Viti 2016 solli rënien më të madhe që ka pësuar ndonjëherë industria e minierave në dekadën e fundit. Çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare prekën edhe kompanitë në Shqipëri. 31 miniera u mbyllën, ndërsa qeveria është duke ulur taksat për ta shpëtuar këtë industri…
Nga Ola Xama
27 miliardë dollarë vlerësohet të jetë humbja që pësoi industria e minierave në mbarë botën, në 6 muajt e parë të këtij viti. Vlera e aksioneve për këtë sektor ra me 37%, në disa raste çmimi i mineraleve arriti në minimumet historike. Borxhi i lartë i kompanive ka detyruar disa prej tyre të falimentojnë dhe të nxjerrin në shitje asetet për të paguar punëtorët, ndërsa lufta për të ulur shpenzimet, duke shkurtuar vendet e punës, vazhdon. 40 kompanitë më të mëdha të minierave në botë arritën vlerën më të ulët të aksioneve të tyre, duke shënuar një rekord të ri botëror. Humbja në tregun e aksioneve kaloi vlerën e 400 milionë dollarëve, duke fshirë të gjitha fitimet e bëra gjatë kohës së lulëzimit të kësaj industrie.
Kjo ishte vlera më e ulët që kompanitë prekën në tregun e kapitaleve që prej vitit 2004, por kësaj here, humbja ishte më e dhimbshme. Në vitin 2015, investitorët e minierave kërkonin të rimerrnin veten pas tronditjes që pësuan çmimet dhe fitimet e tyre në krizën financiare botërore të 2008-s, e cila zgjati për ta deri në vitin 2011. Në klasifikimin që i ka bërë kompania audituese Price Water House Cooper 40 kompanive më të mëdha botërore, rezulton se në 2015-n, vlera e aksioneve të tyre është sa 1/3 e kohës së krizës ekonomike. Pas rënies të aktivitetit të tyre nga kriza, kompanitë rritën shpenzimet me shpresën për të rritur prodhimin e fitimin, por rënia e kërkesës bëri që çmimet të shkojnë në fund. Vetëm 9 prej 40 kompanive më të më mëdha në botë rezultuan me rritje të aksioneve në bursa. Nga këto, 4 kompani ishin të prodhimit të arit, duke reflektuar direkt performancën e mirë të çmimit të tij në tregjet ndërkombëtare.
2015-a ishte një vit pasues për rënien e çmimit të mineraleve. Mesatarisht, të gjithë çmimet e burimeve që nxirren nga nëntoka pësuan një goditje më të madhe, edhe se gjatë 2014-s. Performancën më të dobët e kishte nikeli, çmimi i tij u ul në tregjet globale me 41%, ndërsa hekuri ishte i dyti, duke ulur çmimin me 40%. Ari pësoi rënie modeste, në nivelet 145 në 2015-n, por mori sërish veten në tremujorin e parë të këtij viti.
Gjatë krizës globale, likuiditeti i kompanive të sektorit minerar ra shpejt dhe zgjidhja që ata gjetën ishte një plan i shpejtë për të rritur investimin në kohën që çmimet ishin të leverdishme. Borxhi i lirë u gjet për të financuar programet e investimit. Rënia e çmimeve sot ka bërë që jo të gjitha kompanitë të jenë të afta për të paguar detyrimet që kanë. Si pasojë e kësaj, tashmë problemi kryesor i aksionerëve të minierave është zgjidhja e situatës së huave. Në vitin 2015-n, borxhi total i sektorit të minierave u rrit me 3% duke kapur vlerën e 10 miliardë dollarëve. Kreditë afatshkurtra nga ana tjetër, të cilat kërkojnë shlyerjen brenda 12 muajve, janë rritur me 9%.
Përse u godit sektori minerar
Por çfarë ndikoi në rëniet kolosale dhe të menjëhershme të këtij sektori, i cili ishte një nga më premtuesit për investitorët? Përgjigjja që kushdo mund të japë në këto vite është e njëjtë për të gjithë degët dhe goditjet që merr ekonomia: rënia e kërkesës.
Kina, një nga vendet të cilat sot ka peshën më të madhe në industrinë nxjerrëse, sot po orienton ekonominë e saj mbi një bazë më afatgjatë të cilat bazohen mbi modelin e konsumatorit dhe shërbimet. Në një ekonomi globale, të gjitha rrugët mesa duket të çojnë në Kinë. Përpara një dekade, ekonomia e Kinës pati një rritje me shifra galopante, deri në 10% në një vit, çka solli një shtim të kërkesës konsumatore për materiale të ndryshme, specifikisht ato që kanë të bëjnë me ndërtimin. Minierat në mbarë botën hapën galeri të reja për të përmbushur kërkesën që vinte nga një popullatë me numrin më të lartë në botë. Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë kineze krijoi një “super cikël” në çmime, të cilat u rritën po aq shpejt. Sot, rritja ekonomike e saj është moderuar në 6.5% në vit dhe orientimet e ekonomisë nuk janë bazike në apartamente, zyra, godina etj., por në rritjen e cilësisë dhe llojeve të shërbimeve.
Një tjetër arsye për rënien e çmimeve është edhe mbiprodhimi i mineraleve. Rënia e kërkesës nga Kina solli një sasi më të madhe të metaleve në treg, gjë e cila automatikisht bëri që aksionerët të ulnin çmimin. Çmimi i hekurit, i cili ishte metali kryesor që importonte Kina, ra me 40 dollarë për ton, vlera më e ulët që nga 2008-a.
Argument tjetër është edhe rritja e shpenzimeve, të cilat jo detyrimisht duhen bërë për shkak të koniunkturës së tregut. Nëse shumë kompani mund të ndërpresin për një periudhë prodhimin, sektori i minierave, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk mund të pushojë prodhimin për një periudhë dhe të nisë rihapjen pas ngritjes së çmimit. Duhen disa muaj për të vënë minierën në punë dhe për të nxjerrë metalin të përpunuar. Gjendja e konservimit të tyre po ashtu kërkon shpenzime në mirëmbajtje dhe paga punëtorësh.
Minierat në Shqipëri
31 miniera në Shqipëri, sot janë në gjendje konservimi. Rënien më të madhe si pasojë e koniunkturës së tregut e patën ato të bakrit, të cilat kanë ndërprerë prodhimin e po ashtu edhe ato të nikelit dhe hekurit kanë ndërprerë kërkimin. Industria minerale ka pasur performancën më të ulët edhe në sektorin e eksporteve për gjatë këtij viti. Eksportet e grupit minerale dhe lëndë djegëse pësuan rënie në vlerën e 30 milionë dollarëve në shtator të këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa për të gjithë periudhën janar – shtator 2016, eksportet pësuan një rënie në vlerë prej 200 milionë dollarësh.
Në bazë të anketës strukturore të ndërmarrjeve, të publikuar nga Instituti i Statistikave, vërehet një rënie e shitjeve neto për bizneset e industrisë nxjerrëse me 25% dhe një përgjysmim i vlerës së investimit.
Pavarësisht kësaj situate, me tregun e minierave në Shqipëri, 4 kompanitë VIP të këtij sektori vijojnë të sigurojnë të ardhura të mira. Fitimi për dy prej tyre rezulton me rritje për vitin 2015, ndërsa për dy bizneset e tjerë ka rënie të fitimit, por jo në nivele të mëdha.
ALBchrome, pjesë e grupit Balfin, ka fituar 5.5 milionë dollarë nga 2.9 që mori në vitin 2014. Përgjysmim të fitimit pati fabrika e pasurimit të kromit në Bulqizë. Nga 120 mijë dollarë fitim, në 2015-n fitoi 71 mijë dollarë, ndërsa Euro Trade Mineral ka fituar 1.1 milionë dollarë nga 1.6 mln që kishte përfituar në vitin 2014. Të gjitha kompanitë raportojnë një rënie të gjendjes së likuiditetit të tyre, dhe pjesa më e madhe ka rritur detyrimet.
