Pas ndërtimeve pa kriter, zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit po përballet me lulëzimin e fshatrave turistikë, të cilët nuk i sjellin vlerë të shtuar ekonomisë. Resortet, si modeli më i mirë që rrit vlerat e sektorit, po mbeten projekte në letër në sirtarët e qeverisë. Modeli “Lalëzi” me fshatra po “pushton” edhe Jugun. Mabetex Group ndërton Sarandën në Kazakistan, projekti për Divjaka Resort mbetet vetëm një ide. Si nuk po çajnë bizneset e huaja për të sjellë industrinë e turizmit si model. Mete: Faji i ligjit
Blerina Hoxha
Pas më shumë se dy dekadash, sektori i turizmit nuk po gjen rolin që i takon në ekonomi. Ndërtimet kaotike në të gjithë bregun nuk po orientohen drejt një modeli për të rritur vlerën e sektorit. Investimet po përqendrohen në ndërtimin e fshatrave turistikë duke ofruar vila luksi për klientët e kësaj kategorie, teksa projektet për ndërtimin e resorteve që do t’i sillnin të ardhura ekonomisë së vendit kanë mbetur në sirtar. Divjaka Resort, një propozim i fundit i kompanisë Mabetex Group, është shans për të vendosur modelin se si mund të zhvillohet turizmi. Projekti që është konceptuar të sjellë ciklin e mbyllur nëpërmjet një resorti luksoz, duket se ende nuk ka marrë dritën jeshile nga ana e autoriteteve shqiptare. Propozime të tilla kanë sjellë edhe gjigantët turke të resorteve, teksa qeveria shqiptare ka kthyer sytë nga ndërtimi i fshatrave turistikë.
Gjiri i Lalëzit në mes të një pylli të bukur, i pacenuar nga vala e ndërtimeve që zaptoi Durrësin fill pas viteve 1990, aktualisht është “zaptuar” nga fshatrat turistikë. Banesat shfrytëzohen nga poseduesit maksimumi 10 ditë në vit, duke punësuar vetëm dy-tre punonjës sigurie për ruajtjen e tyre. Këto lloj investimesh, që po përhapen me shpejtësi në Jug të vendit nuk nxisin punësimin, të ardhurat dhe shërbimet e turizmit, përveçse po zënë edhe atë pjesë edhe të bregut të Jugut të vendit që është ende e pacenuar.
Qeveria nuk e ka në plan të parë ndërtimin e resorteve. Në strategjinë e zhvillimit të sektorit 2014-2020, parashikohet të rriten kapacitetet akomoduese me rreth 40% në pesë vitet ardhshme, por nuk ka një model se si do të zhvillohet ky akomodim. Orientimet anojnë nga turizmi i aventurës dhe atij kulturor, të cilët sjellin pak të ardhura dhe pak ditë-qëndrimi, në krahasim me resortet. Edhe pse bregu i Mesdheut e ka mjaft të zhvilluar modelin e resorteve, Shqipëria mund të zhvillojë të njëjtin trend.
Altin Fortuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë thotë se, ka disa kompani turke që duan të përfshijnë Shqipërinë si zgjatim të resorteve të tyre, duke garantuar ofertën turistike gjatë gjithë vitit me kapacitete mbi 200 mijë persona.
Edhe bizneset shqiptare i bëjnë thirrje qeverisë që të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm në sektor. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, tha se qeveria nuk duhet të japë asnjë leje për fshat në bregdet nëse investimi nuk ndahet 50% për hotel dhe 50% për vila luksi. Sipas tij, planifikimi dhe menaxhimi i territorit paraqet emergjencë, sidomos për sektorin e turizmit duke pohuar se, gjithashtu zhvillimi i resorteve do të sillte maksimumin e mundshëm të fitimeve në sektor, duke marrë në konsideratë se, ende kemi një natyrë të virgjër në krahasim me konkurrentët në rajon.
Lulëzojnë fshatrat
Në mars të vitit 2014, banorët e Ishmit, një fshat në kodrat afër bregdetit të Lalëzit, kanë nisur protestat. Vendasit ishin të irrituar se ndërtimet e fshatrave turistike kanë prekur tokat që ata e zotërojnë jetë e mot. Veç të tjerash, ndërtimet e fshatrave turistikë përgjatë gjithë bregut të Lalëzit, kanë dëmtuar kurorën e pishave të gjelbra. Banorët e Ishmit nuk po shohin përfitime nga popullimi i bregut. Zona është kthyer hermetike me vila luksoze, të cilave nuk u afrohesh dot. Të rrethuara me gardh mbrojtës dhe me roje të armatosura, përveçse kanë shtuar kuriozitetin për jetën matanë, nuk kanë sjellë asnjë përfitim për zonat përqark. Fshatrat turistikë të Lalëzit nuk i kanë rritur kërkesën për prodhimet e tyre dhe as e ka nxitur bujqësinë në zonë. As kërkesë për punësim nuk ka pasur.
“Lura 1”, “Lura 2”, “Peshkatari”, Val Mare, New Born, Perla, Lalëzit Bay janë vetëm disa nga fshatrat turistikë në Gjirin e Lalëzit. Një banesë atje tashmë është një status social. Politikanë dhe biznesmenë të njohur kanë rezidencat e pushimit në Lalëz. Në fund të rrugës aty ku të lë asfalti në nisje të Kepit të Rodonit funksionin një plazh popullor, që akomodon turistë ditorë, pa ofruar fjetje dhe shërbimet e restorantit.
Investitorët e kanë parë më të arsyeshme të orientohen në ndërtimin e objekteve me target klientët VIP. Në këtë mënyrë, ata kanë siguruar fitimin e shpejtë pa rrezikuar në ofrimin e shërbimeve turistike.
Zona bregdetare e Gjirit të Lalëzit prej 25 kilometrash është pjesë e vijës bregdetare 45 kilometra të Qarkut të Durrësit. Duke qenë vetëm 26 kilometra nga Porti i Durrësit dhe 38 kilometra afër Aeroportit të Rinasit, kjo zonë është një pikë strategjike për zhvillimin e resorteve turistike edhe për shkak të lehtësive që e lidhin atë me pjesët e tjera të rajonit si Mali i Zi, Shkupi dhe Prishtina.
“Modeli Lalëzi” po rrezikon Jugun
Mirëpo modeli i Gjirit të Lalëzit me fshatra turistikë po rrezikon të përfshijë edhe Jugun e vendit. Dy leje zhvillimore janë dhënë për një model të përzier të zhvillimit të turizmit në Jug të vendit. Konkretisht në zonën e Palasës, dy fshatra turistikë të kombinuar me shërbimet e hotelerisë me banesat luksi.
Një vit më parë, Komisioni Teknik i Ministrisë së Ekonomisë ka miratuar kërkesat për ndërtimin e dy fshatrave turistikë në Ishëm të Durrësit dhe në Palasë në Bashkinë e Himarës.
Komisioni vendosi pranimin e kërkesës së shoqërisë Edonil Konstruksion sh.p.k. dhe “XH & M” për marrjen e lejes së ndërtimit (zhvillimi) për projektin “Kompleks turistik Delta Bay Resort”, me vila 2-3-katëshe dhe hoteleri, në plazhin e Dralleos, Palasë, Bashkia e Himarës dhe gjithashtu miratoi kërkesën edhe nga zhvilluesi EDIL AL Kompleks turistik, fshat turistik dhe hoteleri, në Komunën e Ishmit. Një tjetër projekt i kësaj natyre, Green Coast nga Balfin Group është duke u zhvilluar në Bashkinë e Himarës në pjesën e Palasës.
Projektet nuk janë resorte të mirëfillta. Në themel të tyre kanë ndërtimin e vilave të luksit të destinuara për klientët VIP, ndërsa shërbimet e hotelerisë parashikohen në një fazë të dytë.
Elton Gjika, drejtor i projektit Green Coast, që po zhvillohet nga Balfin Group tha se, ndryshe nga investimet e tjera të grupit, projekti i Palasës do të jetë një resort i mirëfilltë turistik, ku do të ndërthuren shërbimet e hotelerisë, turizmit dhe argëtimit. Ai tha se investimi në fazën e tij të parë do të përqendrohet te banesat e luksit dhe më pas në ndërtimin e hotelit. Projekti është konceptuar që përveç hotelit, edhe poseduesit e vilave do të mund t’i përdorin ata për shërbimet turistike. Shërbimet do të destinohen për kategoritë që kanë mundësi të përballojnë klientë që duan apartamente të posaçme. Me shumë gjasë, pasi hoteli të ndërtohet, menaxhimi i shërbimeve do të nënkontraktohet ndaj një të treti me ndarje fitimi. Aktualisht për këtë projekt janë të punësuar rreth 800 persona të cilët janë angazhuar për ndërtimin e fazës së parë, që ka të bëjë me zhvillimin e infrastrukturës mbështetëse për ndërtimin e kompleksit. Vilat do të jenë gati në fund të 2017-s, porse për hotelin ende po diskutohet për projekt-idenë, i cili është konspektuar me rreth 100 dhoma.
