124 vonesa dhe 37 anulime fluturimesh; Aviacioni Civil shpjegon çfarë po ndodh në Rinas

05/09/2018 2:51 PM 0 komente

Shtyrjet e fluturimeve, apo dhe më keq anullimet kanë qenë të zakonshme në 2018-n në Aeroportin e Rinasit, sidomos në operatorët low cost drejt Italisë. Kjo, ndonëse biletat këtë vit arritën në nivel rekord deri në 300 euro për një drejtim në gjysmën e dytë të gushtit për fluturimet nga Rinasi drejt Italisë dhe deri në 700 euro drejt Gjermanisë e Francës.

Sipas tabelave të publikuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, për periudhën janar-gusht 2018 janë rreth 124 fluturime në total, që janë nisur të paktën me dy orë vonesë, ndërsa janë anuluar gjithsej 37 fluturime. Rekordin për vonesa dhe fluturime e mbajnë operatorët low cost drejt Italisë, Blue Panorama, Fly Ernest dhe Alba Wings. Më të larta ato ishin në muajt korrik dhe gusht, kur ka dhe një fluks të lartë pasagjerësh që udhëtojnë nga dhe drejt Italisë, ku jetojnë e punojnë shumë emigrantë që kthehen në shtëpi për pushimet e verës. Edhe në ditët e para të shtatorit nuk kanë munguar shtyrjet e avionëve me orë të tëra, edhe mbi 12 orë, duke krijuar radhë të gjata dhe tension në sallat e pritjes së aeroporteve.

Por, pse operatorët vonojnë nisjen? Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), në raportin e muajit gusht thotë se sipas shpjegimeve të operatorëve, arsyeja kryesore lidhet me të ashtuquajturën AIRCRAFT ON GROUND (AOG).  “Vonesat  apo  anullimet  e fluturimeve  janë  një fenomen që kanë shënuar një rritje të konsiderueshme këtë vit. Arsyet e vonesave në fluturim apo anullimeve janë nga më të ndryshmet, të cilat kanë lidhje me aspekte që lidhen me kapacitetet e kompanive dhe aeroporteve, operacionale dhe teknike. Sipas rregullave ndërkombëtare përveç anullimeve, vonesat të cilat konsiderohen problematike për pasagjerët janë ato që zgjasin më shumë se 3 orë nga orari i planifikuar i nisjes së avionit. Ndonëse siç thamë dhe më sipër, arsyet mund të jenë të ndryshme për vonesa të gjata dhe për anullimet e fluturimeve, në disa raste ato kanë të bëjnë me aspektet teknike. Një aspekt teknik i cili është dhe shkak i vonesave të zgjatura ose anullimeve është ai që në aviacion quhet AOG (Aircraft On Ground) avion në tokë”, thotë raporti I AAC.

E thënë thjesht një avion konsiderohet AOG atëhere kur ka probleme teknike të rëndësishme apo dëmtime fizike të avionit të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e fluturimit. Në Aeroportin Nënë Tereza të Rinasit kohët e fundit janë vënë re vonesa në fluturime që sipas kompanive ajorore që kanë edhe avionët në përdorim ose në pronësi vijnë pikërisht për shkak të AOG. Më së shumti vonesat kanë qenë si rrjedhojë e fluksit të lartë të fluturimeve përgjatë sezonit veror aty ku dhe skeduli i fluturimeve është dhe më i ngjeshur dhe si rrjedhojë dhe  trafiku ajror është më i ngarkuar. Kjo lidhet edhe me mungesën e kapaciteve nga kompanitë ajrore. Gjithashtu përgjatë sezonit veror ka patur dhe vonesa me orare të gjata dhe anullime. Këto kanë qenë pjesërisht si pasojë e AOG-ve të avionëve të kompanive të ndryshme. Një rast konkret për ta bërë edhe më të kuptueshme për publikun e gjerë, ishte ai i një avioni që u klasifikua “AOG” për arsye të futjes së zogjve në motor gjatë fazave të fluturimit, një problem që ndodh shpesh me avionët e linjave të ndryshme ajrore. Ngjarje e cila solli problematika në fluturimet e kësaj kompanie ajrore pasi për riparimin dhe ndërrimin e pjesëve të dëmtuara u deshën 3 ditë. Një avion tjetër u klasifikua AOG pasi u evidentua një problem me gomat e avionit. Pra arsyet janë të ndryshme dhe lidhen kryesisht, me pjesët teknike të një avioni, që fillojnë që nga gomat, dhe elemente të tjerë që lidhen me sigurinë në aviacion.

Pse duhet një kohë disa ditore (si në rastet e lartpërmendura) për ta vënë avionin në efiçencë për fluturim? Në raste të tilla AOG-je duhet të kemi në vëmëndje procedurat që ndiqen për riparimet në avion si dhe largësinë nga vendi ku është klasifikuar AOG me bazën e mirëmbajtjes.  Ka defekte të cilat mund të riparohen në vend dhe të cilat nuk marrin shumë kohë për ta patur avionin sërisht në gjëndje për të fluturuar në mënyrë të sigurtë. Në rastet e lartëpërmëndura kemi patur ndërrim dhe riparim pjesësh të rëndësishme të avionit të cilat, mbasi kryhen nga inxhinierët e kualifikuar duhet të marrin miratimin dhe nga Organizatat kompetente të mirëmbajtjes për atë tip avioni, në mënyrë që të bëhet i vlefshëm për një fluturim të sigurtë. Gjithashtu në rastet kur ka patur dëmtime të strukturës së avionit, pasi janë ndjekur hapat e mësipërm duhet dhe një kontroll dhe miratim për riparimet e kryera në avion nga vetë prodhuesi, i cili duhet të japë garancinë që ndërhyrjet dhe riparimet e bëra në avion nuk ndikojnë për probleme gjatë  fluturimeve. Pra janë një numër i konsiderueshëm hapash që ndërmerren për të patur avionë të sigurtë në fluturim. Na duhet të theksojmë se të gjitha këto masa merren në mënyrë që çdo fluturim dhe çdo pasagjer apo ekuipazh fluturimi të jenë të sigurtë. Janë këto masa të cilat e kanë bërë transportin ajror shumë kompleks por e kanë kthyer në lider në rangun global si transporti më i sigurtë me të cilin udhëtohet.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz