia, Prof. Dr. Anastas Angjeli e shumë e shumë vepra të tjera..
Formimi i qeverisë së parë
Fitorja politike e 28 Nëntorit 1912, pra krijimi i shtetit të parë shqiptar pas gati pesë shekujsh pushtimi otoman bëri që krerët më të spikatur të politikës dhe kulturës shqiptare, të mbështetur edhe në përvojën e vendeve të civilizuara, të krijojnë strukturat qeverisëse të këtij shteti.
Ismail Qemalit, i cili formoi qeverinë e parë, i duhej që të angazhonte personalitete të shquara kombëtare. Formimi intelektual i tyre duhej që të shkonte përkundrejt dhe formimit të tyre atdhetar. Në këndvështrimin financiar, qeverisë së Ismail Qemalit i duhej të hidhte poshtë: Sistemin e kapitulacioneve, duke vendosur me këtë rast sovranitetin e plotë juridik dhe fiskal. Në këtë periudhë spikat:
– përpjekja fillestare për krijimin e doganave (pjesërisht – në disa zona të vendit (Vlorë, Durrës) dhe fillimin e përdorimit të taksave doganore.
– përpjekja për ngritjen e Bankës Kombëtare. (Ismail Qemali e konsideronte aktin e krijimit të Bankës Kombëtare si fitoren e dytë pas shpalljes së pavarësisë kombëtare). Sipas studiuesit Haxhi Shkoza, në atë kohë inspektor i përgjithshëm i Oborrit Mbretëror, veprimtaria e bankës nisi menjëherë në fillimin e tetorit 1913, ndërsa qeveria shqiptare do t’i bënte thirrje shtresave të pasura që mjetet e lira t’i depozitonin në bankë. Marrëveshja e tetorit 1913, dinjitoze për kohën, tregoi jo vetëm orientimin politik properëndimor të qeverisë së Ismail Qemalit, por njëkohësisht edhe vizionin shtetformues të saj. Hapa të njëpasnjëshëm në zhvillimin e financave u hodhën nga qeverisjet deri në vitet 1920-1921 dhe më pas kemi një përshpejtim të tyre.
Disa karakteristika të përgjithshme mbi financat e shtetit në Shqipëri (në periudhën 1925-1939)
Para kësaj periudhe, në Shqipëri ekzistonte rendi shoqëror feudo-borgjez, ku ruheshin ende mbeturinat e rendit feudal-ushtarak otoman, çifligjet, dhënia e tokës me qira me sistemin e së tretës apo të gjysmës, puna angari dhe fajdeja me norma interesi të larta (me kamatë). E vetmja vepër e plotë që hedh dritë mbi historinë gati 100-vjeçare të financave shqiptare për këtë periudhë është libri “Financat e Shqipnisë, Haxhi Shkoza, 1839-1934”. Dhe po t’i shtojmë kësaj historie atë që ndodhi me ekonominë dhe financat tona pas okupimit italian dhe ndërhyrjen e shtetit italian (në ekonominë dhe financat e vendit), krijohet një ikonë më e qartë dhe kuptohet më mirë edhe karakteri dhe përmbajtja e financave publike feudo-borgjeze (në vendin tonë). Duhet thënë se ishin dekretligje dhe vendime të marra nga Këshilli i Ministrave, që kanë bërë të mundur këto masa, që kryesisht u realizuan në vitet ‘20. Për t’u përmendur janë hedhja e disa hapave të para në disa fusha, të tilla si: u pakësuan dhe u anuluan taksat e eksportimit me qëllim: “mbrojtjen e prodhimit vendas e ngandonjëherë dhe me qëllim fiskal”. Dolën ligje dhe urdhëresa për ndalimin e eksportit të arit, argjendit, tunxhit dhe drithit. Po ashtu u nxorën ligjet e para për rregullimin e të ardhurave të shtetit, doli ligji i parë doganor shqiptar në vitin 1922; krijimi i tarifës së parë doganore shqiptare në vitin 1923; nxjerrja e ligjeve të para për rregullimin e të ardhurave të shtetit. Një veprim, që ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë kohë, ishte krijimi në vitin 1925 i monedhës shqiptare (franga ar e Shqipërisë). Ngjarjet që rrodhën në këtë kohë, si shpërthimi i luftërave ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore, e shndërruan Shqipërinë në një shesh lufte.
Në këto rrethana, Banka Kombëtare e Shqipërisë pa kaluar shumë kohë, do të mbyllte veprimtarinë e saj. Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921 u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, gjë që u bë realitet në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga Mufid Libohova në emër të qeverisë shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipërisë do të ishte në Durrës, ndërsa komiteti administrativ do ta kishte qendrën e tij në Romë. Kjo bankë u themelua më 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare.
Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli dhe nga viti 1938 u gjend në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit. Në fjalimin e përurimit të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Tiranë, në vitin 1938, drejtori i asokohe, Antonio Moscheti, do të shprehej: “Ndërtesa e re, vepër e ndritur e arkitektit, prof. Morpurgo dhe e bashkëpunëtorëve të tij, në vijat e saj të matura e hijerënda, aq sa edhe artistikisht elegante, dëshiron me qenë pikërisht shprehja dhe sinteza e atij organizmi të fortë e të sigurt, siç është Banka Kombëtare e Shqipërisë”. Konventa ekonomiko-doganore e prillit 1939, që përkon me periudhën e luftës në Shqipëri, i dha mundësi Bankës Kombëtare të Shqipërisë të bëjë ndryshime thelbësore në politikën e saj monetare. Karakteristikë dalluese e kësaj periudhe ishte kalimi nga politika deflacioniste në atë inflacioniste në lëmin e monedhës. Ajo ishte aktive në fushën e kreditit ku, në konkurrencë me Bankën e Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar.
