Emrat që kanë revolucionarizuar jetën tonë (online dhe offline) sipas një klasifikimi të Time
26 vjet më parë u krijua faqja e parë
Kanë kaluar 26 vjet që kur një inxhinier i ri informatik, Tim Berners-Lee, krijoi website-n e parë nga laboratorët e CERN në Gjenevë, info.cern.ch. Nga ai moment, web-i nisi të popullohej me faqe, që me kalimin e viteve, janë përsosur gjithnjë e më shumë dhe janë bërë ashtu siç i shohim sot. Në këtë listë pa fund, disa spikasin për famën dhe ndikimin që kanë (apo kanë pasur) në jetën tonë.
Më poshtë është klasifikimi i Time.
Facebook është website (jo vetëm rrjeti social) më i përdorur në botë, me më shumë se dy miliardë përdorues. Facebook ka ndryshuar tërësisht jetën e atyre që kanë lindur në vitet ’80. I vënë nën akuzë për përhapjen e fake news, për shmangien e taksave në disa vende, sot nuk ka lajm që të mos ketë të bëjë apo të mos publikohet në Facebook. Rrjeti social u krijua nga Mark Zuckerberg, Eduardo Saverin, Andrew McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes në vitin 2004 në Universitetin e Harvardit dhe synonte të krijonte një lidhje në internet të studentëve të kampusit universitar.
I lindur në vitin 1998, shumë shpejt u bë pikë referimi për të kërkuar lajme dhe informacione në web. Tani është shpikur edhe një folje “gugëlloj” që ka zëvendësuar “kërkoj në Google”. Sipas Net Market Share, është faqja që përdoret më shumë si motor kërkimi, me 79% të përdoruesve që e hapin nga kompjuteri dhe 97% nga celulari.
Wikipedia
Që kur u shfaq online në vitin 2001 – kjo faqe ka zëvendësuar me shpejtësi – me shumë pro e kundër – librat enciklopedikë. Pika e saj e fortë dhe në të njëjtën kohë handikapi i saj më i madh, është fakti që gjithkush mund të kontribuojë në të ose të korrigjojë një informacion të caktuar. Pavarësisht të gjithave, 17 vjet pas krijimit të saj, vijon të jetë një ndër faqet më të klikuara nga përdoruesit.
YouTube
Para YouTube duket thuajse e vështirë të imagjinosh se ekzistonin video në internet. Që nga viti 2005, kjo platformë e ka shndërruar çdo person që është i lidhur me internet në një publikues të mundshëm. Prej disa vitesh, YouTube ka krijuar edhe fenomenin e YouTubers.
Amazon
Amazon është website ku ju mund të kërkoni të blini pajisje elektroshtëpiake, mobilie, ushqime. Por në vitin 1994, kompania më e madhe e internetit në botë shiste vetëm libra. Ishte një ndër website-t e parë ku mund të përdornit kartën e kreditit për të blerë online.
eBay
Para Amazon, supermarketi i madh i internetit, ishte eBay. Në vitin 1995, quhej AuctionWeb dhe në të shiteshin vetëm objekte të dorës së dytë apo të cilësisë së mirë. Blerja e parë? Një lazer – i thyer – i shitur nga krijuesi i saj Pirre Omidyar, një zotërie kanadez, Mark Fraser.
Yahoo
“Faqet e verdha” të internetit. Kështu mund të cilësohet Yahoo. Ndryshe nga Google, Yahoo u jepte një kuptim mijëra faqeve që klikoheshin nga përdoruesit. Por me lindjen e shoqërisë së Mountain View, shoqëria e Jerry Yang dhe David Flo ka pësuar një rënie të ngadaltë.
Wikileaks
Wikileaks u bë e famshme në vitin 2010 për zbulimin dhe publikimin e krimeve të qeverisë amerikanë gjatë luftës në Afganistan. Website i themeluar nga Julian Assange në vitin 2016 është platforma që kërkon t’u japë zë atyre që kanë një sekret (shpesh i pakëndshëm). Në vitin 2016, Wikileaks ka marrë shumë kritika – së pari nga Turqia pas përpjekjes së grushtit të shtetit, pastaj nga SHBA për kontaktet e dyshuara me Rusinë. Por ndërkohë, Wikileaks është ende online.
Website, i krijuar në vitin 2005, ju jep mundësinë të postoni lajme të shkurtra në një forum. Lajmet më të klikuara apo ato me më shumë komente gjenden në pjesën e sipërme të faqes për të përfshirë përdoruesit në diskutim. Ashtu siç thotë edhe slogani “Reddit është faqja e parë në internet”.
Craigslist
Kur nuk ekzistonin ende LinkedIn apo Tinder, mund të përdorej Craigslist. Në këtë website, që nga viti 1995, sponsorizohen njoftime për punë, evente madje edhe takime. Sot Craigslist është aktiv në rreth 70 vende, por në fillimet e tij ishte menduar vetëm për San Franciskon.
Match
Për ata që kanë lindur para viteve ’90, ky emër nuk thotë shumë. Por ata që kanë përdorur internetin në ato vite me siguri që e kanë shfrytëzuar faqen e parë të takimeve, që krijonte kontakt mes dy personave me profile të ngjashme. Sot website ka rreth 10 milionë përdorues.
Pandora
Në vitin 2000, iTunes nuk ishte kaq i njohur sa Pandora, website për të dëgjuar muzikë online, duke zgjedhur mes zhanreve dhe artistëve të ndryshëm. Përdoruesit mund të jepnin mendime pozitive ose negative për këngët, duke krijuar kështu një playlist personale.
Drudge Report
Është sajti që dha lajmin e skandalit Lewinsky në vitin 1998. Sot popullariteti i tij kufizohet në zonën e Uashingtonit, por megjithatë, vijon të lexohet nga mijëra përdorues.
The Pirate Bay
The Pirate Bay u krijua në vitin 2003 nga tre djem suedezë. Kjo platformë është pikë referimi për piratët informatikë të cilët synojnë qarkullimin e lirë të informacioneve. Këtu mund të gjeni link-e për të shkarkuar (shpesh në mënyrë të paligjshme) dokumente, video, muzikë dhe çdo lloj materiali. The Pirate Bay denoncohet rregullisht për shkelje të ligjeve që rregullojnë web-in, por vazhdon të rezistojë gjithnjë dhe është në klasifikimet e website-ve më të vizituar në botë.
Info.cern.ch
Nuk mund të mungonte babai, ose ndoshta vëllai i madh, i të gjithë website-ve. I pari, që në vitin 1991, iu kushtua projektit të World Wide Web. Në vitin 2013, ky sajt është risjellë online për t’u dhënë mundësinë përdoruesve nga gjithë bota që ta shohin.
Burimi: Corriere della Sera