Masat e qeverisë
Rishikimi i nivelit të rentës minerare në vjeshtë të vitit 2013 rezultoi një lajm shqetësues për këtë industri. Çështja e përdorur edhe politikisht solli menjëherë në Kuvend ligjin për rishikimin e nivelit të rentës minerare që duhet të paguanin kompanitë nxjerrëse. Pavarësisht kundërshtimeve nga grupet e interesit, renta u dyfishua për pjesën më të madhe të kompanive që punonin me minierat. Por performanca e dobët e këtij sektori ka detyruar qeverinë që të rishohë dhe një herë taksat për këtë degë të ekonomisë. Tentativat filluan që në muajin qershor, por Ministria e Financave vendosi që këto ndryshime të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2017. Industria e përpunimit të mineraleve metalore do të përfitojë një përgjysmim të rentës nga 6% në 3% të çmimit të shitjes së tij në eksport, duke pasur si referencë çmimin në tregjet ndërkombëtare të mineralit të papërpunuar. Ulje të rentës ka edhe për bitumin dhe materialet e ndërtimit, ndërsa gurët e çmuar, nafta dhe gazi nuk do të kenë ndryshim të pagesave që bëjnë për taksën që i paguajnë pushtetit vendor.
METALET:
Mineralet e argjendit 10%
Mineralet e arit 10%
Mineralet e bakrit 6%
Mineralet e kromit për eksport 6%
Mineralet e nikelit (nikel-silikat) 6%
Mineralet e hekurit (hekur-nikeli) 5%
Mineralet e plumbit 5%
Mineralet e zinkut 7%
Gjithë mineralet e tjera metalike 4%
MINERALET JOMETALIKE
Të gjitha mineralet jometalike 4%
QYMYRET DHE BITUMET
Qymyret 19,940 lekë/ton
Bitumet 2,371 lekë/ton
Rërat bituminoze 117 lekë/m³
Reshpet naftore 117 lekë/m³
Pirobitumet 186 lekë/ton
Qymyr guri 200 lekë/ton
MINERALET DHE MATERIALET E NDËRTIMIT
Graniti 5,850 lekë/m³
Gëlqerorët 47 lekë/m³
Gabrot 47 lekë/m³
Bazaltet 73 lekë/ton
Konglomerate 7%
Mermeri 4,095 lekë/m³
GURËT GJYSMË TË ÇMUAR DHE OPALI
Gjithë mineralet 10%
NAFTA DHE GAZI 10%
———————
Intervistë
Ulja e rentës synon nxitjen e përpunimit të mineraleve brenda vendit
Flet Mehmet Hasalami, drejtor i Politikave dhe Zhvillimit të Minierave në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë
Mehmet Hasalami, drejtor i Politikave dhe Zhvillimit të Minierave në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se sektori i industrisë nxjerrëse është dëmtuar ndjeshëm nga rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar. Ai shpjegon arsyet e nismës për të ulur rentën minerare
Si është duke performuar sektori minerar në Shqipëri?
Në përgjithësi ka një përmirësim të klimës së investimeve, e cila ka për qëllim rritjen e prodhimit minerar dhe përpunimit të mineraleve. Kjo është arritur përmes krijimit të kushteve konkurruese ligjore dhe fiskale duke tërhequr dhe duke mbajtur investitorët e sektorit privat; duke tërhequr gjithashtu investitorët e kualifikuar përmes një metodologjie të licencimit të përshtatshme, transparence në procedurat e tenderimit dhe të licencimit, nëpërmjet përdorimit të tenderimit elektronik;
Po kështu, përmirësimit të situatës në sektorin minerar i është paraprirë me një planifikim minerar, të bazuar në planifikimin territorial duke adresuar çështjet e mjedisit, sociale, nëpërmjet përgatitjes dhe zbatimit të një planifikimi trevjeçar dhe vjetor të konsultuar gjerësisht me të gjithë aktorët.
Inkurajim dhe rritje të investimeve në veprimtaritë e kërkim-zbulimit të mineraleve dhe aktiviteteve të trajtimit të mineraleve si një vlerë e shtuar në vend dhe rritje punësimi, zhvillim të veprimtarive minerare duke përdorur teknologji bashkëkohore që të parandalojnë dëmtimet mjedisore;
Kemi synuar një përmirësim të produktivitetit dhe konkurrencës, përdorimit racional të burimeve financiare, njerëzore dhe natyrore, të bilancit ekonomik dhe financiar të vendit me zhvillimin e eksporteve;
Një rëndësi e veçantë i është dhënë edhe menaxhimit të sigurt të mbetjeve minerare dhe inkurajimit të proceseve të riciklimit;
Po kështu, është synuar mbajtja e një ekuilibri të përfitimeve që rrjedhin nga sektori i minierave midis rajoneve të ndryshme dhe grupeve të popullsisë në vend, nëpërmjet rritjes së të ardhurave ndaj autoriteteve lokale, si dhe përmirësimi i organizimit të kompanive të vogla minerare, monitorimi i praktikave të sigurisë dhe mbrojtjes së ambientit dhe nxitja e inkurajimi për krijimin e kompanive të mesme e të mëdha minerare.
