104 milionë euro interes në emër të borxhit publik

15/11/2018 9:27 AM 0 komente

Kosova është zhytur në borxhe për financimin e projekteve infrastrukturore. Prej vitit 2009 deri më tani Kosova ka paguar interes prej 104 milionë eurosh në emër të borxhit publik. Të paktën kështu tregojnë të dhënat e siguruara nga Ministria e Financave (MF), shkruan sot Gazeta “Zëri”.

104 milionë euro është shuma e mjeteve që Kosova është detyruar të paguajë në emër të interesit për borxhin publik nga viti 2009 e deri më tash. Këto statistika zyrtare janë bërë të ditura nga zyrtarët e Ministrisë së Financave në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri”.

 

Por, me këtë shumë të akumuluar përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës shprehen të bindur se Kosova nuk e rrezikon stabilitetin financiar. Kështu ka thënë gjatë një deklarate për “Zërin” Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj. “Ne nuk jemi as afër për të rrezikuar stabilitetin makrofiskal as të zhvillimit ekonomik. Jemi te një borxh që është rreth 700 milionë euro e që nuk është hiç i lartë, i bie përmbi 10 për qind të BPV-së. Këtë futjen në borxh për të financuar projekte të mëdha kapitale e shfrytëzojnë të gjitha vendet kur janë kushtet e kredisë të favorshme.

Ne i kemi shfrytëzuar kreditë e buta, ndihmat. Nuk jemi në rrezik nëse shfrytëzohen racionale, duhet të kemi kujdes eventualisht kur ndodhin procedura në kohën e kushtëzimeve të korrupsionit”, është shprehur Shatri. Kundërshtime për këto deklarata kanë shprehur përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Ali Lajqi, ka thënë për gazetën “Zëri” se borxhi është i rrezikshëm pasi kapacitetet janë të limituara për plane buxhetore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of