Këto karakteristika dalin në pah më mirë po të analizojmë shkurtimisht përbërjen e të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit dhe evoluimin historik të tyre.
Të ardhurat e buxhetit:
1. Të hyrat nga “pasuria e shtetit”: Në përbërjen e këtij kapitulli përfshiheshin: të ardhurat nga pasuria e shtetit për tokat, livadhet, pyjet, ujërat e peshkimit, si dhe pasuritë e nëntokës etj.
Kurse një pjesë e pasurisë, sidomos asaj nëntokësore (pasuria minerare) u ishte dhënë në koncesion nga Zogu, shoqërive të huaja, kryesisht atyre italiane, duke i çelur rrugën depërtimit të kapitalit italian në ekonominë e vendit.
Të hyrat nga ky kapitull për periudhën 1929-1939, përfaqësonin 7.8 për qind të të ardhurave gjithsej të buxhetit.
2. Tatimet e drejtpërdrejta përfaqësonin një nga metodat kryesore që zbatonte shteti, ku vendin kryesor e zinin:
a) e dhjeta për prodhimet nga toka b) xhelepi (tatimi mbi bagëtinë). c) tatimi mbi të ardhurat nga fitimet e tregtarëve, fabrikantëve, zejtarëve e profesionistëve si dhe d) tatimi mbi ndërtesat (vergjia) etj.
3. Tatimet e tërthorta: Në këtë kapitull përfshiheshin të ardhurat nga tatimet mbi konsumin (të sheqerit, kafesë etj.), mbi fabrikimin (prodhimin) e miellit, mbi qarkullimin, monopolet fiskale, si dhe tagrat doganore mbi import-eksportin e mallrave, që mesatarisht zinin 37.5 për qind të të ardhurave gjithsej të buxhetit për periudhën 1925-1939.
4. Sistemi i taksave: Përveç tatimeve të shumëllojshme (të drejtpërdrejta e të tërthorta, proporcionale apo progresive) në vendin tonë është zbatuar një sistem i gjerë taksash me karakter kombëtar dhe sidomos lokal për disa shërbime publike “speciale” që shteti u ofronte shtetasve. Të tilla ishin p.sh. taksa e pullës, portit, e peshës dhe e matjes, e pastrimit, mjeteve të transportit etj. Këto shërbenin si një burim ndihme të ardhurash për mbulimin e shpenzimeve publike, sidomos atyre me karakter lokal.
5. Huatë e jashtme (borxhi): Për të mbuluar vëllimin e shpenzimeve publike që nuk mbuloheshin dot me të hyrat e zakonshme (tatimet e taksat), për të mbuluar pra deficitin buxhetor, shteti mund të marrë (të emetojë) edhe hua, si brenda vendit, ashtu edhe nga jashtë, që përbëjnë të hyra jo të zakonshme. Pikërisht për këto arsye, regjimi i A. Zogut nënshkroi disa hua të jashtme si: huaja SVEA, viti 1925, shuma 70 milionë fr.ar, afati 7 vjet e gjysmë, norma e interesit 7.5% në vit; huaja e vitit 1931, për një shumë 10 milionë fr.ar, si dhe në vitin 1936 mori një hua nga kapitali italian prej 100 milionë fr.ar me afat 10 vjet.
Kjo ishte dhe një nga rrugët që sollën varësinë dhe nënshtrimin ekonomik e financiar të vendit tonë nga kapitali italian, nga imperializmi italian, që me kohë përgatiti edhe okupacionin e prillit 1939.
Shpenzimet publike:
Rreth 55% e shpenzimeve të buxhetit i përkisnin pra Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Për mbajtjen e administratës shtetërore shpenzoheshin 21% të shpenzimeve gjithsej të buxhetit, ndërsa, për arsimin e shëndetësinë jo më shumë se 10-12% (si mesatare vjetore e viteve 1925-1939). Ndërkaq, për “ekonominë” ku përfshiheshin “punimet botore” destinoheshin 8-10% e shpenzimeve gjithsej të buxhetit, kurse për mbajtjen e pallatit mbretëror harxhoheshin 3.7%.
Kjo përbërje dhe strukturë e buxhetit dëshmon për politikën financiare-buxhetore me karakter joprodhues, që ishte edhe një nga shkaqet kryesore të prapambetjes së ekonomisë së vendit dhe të varfërimit të popullsisë, gjatë viteve 1925-1939.
Drejtimi i Zogut
Në vitin 1925, u krijua monedha e parë shqiptare (franga ar shqiptare). Futja e kapitalit të huaj u bë politika zyrtare e qeverive të Mbretit Zog. Me këtë, Zogu, në planin e brendshëm synonte të forconte pushtetin personal, të pasuronte përkrahësit e vet; por dhënien e koncesioneve e kapitalit të huaj e përdori edhe si mjet për sigurimin e të ardhurave për regjimin, në formën e huave e të rentës, me të cilat Zogu llogariste të dilte nga kriza e rëndë financiare. Gjatë viteve 1931-1936, kapitali i huaj, sidomos ai italian, iu diktuan qeverive shqiptare përfundimin e një marrëveshjeje për Bashkimin Doganor. Ky bashkim, në atë kohë, do të përfshinte ekonominë shqiptare në sistemin e ekonomisë italiane dhe hapjen pa kufizim të kapitalit italian. Bashkimi Doganor do të godiste në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e borgjezisë shqiptare të sapokrijuar. Por, edhe buxheti i shtetit, do të privohej nga një burim i rëndësishëm të ardhurash, siç ishin të ardhurat nga doganat. Në të njëjtën kohë do të rritej varësia e financave shqiptare nga financat italiane. Zogu formalisht e pranoi këtë marrëveshje, por pastaj e refuzoi.
Marrëveshja mbi Bankën dhe huanë SVEA e 15 marsit 1925 shënoi fillimin e periudhës së parë të ndërhyrjes së kapitalit të huaj. Ndërsa, marrëveshja e 26 qershorit të vitit 1931 për huanë 100 milionë franga ari, shënoi fillimin e periudhës së dytë të ndërhyrjes së tij në Shqipëri. Kjo ishte koha kur Italia e ka kapur shumë mirë momentin.
Karakteristika të financave gjatë periudhës së pushtimit nazifashist (1939-1944)
Me pushtimin më 7 prill 1939, vendi ynë u shndërrua përfundimisht në një koloni të Italisë. Shqipëria u bë tanimë një bazë e sigurt për furnizimin me lëndë të para dhe treg i “brendshëm” për mallrat dhe kapitalet italiane. Këtë gjendje e sanksionuan dispozitat e konvencionit ekonomiko-doganor e valutor, në të cilat theksohej së “mallrat italiane të dërguara në Shqipëri dhe mallrat shqiptare të dërguara në Itali do të konsiderohen si mallra kombëtare të dërguara nga një port i shtetit në tjetrin”.
Karakteristikë është se Italia i imponoi vendit tonë zbatimin e metodës së financimit të shpenzimeve buxhetore me emetim abuziv të kartëmonedhës, inflacionit si dhe të tatimeve.
Në tetor 1940, monedha në qarkullim u rrit nga rreth 12 milionë fr. ar në 55.9 milionë fr. shq., kurse në maj 1941 në 154. milionë fr. shq. dhe në gusht-shtator 1943, në rreth 200 milionë fr. shq.
U rritën gjithashtu edhe tatimet. Fillimisht u rritën tatimet e tërthorta mbi konsumin e disa mallrave kryesore, pasi në rrethanat e krijuara, kërkesa për këto mallra ishte e tillë që lejonte bartjen (rivendosjen) e tatimit me lehtësi, mbi masat punonjëse të qytetit e fshatit. Krahas tatimeve mbi konsumin u rritën edhe monopolet fiskale për kripën, vajgurin, për ndriçim dhe karburantet. Dhe pak më vonë filluan të rriten edhe tatimet e drejtpërdrejta:
E dhjeta dhe tatimi mbi fitimet
Pas pushtimit të vendit nga Gjermania naziste me urdhër të qeverisë kuislinge, ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë huajti komandën gjermane për 99 milionë fr. shq. Përveç këtyre shumave, vetë qeveria kuislinge e Tiranës, nga shtatori 1943 deri në nëntor 1944, mori nga kjo bankë 54.7 milionë fr. shq. hua për të financuar shpenzimet ushtarake represive.
Edhe gjatë pushtimit nazist, emisioni i kartëmonedhës – inflacioni -vazhdonte të përbënte burimin më me rëndësi të financimit të shpenzimeve, sikurse dëshmohet edhe nga shifrat që vijojnë mbi qarkullimin monetar dhe treguesi i çmimeve.
Më 31 dhjetor 1943, sasa e kartëmonedhave në qarkullim arriti shumën 311.7 milionë fr.sh. dhe në nëntor 1944 ajo arriti shumën 380 milionë fr. shq.
Karakteristikat kryesore të financave të Shqipërisë në periudhën 1945-1990
Kjo periudhë e njohur si periudha gjatë së cilës Shqipëria zhvilloi një ekonomi të “tipit socialist”, të centralizuar tërësisht, dështimi i së cilës tashmë është i njohur, u reflektua edhe në financat e shtetit.
Në vitet 1945-1990, në shoqërinë socialiste, në ndryshim nga financat në kapitalizëm, financat shqiptare u mbështetën në planifikimin dhe centralizimin, që siguroheshin vetëm në kushtet e mënyrës socialiste të prodhimit, pra, në kushtet ekzistencës së pronës shoqërore socialiste mbi mjetet e prodhimit dhe të shtetit të diktaturës së proletariatit. Financat dhe llogaria vlerësoheshin si leva të rëndësishme të drejtimit të ekonomisë. Shpërndarja e burimeve monetare bëhej në mënyrë të centralizuar dhe sipas një politike unike për të gjithë vendin, gjë, që siguronte formimin e fondit të centralizuar të burimeve monetare në duart e shtetit socialist. Për nga evoluimi dhe thellimi i centralizimit në fushën e financave dhe ndryshimet në strukturën e të ardhurave dhe shpenzimeve, kjo periudhë mund të ndahet në dy faza:
Periudha 1945-1969.
Në dy vitet e para, 1945-1947, përgjithësisht vazhdoi të mbetej ai klasifikim të ardhurash si në periudhën e mëparshme dhe të nxirrej po ai sistem tatimesh e taksash. Tipari karakteristik i kësaj periudhe është aplikimi i tatimeve të jashtëzakonshme si formë e tatimit progresiv dhe instrumente të kufizimit të pronës private.
Në vitin 1948 e më pas, refleks i fillimit të organizimit e funksionimit të ndërmarrjeve shtetërore në “Hozrashot”, ndryshoi dhe struktura e të ardhurave buxhetore, duke u përshtatur gjithnjë e më shumë fizionomia e të ardhurave me ekonominë shumëformëshe që ekzistonte. Në këto kushte, format kryesore të sigurimit të të ardhurave ishin “Tatimi mbi xhiro” dhe “Teprica e fitimit”, të cilat duke përfshirë dhe të ardhurën neto të centralizuar të shtetit nga kooperativat bujqësore, (në vitin 1981-1985 ANCSH zinte 45% të totalit të të ardhurave, kurse në vitet 1986-1990 zinte 52%) tepricën e së ardhurës neto të ndërmarrjes, fondin e amortizimit për investime, sigurimet shoqërore e të ardhura të tjera, formonin atë strukturë të të ardhurave, sidomos pas vitit 1969.
Periudha 1969-1990
Kjo fazë bëri që Shqipëria të bëhet “i vetmi vend pa tatime e taksa”, pra të zhduknin çdo gjurmë të tatimit. Gjithashtu, pas vitit 1978 (sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën), u vërejt një thellim dhe centralizim i tejskajshëm edhe në lëmin e financave, aq sa, pothuajse i gjithë fitimi i ndërmarrjeve derdhej në buxhetin e shtetit. Gjithashtu edhe fondi i amortizimit për investime e meremetime të mëdha që nuk përdorej brenda vitit nga ndërmarrjet derdhej në buxhetin e shtetit.
Ky centralizim i mjeteve financiare në duart e shtetit çoi në asfiksimin e ndërmarrjeve shtetërore, çka përbënte edhe një nga shkaqet e futjes në krizë të ekonomisë shqiptare. Prej kësaj krize vendin nuk mund ta shpëtonte as përpjekja e bërë në vitin 1990 për futjen e “mekanizmit të ri ekonomik”, i cili në fushën e të ardhurave u reflektua duke vendosur një tatim fitimi me tarifë 10% dhe përgjithësisht fondi i amortizimit t’u lihej ndërmarrjeve.
Në fushën e shpenzimeve, me gjithë ndryshimet në strukturë, në këtë periudhë janë vërejtur këto grupe shpenzimesh: 1) shpenzime për ekonominë, 2) shpenzime për masa social-kulturore 3) shpenzime për mbrojtjen 4) shpenzime administrative etj.
Në Shqipëri, në vitet e monizmit, u ngrit dhe veproi një sistem unik dhe i plotë i organeve financiare, që përbëhej nga dy hallka kryesore:
a. Organet financiare të përgjithshme, ku përfshiheshin seksionet e financave, seksionet e kontroll-revizionit, Banka e Shtetit, Banka Bujqësore dhe Instituti i Arkave të Kursimeve dhe Sigurimeve.
b. Organet financiare të ndërmarrjeve, të kooperativave dhe të degëve të ekonomisë si: Degët e financës dhe të kontabilitetit në ndërmarrjet ekonomike, në kooperativat bujqësore, drejtoritë e financës dhe të kontroll-revizionit në ministritë dhe institucionet e tjera qendrore.
Banka e Shtetit, në funksion të ekonomisë së centralizuar
Me çlirimin e Shqipërisë, më 29 Nëntor 1944, filloi procesi i shtetëzimit. Më 13 janar 1945 u miratua ligji mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Po në këtë datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar. Kjo bankë u krijua si një institucion i rëndësishëm i sistemit financiar të shtetit shqiptar. Pak kohë më vonë u morën masa të tjera për përqendrimin e bankave në duar të shtetit. Kështu, në gusht të vitit 1945, u suprimua Banka Kombëtare e Punës, ndërsa në nëntor të vitit 1945 u suprimua Banka e Napolit në Shqipëri. Gjatë vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar nisi të zhvillojë veprimtarinë e saj në lëmin e emetimit të monedhës dhe të kreditit. Banka e Shtetit Shqiptar trashëgoi edhe aksionet që kishte Banka Kombëtare e Shqipërisë, pranë Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Bazel. Por, disa vite më vonë, më 20 maj 1977, Drejtoria e Përgjithshme e Bankës së Shtetit Shqiptar i dërgon një telegram Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare, ku kërkohet shitja e këtyre aksioneve dhe në këtë mënyrë vendoset largimi nga BIS Bazel-i. Karakteristikë për këtë periudhë ka qenë centralizimi i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit. Banka e Shtetit Shqiptar, si Bankë Qendrore, ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi afatshkurtër dhe afatgjatë, kryente shërbimin e arkës unike, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, ruante fondet në valutë të shtetit, kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera dhe me bankat e huaja.
Në korrik l990, në Parlamentin Shqiptar u miratuan Dekretet nr. 7406 dhe 7407 përkatësisht për “Mbi mbrojtjen e investimeve të huaja në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe “Mbi aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë” (një tentativë e parë kjo për hapjen ekonomike të Shqipërisë).
