Një fitore e mundshme e Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditet si një ndër dhjetë rreziqet e forta në nivel botëror, së bashku me situatën në të cilën po gjendet ekonomia kineze, por edhe ndërthurjen e Rusisë në Siri dhe Ukrainë, si pjesë e një “Lufte të re të Ftohtë”.
Njësia Inteligjente e “The Economist” ka bërë një kërkim sipas të cilit rezulton se një fitore e mundshme e Trump do të bllokonte ekonominë botërore, si dhe do të rriste rreziqet ndaj sigurisë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zgjedhja e kandidatit republikan për kreun e Shtëpisë së Bardhë është më e rrezikshme sesa një dalje e mundshme nga BE-ja e Britanisë së Madhe apo një konflikt i armatosur në jug të detit të Kinës, sipas Njësisë Inteligjente të “The Economist”. Ata nuk besojnë se manjati i ndërtimit do të mund Hillary Clinton për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Deri tani, Trump ka dhënë pak detaje për politikën që do të zbatojë dhe që ka gjasa të pësojë rishikime të vazhdueshme”, thotë Eiu.
Klasifikimi bazohet në një shkallë që llogaritet nga 1 deri në 25 dhe zgjedhja e Trump renditet në nivelin 12, i njëjtë me një rrezik relativ që mund të cilësohet nga rritja e kërcënimeve xhihadiste e deri te destabilizimi i ekonomisë botërore. Njësia Inteligjente e “The Economist” deklaroi se kjo situatë është e pazakontë. “Ne nuk kemi përfshirë kurrë një politikan të vetëm në qendër të listës së rreziqeve botërore”, tha Robert Powell, menaxher i Eiu. “Armiqësia e lindur për Trump nga udhëheqësit republikanë e kombinuar me opozitën e pashmangshme demokratike do të na çojnë për të parë bllokimin e shumë nga politikat e tij më ekstremiste në Kongres – thuhet në raport – dhe këto tensione do të dëmtojnë politikën e brendshme dhe të huaj”.
Ja cili është klasifikimi i rreziqeve më të mëdha në nivel botëror sipas Njësisë së Inteligjencës të “The Economist” (1 – rreziku më i ulët dhe 25 – rreziku më i lartë):
1. Ekonomia kineze pëson rënie të fortë (rreziku 20)
2. Ndërhyrjet ruse në Ukrainë e Siri po paralajmërojnë një Luftë të Ftohtë të re (rreziku 16)
3. Luhatjet e forta provokojnë kriza borxhi në vendet në zhvillim (rreziku 16)
4. Nën peshën e presioneve të brendshme dhe të jashtme, në BE lindin krisje (rreziku 15)
5. “Grexit” materializohet në një prelud të “shpërthimit” të Eurozonës (rreziku 15)
6. Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale amerikane (rreziku 12)
7. Kërcënimet në rritje të terrorizimit xhihadist destabilizojnë ekonominë botërore (rreziku 12)
8. Britania e Madhe voton në favor të daljes nga BE-ja në referendumin e qershorit (rreziku 8)
9. Ekspansioni kinez provokon një konflikt në Detin e Kinës Jugore (rreziku 8)
10. Një kolaps i investimeve në sektorin e naftës provokon një shok në çmimet e lëndëve të para (rreziku 4)