Kudo në botë të ardhurat tatohen, por ka disa burime të ardhurash për disa kategori që nuk i nënshtrohen tatimit. Në Shqipëri sipas një udhëzuesi të posaçëm të tatimeve janë 12 zëra të ardhurash që nuk i nënshtrohen tatimeve, si më poshtë:
1-Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndihmat ekonomike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta.
2-Bursat e nxënësve dhe të studentëve.
3-Shpërblimet e marra në raste sëmundjesh, fatkeqësish, në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës në fuqi.
4-Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare ose në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike.
5-Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
6-Të ardhurat e përfituara si rezultat i kompensimit financiar, për ish-pronarët dhe ish të dënuarit politikë.
7-Kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve.
8-Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.
9-Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë.
10-Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor.
11-Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi të pensionit vullnetar deri në masën e përcaktuar në ligjin për fondet e pensionit vullnetar.
12-Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensioneve, gjatë administrimit nga shoqëria administruese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.