Një rëndësi shumë e veçantë i është dhënë rivlerësimit të burimeve minerare, zhvillimit të bazës së të dhënave GIS, mbledhjes së të dhënave themelore gjeologjike në nivel kombëtar (p.sh. sondazhet ajrore gjeofizike, etj.) që ndihmojnë gjetjet e reja minerale dhe tërheqin kompani private për të investuar në veprimtaritë e kërkim-zbulimit (veçanërisht për bakrin dhe mineralet e tjerë metalikë).
Për të shprehur më konkretisht çfarë u tha më sipër lidhur me performancën e sektorit minerar në Shqipëri, mjafton të përmendim se: nisi dhe po përfundon puna për hapjen e pusit të thellësisë në Bulqizë. Janë investuar deri më tani 12 milionë USD, duke u kryer rreth 540 ml kolonë pusi nën nivelin e 5-të, (investimi gjithsej në minierë arrin 15 milionë dollarë). Hapja e këtij pusi është shumë me rëndësi për shtimin e jetëgjatësisë së minierës.
Ndërkohë po vazhdon puna për hapjen e traverbankut të Qafë Buallit, ku ka përfunduar ringritja e njërit nga traverbanket: Dishenteria e nivelit të 6-të dhe të 7-të dhe po vazhdon puna për përgatitjen e bllokut të shfrytëzimit.
Traverbanku i Klosit, që shërben për shkarkimin e të gjitha ujërave të vendburimeve të Bulqizës, pas përfundimit të ringritjes, është në fillimin e punës për avancimin e ballit.
Në Uzinën e Ferrokromit Burrel (investimi 0.6 milion dollarë) vazhdon prodhimi me një furrë, si dhe po punohet për hartimin e projektit për zëvendësimin e dy furrave të tjera. Uzina e Ferrokromit Elbasan (investimi 1.5 milionë dollarë).
Duhet të theksojmë se është rritur me 35% sasia e ferrokromit të prodhuar, krahasuar me vitin e parë të qeverisjes. Vazhdon që të investohet në sektorin e bakrit në minierat e Perlatit dhe Spaçit.
A është e rrezikuar kjo industri nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare?
Industria minerare është gjithnjë e rrezikuar ose e favorizuar nga tregjet ndërkombëtare. Përballë këtij rreziku, më shumë janë mineralet që destinohen për eksport, që për vendin tonë është minerali i kromit dhe minerali i bakrit dhe hekur-nikeli e nikel-silikati.
Nga rënia e çmimit të kromit, rreth 40% nga krahasim me çmimin mesatar në fillimin e këtij viti janë mbyllur përkohësisht gjithsej 31 objekte, kryesisht të mineralit të varfër, të cilat aktualisht, me rritjen e çmimit kanë filluar të riaktivizohen aty ku i lejojnë të punojnë kushtet natyrore të periudhës së dimrit. Duhet të theksojmë që trendi i çmimeve këta tre muajt e fundit ka filluar të rritet dhe shpresojmë për një përmirësim të plotë të rritjes së eksportit të mineraleve të destinuara për eksport.
Minierat e bakrit, të cilat u janë dhënë me koncesion shoqërive të rëndësishme që operojnë në veprimtaritë minerare, sot janë të konservuara për efekt të uljes së çmimit, i cili varion nën 5000$ për ton bakër blister nga 6500–7000$/tonë, që ka qenë çmimi mesatar në vitet e fundit.
Po kështu ka ndodhur edhe me minierat e hekur-nikelit e nikel-silikatit të cilat kanë ndaluar prodhimin, sepse dy kombinatet që prodhojnë ferro-nikel në Maqedoni dhe Kosovë, janë në pronësi të së njëjtës kompani, te të cilët eksportohet minerali i minierave të vendit tonë dhe ato kishin ndërprerë aktivitetin nga rënia e çmimit të nikelit në tregun ndërkombëtar. Që nga muaji tetor ka filluar puna në këto kombinate jo me kapacitet të plotë dhe nga vendi ynë ende nuk ka filluar eksporti, pasi minerali ynë nuk është shumë cilësor.
