Teksa shefi juaj shprehet se “ndryshimi është për më mirë” ju dalloni se pozicioni i tij i trupit lëviz nga minuta në minutë dhe se ka një buzëqeshje të stampuar në fytyrë. Një gjë e tillë bën që instiktivisht t’ju lindë pyetja, “A është duke thënë të vërtetën”? A nuk do të ishte fantastike që dikush që gënjen të kuptohej që në fjalën e parë që thotë? Janë bërë shumë programe mbi këtë temë dhe të shumtë kanë qënë psikologët që e kanë analizuar një sjellje të tillë, por përballja me realitetin dhe me qenien njerëzore që është shumë komplekse, nuk është asnjëherë ashtu siç tregohet nëpër emisione të ndryshme.
Sipas studimeve të shumta, gënjeshtrat në një ambient pune janë të shkaktuara nga stresi dhe presioni i madh.
Është shumë e vështirë për të kuptuar nëse një person është duke gënjyer apo jo, por fillimisht këshillohet që ju ta studioni një punonjës per një kohë të gjatë dhe në këtë mënyrë do të mësoheni me mënyrën sesi ai flet, si sillet, si reagon ndaj problemeve të ndryshme. Në momentin e parë që sjellja e tij ndryshon, diçka po ndodh por, që jo domosdoshërisht mund të jetë e lidhur më proçesin e të gënjyerit.
Të gënjesh nuk është edhe aq e lehtë sepse fillimisht e vërteta duhet fshirë nga truri dhe shenja të tilla si ankthi, apo frika se dikush do ta kuptojë që ju po gënjeni duhet të përballohen me mjaft mjeshtëri, prandaj edhe gënjeshtarët që s’dallohen janë të paktë.
Më poshtë do të lexoni disa prej sinjaleve të cilat mund të nxjerrin në pah një gënjeshtar:
Një buzëqeshje e shtirur
Është shumë e vështirë për ata që gënjejnë që të të falin një buzëqeshje të sinqertë. Ato që dhurohen prej tyre janë thjesht një lëvizje goje.
Përgjigje shumë e shpejtë
Zakonisht gënjeshtrat paramendohen dhe përgjigjia që ti merr për një pyetje të caktuar vjen përpara se t’i kesh mbaruar së bëri ato Ndërsa nëse kapet në befasi “gënjeshtari” merr më shumë kohë seç duhet.
Toni i zërit
Kur një person është duke gënjyer toni i tij i zërit është më i lartë seç duhet. Një tjetër veçori është zgjedhja shumë e kujdesshme e fjalëve, e cila mund të konsiderohet edhe si e pavend në situata të caktuara.
Tharje fyti
Zakonisht kjo ndodh kur personat janë në një situatë të sikletshme, si pasojë e së cilës shkaktohet tharja e fytit.
Zmadhim i bebes
Një tjetër sinjal që duhet të konsiderohet në këtë rast është edhe madhësia e bebes. Tek personat që nuk janë të qetë ajo është më e madhe se zakonisht si pasojë e presionit që ai po mundohet të fshehë.
Djersitja
Shenja të tilla si bulëza të vogla djerse në ballë nuk janë gjë tjetër përveçse sinjali i rradhës. Kijeni parasysh.
Lëvizje të shpeshta të këmbës
Kur njerëzit gënjejnë, ndihen edhe nervozë. Ky nervozitet mundohet që të kalohet duke bërë lëvizje të pavetëdijshme, të tilla si lëvizjet e shpeshta të këmbës.
Prekje e fytyrës
Mbase hunda e një personi nuk mund të rritet kur ai është duke gënjyer por ka disa lëvizje që na bëjnë të kuptojmë një gjë të tillë. Sipas studimeve, në momentin e të gënjyerit persona të ndryshëm prekin hundën si mënyrë përqëndrimi në atë ç’ka po bëjnë.
Papërputhshmëria
Kur një person e beson atë çka është duke thënë, fjalët i përputhen me veprimet dhe e kundërta ndodh me ata që gënjejnë.
Ndryshime në qëndrim.
Një gjë e tillë vihet re tek persona që i njeh mirë dhe e di si sillen zakonisht. Ndryshimet në qëndrim, janë shenjë nervoziteti dhe pse jo edhe një sinjal që tregon se në këtë mes ka një gënjeshtër.
Shenja të vogla
Mund të jenë të vështira për t’u kuptuar, por janë shumë të rëndësishme, sepse edhe disa prej veprimeve më të parëndësishme në dukje mund t’ju cojnë drejt gënjeshtarit.
Shikim i shpejtë
Zakonisht personat që nuk thonë të vërtetën i përplasin qepallat e tyre në vazhdimësi dhe një pjesë të mirë të kohës shikojnë poshtë. Edhe kjo nuk është një gjë që duhet nënvlerësuar.