Pas viteve ‘90 – Tranzicioni
Rezultatet e para të periudhës pas komuniste dhe fillimi i programit të reformave
Sfida e madhe e tranzicionit ishte kalimi nga faza e një ekonomie tërësisht të paralizuar dhe të bazuar në ndihmat ushqimore dhe emergjente, te programimi dhe zbatimi i reformave konkrete dhe komplekse, te politikat e zhvillimit që do të transformonin rrënjësisht marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore mes njerëzve, mentalitetin e tyre, institucionet, legjislacionin dhe modelin qeverisës, për të bërë të mundur hapjen ndaj botës, zhvillimin e rritjen ekonomike të qëndrueshme e të ekuilibruar të ekonomisë si dhe reduktimin e varfërisë në bazë të një strategjie kombëtare. Padyshim që transformimet dhe reformat në fushën financiare përbënin një moment të rëndësishëm.
Transformimi i sistemit financiar, që nisi në korrik të vitit 1991, përbëhej në atë kohë nga dy lloj reformash: Reforma fiskale dhe reforma administrative. Këto reforma ishin një proces intensiv për krijimin që nga themelet të një sistemi të ri financiar, i cili duhej realizuar me një shpejtësi të imponuar nga vetë liberalizimi i menjëhershëm i tregtisë së jashtme dhe fillimi i aplikimit të detyrimeve fiskale mbi veprimtaritë ekonomiko-financiare të subjekteve private e publike. U hartua dhe u aprovua një legjislacion voluminoz i ri për tatimet, doganat, bankat etj.
Reformimi administrativ i sistemit financiar përbën një riformim të strukturave të ndryshme të sistemit në përputhje me funksionet e reja, që shtroheshin para tij. Nga ana tjetër, ishte e nevojshme të kryhej shpejt rinovimi i personelit, rekrutimi mbi nivele profesionale, trajnimi dhe kualifikimi i punonjësve. Roli i përfaqësuesve të FMN-së dhe Bankës Botërore, ishte i rëndësishëm për frymën e bashkëpunimit në formën e asistencës për financat shqiptare etj.
Me rëndësi është për t’u vënë në dukje edhe ristrukturimi i Bankës së Shtetit, lejimi i bankave të huaja, prerja e kartëmonedhave të reja, Pas vitit 1990, transformimi i madh politik drejt demokracisë solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të këtij transformimi ishin ndarja e funksioneve të Bankës Qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankave tregtare), rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare, si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun bankar.
Efektet e para të reformave ekonomike
Shqipëria u cilësua si një vend i guximshëm dhe mjaft i “zellshëm” në ndërmarrjen e reformave radikale gjatë viteve të dhjetëvjeçarit të parë të tranzicionit, ndërkohë që shumë vende të tjera ish-komuniste, për një varg faktorësh, u treguan disi më konservatorë kundrejt zbatimit të shpejtë të reformave. Për rrjedhojë të këtyre reformave, Shqipëria pati arritje të ndjeshme në disa tregues të rëndësishëm, deri nga vitet 1995-1996. Por ndryshe nga këto vende, Shqipëria, pesëvjeçarin e parë të tranzicionit e mbylli me krizën e vitit 1997, që i tronditi rëndë jo vetëm të gjitha këto arritje ekonomike, por edhe ato politike, demokratike, institucionale, sociale etj.
Politika dhe ecuria makroekonomike gjatë tranzicionit
Në Shqipëri u zbatua programi i stabilizimit, i mbështetur në paketën standarde që konsiston në liberalizimin e çmimeve, në politikën fiskale që synonte uljen e deficitit buxhetor, në politikën shtrënguese monetare nëpërmjet kontrollit të ofertës monetare dhe në liberalizimin e tregtisë së jashtme duke siguruar konvertibilitetin e brendshëm të monedhës kombëtare, lekut. Paralelisht me paketën stabilizuese u ndërmorën reforma strukturore: në privatizimet, rrjetin e mbrojtjes sociale, reformimin e sistemit të tatimeve dhe taksave, të sistemit bankar me dy nivele dhe me krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin e një ekonomie tregu. Zbatimi i kësaj pakete, në lidhje të ngushtë me mbështetjen e faktorit të jashtëm, veçanërisht të FMN-së dhe BB-së, u kushtëzua edhe nga kushtet konkrete të vendit tonë, së pari ato të nisjes, si dhe nga faktorë të tjerë politikë, të strategjisë së tranzicionit etj.
Si rezultat i masave që u morën për stabilizimin makroekonomik dhe reformave strukturore, Shqipëria, në periudhën ‘93-‘95-‘96 arriti të sigurojë ecuri të qëndrueshme të treguesve makroekonomikë, me një rritje mesatare vjetore ekonomike prej rreth 9% në vit dhe me 7.7% në periudhën 1998-2000, të shoqëruar me një ulje të inflacionit nga 236% që ishte në vitin 92, në 4.2% në vitin 2000.
Analiza më e gjerë dhe më e saktë e ecurisë makroekonomike në Shqipëri mund të bëhet duke e ndarë tranzicionin në tri periudha kryesore:
Periudha e parë (vitet 1991-1993 deri në 1995-1996).
Fillimi i periudhës së tranzicionit u karakterizua nga një rënie e madhe e PBB-së, thellimi i deficitit buxhetor dhe inflacioni i lartë, përkeqësimi i llogarisë korente dhe tensione të larta sociale, që u shoqëruan edhe me shkatërrime të kapaciteteve prodhuese.
Viti 1991 dhe muajt e parë të vitit 1992 mbajnë vulën e nisjes së reformave që lidhen me liberalizimin e tregtisë dhe të sistemit të këmbimit (liberalizuan eksport-importet duke hequr gradualisht monopolin mbi tregtinë e jashtme dhe tregtia filloi të bëhet me monedha të konvertueshme).
Në mesin e viteve ‘92 e më pas, filluan të ndërmerren reformat e para stabilizuese dhe strukturore, që kishin të bënin me liberalizimin e çmimeve, privatizimin e dyqaneve të vogla dhe shërbimet tregtare me privatizimin e banesave, me shpërndarjen e tokës bujqësore duke ia dhënë në pronësi popullsisë që banonte në fshat, me uljen e deficitit buxhetor, me heqjen e subvencioneve, heqjen e monopolit shtetëror mbi tregtinë e jashtme dhe me masat për konvertibilitetin e brendshëm të monedhës kombëtare që çuan në një inflacion të lartë të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, të vetë monedhës, duke reduktuar ndjeshëm kursimet e popullsisë, të vendosura sidomos në Bankën e Kursimit.
Pas vitit 1993, zbatimi i këtyre masave, në periudhën deri në gjashtëmujorin e parë 1996, sollën rritje të ndjeshme ekonomike prej rreth 9% mesatarisht në vit, rënie të inflacionit në një nivel mesatar prej 17,5% dhe përmirësim të ndjeshëm të deficitit të llogarisë korente dhe deficitit buxhetor. Kjo ecuri e mirë ishte pasojë e politikave të shtrënguara monetare dhe fiskale, të cilat kompensuan presionin inflacionist të liberalizimit të çmimeve dhe të privatizimit të tokës në bujqësi, duke jua ndarë atë fshatarëve, e politikave të ndjekura për tregtinë me shumicë dhe pakicë, për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, si dhe për përmirësimin e disiplinës financiare e buxhetore dhe atë të ndërmarrjeve shtetërore, veprimtaria e të cilave gjallëroi në atë periudhë rritjen ekonomike.
Momentet më kryesore të arritjeve të shënuara gjatë kësaj periudhe në kryerjen e reformave, mund të konsiderohen:
-Heqja e monopolit të tregtisë së jashtme në vitin l991 (liberalizimi i tregtisë dhe i sistemit të këmbimit).
-Në vitin l994 u hoqën subvencionet dhe kontrolli mbi shumicën e çmimeve të produkteve (për bukën kjo u bë në vitin l996).
-U miratua një ligj liberal për investimet e huaja dhe që nga korriku i vitit l996, sipërmarrësit e huaj ishin të lirë të blinin tokë.
-Privatizimi i banesave, krijimi i tregut imobilar, liberalizimi i pagave në sektorin privat të sapokrijuar, lejimi i këmbimit valutor.
-Por ndërkohë u lejuan, u nxitën dhe lulëzuan institucione financiare (skema piramidale) të palicencuara.
-Privatizimi, miratimi i ligjit nr. 7512, datë 10.08.l991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë dhe veprimtarive private të pavarura”.
-Transferimi i pronës së dyqaneve të vogla dhe njësive të shërbimit tek punonjësit e tyre në mars l991, privatizimi i tokës në vitet 1991-1993 dhe privatizimi i banesave në vitin l993.
-Privatizimi i mëtejshëm në këtë periudhë nuk ka qenë aq i lehtë, për shkak të mungesës së blerësve me reputacion vendas, shitjet nëpërmjet tenderëve demonstruan prirje favorizimi (komisionet e privatizimit u politizuan në mënyrë të tejskajshme) dhe letrat me vlerë të shpërndara filluan të zhvleftësohen me shpejtësi.
Stabilizimi
• Zhvlerësimi drastik i lekut në qershor l992, transaksionet kapitale teknikisht ishin objekt i kontrollit të këmbimeve, në praktikë u hoq dorë nga kontrolli i këmbimeve valutore. Tregtimi i monedhave bëhej hapur në rrugë, pranë ndërtesës së Bankës së Shqipërisë).
• Një sistem i ri sigurimesh në vitin l992 dhe një mekanizëm i përfitimit për papunësi, asistencë sociale për mbrojtjen e familjeve në nevojë, trajtimin e popullsisë qytetare dhe fshatare. Por kontributet e sigurimeve shoqërore ishin larg pagesave të nevojshme për të siguruar të paktën minimumin jetik të pensionistëve.
Zhvillimi institucional
• “Makineria” institucionale sociale shqiptare ishte e papërgatitur për transformimet.
• Shqipëria nuk realizonte drejt rregullat e një shoqërie të hapur e të qeverisur nga ligji, duke ndjekur rregullat e politikës demokratike.
• Qeverisja e vendit në periudhën 1993-1996 shkoi mjaft më larg se vendet e tjera ish-komuniste, në përdorimin e pushtetit dhe të forcës për të dobësuar opozitën kryesore politike (arrestimi dhe dënimi për motive politike i kryetarit të opozitës së atëhershme zotit Fatos Nano dhe shumë veprime të tjera të dhunshme kundër opozitës).
Pasojat
• Emigrimi masiv në Greqi dhe Itali dhe vende të tjera perëndimore, çka zbuti papunësinë dhe siguroi fluks financiar të konsiderueshëm për konsum dhe investime në vend dhe shërbeu si një valvul sigurimi social dhe burim i konsiderueshëm financiar, njohurish dhe eksperiencash perëndimore.
• Megjithëse të paregjistruara por të pranuara nga të gjithë, u rritën mjaft të ardhurat nga “fusha pjellore” të ekonomisë informale, kontrabandës tranzituese ilegale tregtare, lëvizja e naftës, armëve, drogës dhe trafikut të njerëzve etj.
• Tregu i gjerë i parregulluar financiar, interesa jashtëzakonisht të larta që paguheshin dhe tentativa e disa bankave të huaja private për të hapur agjencitë e tyre në vendin tonë pa rezultat.
Kolapsi i firmave piramidale
• Pavarësisht nga sa më lart, që nga gjashtëmujori i dytë i vitit 1996, politikat makroekonomike filluan të kenë përkeqësim kryesisht si pasojë e tatëpjetës së firmave që vepronin në skemat piramidale, që çuan në krizën e rëndë politike, ekonomike e shoqërore të vitit 1997. Për rrjedhojë: Vendosja e gjendjes së anarkisë dhe ndërprerja e mjaft transaksioneve të tregtisë së jashtme, mbetja pa punë e shumë njerëzve, pakësimi i të ardhurave buxhetore tronditën stabilitetin makroekonomik, duke e çuar vendin në një kolaps të plotë. Pati dëm real, që erdhi jo vetëm nga kolapsi financiar por edhe nga reagimi popullor ndaj tij. U shkatërruan mjaft prona dhe kapacitete prodhuese të shtetit dhe firmave “piramidale”.
Në mënyrë masive dhe të menjëhershme, popullsia u rikthye në gjendjen e varfërisë së skajshme, duke humbur tërësisht çdo kursim të mëparshëm.
Periudha e dytë 1997-1998
1. Institucionet shtetërore pushuan së funksionuari ndërsa aktiviteti ekonomik u paralizua. Trazirat reduktuan ofertën, veçanërisht në sektorët e industrisë dhe të ndërtimit, ndërsa humbja e kursimeve në skemat piramidale zvogëloi kërkesën. Si pasojë e uljes së ndjeshme të dërgesave të emigrantëve, mosekzistencës virtuale të ndihmës së huaj dhe ngadalësimit të shkëmbimeve tregtare me vendet partnere, nënçmimi i lekut, gjatë gjysmës së parë të vitit 1997 i tejkaloi 40%, duke reflektuar nënçmim masiv të tij, fenomenet “shock” që sollën reduktimin e ofertës dhe rritjen e shpejtë të deficitit fiskal, që erdhi si rrjedhojë e zvogëlimit të ndjeshëm të të ardhurave, duke bërë që borxhi publik të kapte nivele të larta dhe duke ngarkuar buxhetin e viteve të ardhshme me shpenzime të larta për shërbimin e borxhit që diktoheshin nga normat e larta vjetore të interesit të Bonove të Thesarit, që arritën nivelin rreth 35%.
Përpjekjet për ta vendosur Shqipërinë në një rrugë të qëndrueshme përmirësimi dhe reformash, edhe me mbështetjen e FMN-së, dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, kishin si synim rivendosjen e stabilitetit makroekonomik, rindërtimin dhe forcimin e aftësive institucionale dhe administrative dhe rifillimin e reformave strukturore.
Qeveria e koalicionit “Aleanca për Shtetin”, që erdhi në pushtet pas shembjes së sistemit piramidal dhe trazirave të marsit 1997, në përshtatje me gjendjen dhe kushtet politike, sociale dhe ekonomike të krijuara, e bazoi veprimtarinë e vet mbi një program masash urgjente:
Rivendosja e stabilitetit makroekonomik financiar, i tronditur rëndë nga ngjarjet e vitit 1997.
Pas rivendosjes së stabilitetit makroekonomik (qershor 1997 dhe vitit 1998) rritja ekonomike e Shqipërisë, në vitet 1999-2001 në terma realë ka qenë relativisht e kënaqshme, në nivelin mbi 7%, falë ringritjes së shpejtë të veprimtarisë në sektorin e investimeve, transportit, shërbimeve, normalizimit të sektorit të bujqësisë, bazuar në programet dhe politikat e zhvillimit të përpunuara nga qeveria, në principet e ekonomisë së tregut e të konkurrencës, shpenzimeve kapitale, veçanërisht në veprat e infrastrukturës rrugore, energji etj.
Në fillim të vitit 2000, Banka e Shqipërisë adoptoi një politikë të lehtësimit gradual të politikës monetare, në përgjigje të normave të ulëta të inflacionit vjetor, që në fund të këtij viti ishte 4.2%. Për rrjedhojë, pësuan ulje të ndjeshme edhe normat e interesit për bonot e thesarit me afat tremujor, nga 32.4% që ishin në vitin 1997 në 10.7% në vitin 2000, për të arritur në 7.7% për vitin 2001, kurse aktualisht norma bazë e interesit sipas BSH-së është 6%, që kushtëzohet edhe nga faktorë të tillë si:
-Reduktimi i huamarrjes nga qeveria. Pjesëmarrja më e madhe e bankave private, investitorëve jobankarë dhe individëve në ankandet e bonove të thesarit.
Periudha e tretë pas 1998-2005
Është periudha e ristabilizimit të plotë makroekonomik dhe e progresit të reformave strukturore, që lidheshin me vazhdimin dhe thellimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve strategjike, të vogla dhe të mesme si dhe u hartua strategjia e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha (strategjike) dhe të shërbimeve publike. Progres të rëndësishëm në këtë periudhë kanë shënuar edhe reformat e sektorit financiar që lidhen me privatizimin e bankave shtetërore dhe me hyrjen e bankave me kapital të përbashkët dhe të huaja private të cilat kanë ndikuar në thellimin e ndërmjetësimit financiar dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve bankare dhe në kreditimin e ekonomisë. Hapa të suksesshëm u shënuan edhe në drejtim të reformës së administratës publike. Kjo periudhë u karakterizua me investime në veprat e infrastrukturës, mbi bazën e politikave të zhvillimit që u ndërmorën.
Zhvillimet ekonomike filluan të bazohen në strategjitë sektoriale dhe të konvergonin në një strategji të përgjithshme për zhvillimin ekonomik e social të vendit (reduktimin e varfërisë), bazuar në filozofinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe në përputhje edhe me objektivat e mijëvjeçarit në mbështetje të deklaratës së OKB-së, duke shënuar dhe fazën finale të përgatitjes së hapjes së negociatave për marrëveshjen e stabilizim-asocimit me BE-në.
Veç këtyre, kjo periudhë do të kishte për t’u përballur dhe për të përmirësuar:
Konsolidimin e mëtejshëm fiskal e makroekonomik, ndjekjen e stabilitetit të çmimeve dhe tendencat e tyre, vazhdimin e reformave strukturore, përballimin e krizës energjetike, hapjen e vendeve të reja të punës, etj.
Si rrjedhojë e zbatimit të këtyre politikave në fund të vitit 2005 dhe në fillim të vitit 2006, Shqipëria vazhdoi të ishte një vend me stabilitet të plotë makroekonomik dhe me zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së saj, që garantonte vazhdimin e konsolidimit të ekonomisë së tregut, përmes rritjes e zgjerimit të sektorit privat dhe zgjerimin e lirive ekonomike, liberalizimin dhe integrimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe tregtisë së vendit me atë të rajonit dhe të BE-së, reduktimin e varfërisë etj.
Arritjet e kësaj periudhe, sidoqoftë, vetëm hodhën bazën e qëndrueshmërisë makroekonomike.
Ku arritëm, çfarë duhet të bëjmë?
Zhvillimet dhe rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë kërkonin më shumë reforma strukturore, duke pasur si synim kryesor zhvillimin e vendit dhe reduktimin e vazhdueshëm të varfërisë. Gjithashtu rol të rëndësishëm pati ndërmarrja e hapave ligjore për të adresuar shumë nga këto çështje, si p.sh. në sistemin e taksave, profesionalizmin dhe rritjen e eficencës së administratës, reduktimin e procedurave administrative, përfundimin e regjistrimit të tokës, legalizimin e ndërtimeve informale, regjistrimin e bizneseve si dhe masa të tjera, por që ende nuk janë tërësisht të mjaftueshme.
Përpjekjet e qeverive të ndryshme për të përmirësuar mbledhjen e të ardhurave, vendimi për të përshpejtuar programin e privatizimit dhe për t’u dhënë fund subvencioneve dhe huave favorizuese kompanive shtetërore solli rënie të deficitit buxhetor nga 13.1% të PBB-së në vitin 1997 në afërsisht 3.4% në vitin 2005. Shpenzimet e përgjithshme të qeverisë u reduktuan nga 31.4% në 27.4% të PBB-së gjatë së njëjtës periudhë, një nivel shumë më i ulët në krahasim me atë në rajon. Më pas u reduktuan disbalancat primare, duke vendosur raportin e borxhit të përgjithshëm publik ndaj PBB-së në një trajektore rënëse që prej vitit 1998.
Drejtimi i politikës fiskale po strukturohej nga nevoja për të; (i) frenuar deficitin e jashtëm të llogarisë korente; (ii) reduktuar borxhin publik; (iii) për t’u mbështetur tek një zgjerim shumë i shpejtë i kreditimit të sektorit privat; dhe (iv) për të dyfishuar përpjekjet për të përmirësuar administrimin e të ardhurave.
Niveli prej 54.5% i PBB-së, i stokut të borxhit publik dhe borxhit publik të garantuar është relativisht i lartë – midis më të lartëve edhe midis vendeve fqinje dhe vendeve me rritje të krahasueshme. Stabilizimi makroekonomik ka kontribuar në rënie të qëndrueshme të borxhit publik nga 85% në fund të vitit 1997 në rreth 55% në 2005-n.
Menaxhimi më i mirë dhe më efektiv i rezervave valutore nga Banka e Shqipërisë (në vëmendje edhe të qeverisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë) duke llogaritur dhe duke përdorur me efektivitet këtë rezervë në dobi të garantimit të sistemit tonë monetar dhe të vazhdimit të zhvillimit të mëtejshëm të qëndrueshëm të ekonomisë.
Periudha pas viteve 2005
Periudha pas viteve 2005, kryesisht periudha 2005-2012, në fushën financiare karakterizohet nga “shkëputja e qeverisë nga marrëveshjet me FMN”, nga ndryshimi i sistemit tatimor duke vendosur Taksën e Sheshtë dhe një sërë ndryshimesh dhe përmirësimesh në legjislacionin tatimor, nga dëshira për “ekspansion” shpenzimesh, sidomos të atyre kapitale në infrastrukturë, por që shoqërohen me rritje të borxhit publik (62.6% /GDP sipas projektbuxhetit 2013) që në kushtet e krizës së borxheve në Eurozonë nuk mund të mos dëmtojnë edhe financat publike të vendit tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Punim i mirë