Për mineralet e tjera që janë kryesisht materiale ndërtimore nuk ka ndikim tregu ndërkombëtar dhe vazhdojnë në aktivitet të plotë.
Sa miniera janë mbyllur në këto vite?
Gjatë vitit 2014, 2015 dhe 2016 janë revokuar 230 leje për të gjithë llojet e mineraleve, për moszbatim të ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Revokimet janë bërë kryesisht për materialet ndërtimore dhe mineraleve, pasi shoqëritë nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë garancinë vjetore të rehabilitimit të mjedisit. Në kompensim të tyre, janë dhënë për tre vitet e fundit gjithsej 127 leje minerare, për të gjitha llojet e mineraleve.
Po kështu, qeveria është kujdesur që të mbyllë e të rehabilitojë shumicën e minierave të braktisura. Madje, gjatë këtyre dy viteve, janë mbyllur rreth 130 gryka galerish.
Cilat janë potencialet e Shqipërisë për këtë sektor, dhe sa vite do të vijojë nëntoka të prodhojë minerale etj…?
Vendi ynë është mjaft i pasur me: Kromite, Fe-Ni, Ni-silikat, Bakri, Rërat bituminoze, Bitume, Pirobitume, Titanomagnetite, Bokside, Dolomite, Qymyrguri, Torfat, Tufe, Bariti, Gurë gëlqerorë, Mergele, Trepele, Olivinite, Gipse, Rërë kuarcore/ kuarcitet, Bazalte, Kripë guri, Gurë dekorativë, mermerë, Kaolina, Xham vullkanik, Magnezite, Feldshpate + albitofire, Inerte lumore, Fluorit, Squfur, Shkriferime, Pirofilite, Talk + gurë talku, Shkumës, Fosforite, Bojëra Dheu, Rërë + çakëll karbonatik, Polimetalet, Platin, Ar, etj.
Të gjithë grupet e mineraleve, të cilat i listuam më sipër, janë të përcaktuara nga kërkim – zbulimet e kryera vite më parë dhe që vazhdojnë të kryen edhe tani. Pra, për rezervat minerare në Shqipëri vazhdohet të bëhen studime dhe kërkim – zbulime, të cilat do të bëjnë të mundur shtimin e këtyre rezervave. Jetëgjatësia e vendburimeve në Shqipëri parashikohet të shtrihet në një periudhë shumë të gjatë kohore.
A do ta përmirësojë ekonominë e kësaj industrie nisma për uljen e rentës minerare?
Duke vlerësuar se industria e përpunimit të mineraleve metalore ka një peshë të rëndësishme në industrinë përpunuese minerare, ndryshimet e ndërmarra kanë reflektuar një përgjysmim të taksës së rentës nga 6% në 3%, në rast se minerali metalor shitet për përpunim brenda vendit, si dhe aplikimin e kësaj norme (3%) për mineralin e shitur nga nxjerrësi te përpunuesi, mbi vlerën e shitjes për eksport, sipas çmimit në tregjet ndërkombëtare.
Ky parashikim synon të japë një stimul për këtë industri, me qëllim nxitjen e përpunimit të mineraleve brenda vendit, duke sjellë rritjen e investimeve në industrinë e përpunimit minerar, si dhe rritjen e numrit të të punësuarve në këtë industri. Natyrisht, për të arritur deri në këtë përmirësim janë marrë parasysh mendimet e grupeve të interesit të cilët kanë dhënë mendimet dhe argumentet për këtë qëllim.
Si është tregu i punës dhe sa të mbrojtur janë minatorët?
Nëpërmjet akteve ligjore që sapo kanë kaluar në qeveri, është synuar:
-garantimi i sigurisë në punë
-përballimi i emergjencave dhe shpëtimit në veprimtarinë minerare dhe në ndërtimin e punimeve nëntokësore.
Për përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë dhe shmangien e aksidenteve të mundshme në objektet minerare janë kryer pothuajse dy herë më shumë inspektime për sigurinë në punë në zonat minerare, si dhe është shtuar numri i kontrolleve të zbatimit të projekteve teknike, krahas kontrolleve periodike, dixhitalizimi i projekteve të shfrytëzimit vjetor dhe kontrollet në terren.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.