Mete: Investimet në fshatra, “faji” i ligjit
Ndërtimi i dhjetëra banesave rezidenciale në formën e fshatrave në zonat turistike të vendit është favorizuar nga ligji i mëparshëm për sektorin e turizmit. Ervin Mete, zëvendësministër i Ekonomisë, pohoi se ligji i vjetër, i cili qe në fuqi deri në mesin e vitit 2015, u jepte përparësi ndërtimit të fshatrave. Madje, sipas tij, edhe projektet e mëdha të prezantuara para vitit 2015 ishin për ndërtimin e banesave rezidenciale për shitje dhe jo për shërbime hotelerie.
Mete tha se në ligjin e ri është futur koncepti i resortit qëllimisht për t’i dhënë avantazh zhvillimit të industrisë së turizmit. Në ligjin e ri, i cili hyri në fuqi në korrik të vitit që shkoi, “Resort” quhet një kompleks ndërtesash për pushim dhe argëtim, të grupuara e të administruara së bashku, si hotele, apartamente, vila, studio, që u ofron klientëve akomodim, ushqim, pije, veprimtari sportive e argëtuese dhe shërbime ndihmëse, nëpërmjet një stafi të kualifikuar. Mete tha se, lejet zhvillimore që do të jepen për zonat me përparësi turizmin në të ardhmen, do të marrin në konsideratë ndërtimin e hoteleve krahas banesave rezidenciale. Ai tha se investitorët i kushtëzojnë investimet në resorte me banesat rezidenciale, për shkak se fitimi prej tyre është më i shpejtë dhe më i sigurt.
Resortet, shembulli që duhet ndjekur
Pakkush e di që një nga resortet më të mëdha në vend, ndoshta i vetmi që ka realizuar ciklin e mbyllur dhe që ofron një produkt turistik, ndodhet në Shëngjin. Rafaelo 2002 ka qenë një stacion i thjeshtë akomodimi deri sa Mark Gjini, një biznesmen në sektorin e ndërtimit, vendosi të diversifikohej në sektorin e turizmit rreth 8 vite më parë. Ai nisi sfidën e ndërtimit të objekteve akomoduese në një hapësirë në nisje të qytetit të vjetër, të konceptuar me një seri shërbimesh që do t’i ofroheshin turizmit masiv dhe shtresës së mesme. Vetëm 2 orë larg Kosovës, shumë shpejt resorti do të ofronte një ofertë mjaft joshëse për bashkëkombësit, të cilët bëjnë një vit në avancë prenotimet. Aktualisht, resorti ka një kapacitet akomodues prej 1800 personash, ndërsa ofron paketat turistike “all inclusive”. Zef Pemati, një nga menaxherët e kompleksit, tregon se tre muajt e kësaj vere janë të prenotuar nga 350 turistë çekë dhe polakë.
Paketa ofrohet kundrejt 35 eurove në ditë për person, dhe ka të përfshirë të gjitha vaktet dhe shërbimin në plazh falas. Kompleksi ofron një seri restorantesh dhe baresh që shërbejnë për nivele të ndryshme të turistëve me supermarkete dhe qendrën shëndetësore, mundësi për shopping dhe guida në plazhet e Ranës së Hedhun.
Pemati tha se kërkesa për shërbimet turistike po vjen në rritje nga viti në vit dhe shërbimet ofrohen gjatë gjithë vitit. Më herët në një prononcim për ‘Monitor’, investitori Gjini pati pohuar se, xhiro vjetore e resortit është rritur me rreth 30% në vit dhe është një nga aktivitetet më të qëndrueshme të tij. Ai tregoi se, i lindi ideja për të investuar në një resort nisur nga përvojat rajonale të sektorit.
Turqia si përvojë dhe projekti që “iku” nga Shqipëria në Rumani
Një nga grupet më të mëdha turistike në Europë me resorte që nga Antalya, Belekeu, Londra dhe Nisa i është ofruar Shqipërisë për një investim 600 milionë euro për zhvillimin e një resorti turistik. Eksperti që punon pranë projektit pohoi se nuk ishte në interesin e kompanisë të investonte në një zonë joshëse dhe të bukur siç është Jugu i vendit. Turqit ishin të vendosur të investonin në secilën copë toke që do të dëshironte qeveria shqiptare. Resorti do të ishte i nivelit luksoz, me pesë yje dhe me kapacitet akomodues mbi 5000-6000 persona. Do të punësoheshin të paktën 900 persona dhe kompania kishte në plane të zhvillonte edhe pjesën e edukimit për shërbimin e turizmit, njësoj siç bën edhe në Turqi.
Pas disa takimesh me autoritetet shqiptare, kompania ka hequr dorë. Duke mbajtur konfidencial emrin e kompanisë turke, eksperti tha se tani, projekti që ishte planifikuar për Shqipërinë, po jetësohet në Rumani. Një vend i Bashkimit Europian, Rumania i ka thjeshtuar shumë procedurat për investitorët e huaj. Mjafton të kesh interes të investosh atje dhe qeveria të rimburson që nga biletat e avionit, shpenzimet e hotelit të çdo investitori që shfaq interes.
Një tjetër kompani turke, Limak, ka shfaqur interes të investonte në sektorin e turizmit në Shqipëri, duke sjellë specialistë të saj për të studiuar fizibilitetin e investimit. Kompania më pas u tërhoq, pasi grupi u përfshi në investimin në Aeroportin e Stambollit.
Pacolli ndërton Sarandën në Kazakistan, Divjaka projekt në letër
Mabetax Group, një nga kompanitë ndërkombëtare me emër në fushën e ndërtimeve, “luxury”, që zotërohet nga biznesmeni kosovar, Behxhet Pacolli, së fundi e ka zhvendosur një pjesë të madhe të aktivitetit të saj në Kazakistan. Aktualisht, kompania Mabetex po ndërton një kompleks turistik atje, të cilin e ka quajtur Saranda.
Mabetex, prej gati dy dekadash, e ka një përfaqësi në Shqipëri, por me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nuk ka mundur të përfshihet në investime në Shqipëri. Së fundi, në sajtin zyrtar, Mabetex ka prezantuar një projekt për resort turistik në Divjakë, për të cilin ende nuk ka leje nga autoritetet shqiptare. Përfaqësia në Shqipëri i Mabetex ka preferuar të jetë diskrete për projektin duke thënë se, për zhvillimin e tij po merren zyrat qendrore të kompanisë në Zvicër. Projekti i Mabetex në Divjakë është planifikuar të shtrihet në një sipërfaqe 3342 hektarë, nga të cilat plazh 200 hektarë. Projekti synon ciklin e mbyllur në turizëm dhe mbase do të ishte precedenti i parë pozitiv për zhvillimin e sektorit, por ai nuk ka ende një leje zyrtare.
Modeli turk
Në mes të viteve ’80, Turqia vendosi të zhvillojë turizmin si sektor në nivelin e një industrie mbi të cilën do të bazohej rritja e ekonomisë së vendit në të ardhmen. Qeveria e kohës vendosi të angazhohet me burimet e saj financiare për të ndërtuar resortin e parë, i cili vendosi precedentin se si do të zhvillohet industria më e madhe e turizmit në Mesdhe në dy-tre dekadat në vijim.
Resorti i parë u bë në zonën e Belekut, i cili në atë kohë ishte një gjysmë kënete. Për të shmangur konfrontimet me rajonet për çështjen e pronësisë, qeveria turke investoi rreth 100 milionë dollarë të kohës për tharjen e kënetës dhe më pas thirri një ndër operatorët më të mëdhenj gjermano-amerikanë të shërbimeve të turizmit për të ndërtuar resortin e parë në vend, me standardin më të fundit të pesë yjeve. Më pas, të gjitha resortet u zhvilluan mbi këtë standard të mbështetura në një plan të qeverisë turke, e cila ofroi incentiva për krijimin e zinxhirit mbështetës për turizmin që nga ndërtimi i infrastrukturës rrugore, furnizim me ujë, energji etj. Gjithashtu, qeveria incentivoi trajnimin e stafit që shërben në sektorin e turizmit. Pothuajse çdo resort ka një shkollë të posaçme që trajnon sipas nevojave punonjës për kuzhinën dhe shërbime të tjera.
Për rrjedhojë, turizmi është një nga sektorët mbi të cilin u bazua rritja ekonomike e vendit në dekadat e fundit. Turqia ka 30 aeroporte që ofrojnë fluturime ndërkombëtare, duke lidhur destinacionet më të preferuara me rreth 200 vende të botës. Të ardhurat mesatare në një vit janë mbi 23 miliardë dollarë, ndërsa në strategjinë për zhvillimin e sektorit deri më 2023 synohet që të ardhurat nga turizmi në ekonominë kombëtare të Turqisë të arrijnë në 53 miliardë dollarë në vit. Gjithashtu, Turqia synon të jetë në peshën e parë në botë për pritjen e turistëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.