Ka një emoji për gjithçka, edhe për sallatën vegane dhe helikën e dyfishtë të ADN. Sot është bërë një zakon i konsoliduar komunikimi me fytyra. Aq shumë sa emoji-t kanë një ditë të tyre, Ditën Botërore që festohet çdo vit, më 17 korrik.
Termi ‘emoji’ vjen nga japonishtja dhe do të thotë piktogram, domethënë një vizatim apo një simbol në një a më shumë ngjyra, menjëherë i dallueshëm. Fytyra e parë u krijua mes viteve 1998 – 1999 nga Shigetaka Kurita, i cili punonte për pajisjet mobile të shoqërisë së telekomunikacioneve NTT DoCoMo.
Më pas mbërritën në Perëndim dhe u përfshinë në sistemin e kodifikimit Unicode. Sot numërohen më shumë se 2800 emoji dhe nuk ka tastierë, kompjuter apo sistem operativ, nga iOS i Apple tek Android i Google që të mos ketë emoji-t e veta. Madje emoji është zgjedhur fjala e vitit në 2015-n nga fjalorët e Oksfordit.
Popullaritetin e emoji-t e konfirmon Facebook. Nga gjithë emoji-t ekzistuese, thuajse 2300 përdoren në rrjetin social, më shumë se 700 milionë përdoren në publikime çdo ditë. Zemra është përdorur dy herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në chat-in e Facebook, Messenger, dërgohen më shumë se 900 milionë emoji pa tekst çdo ditë. Në gjithë botën, Viti i Ri, është dita kur përdoren më shumë emoji në Messenger.
Së fundmi, Unicode, i ngarkuar për miratimin, ka njohur 157 emoji të reja që do të vijnë në chat e tastierat e smartphone-ve, si për shembull njerëz me flokë kaçurrela, maska të superheronjve, gaforre, mushkonja madje edhe mikrobe. Nuk mungojnë as kutia e ndihmës së shpejtë dhe letra higjienike.