Po mendoni të ndryshoni profesion? Ja 5 hapa që duhet të ndiqni

12/09/2017 12:29 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Ju mund të keni gjetur se çfarë doni të bëni në të ardhmen, por heqja dorë nga siguria që ju ofron puna aktuale kërkon energji, para dhe kohë.

Para se të braktisni punën aktuale, ekspertët këshillojnë të merrni në konsideratë pesë hapa për të qenë të sigurt se vendimi juaj është i duhuri.

1.Identifikoni problemin

Bëni një vlerësim të punës suaj aktuale dhe pse dëshironi të ndryshoni profesion.
“Ju mund të keni pakënaqësi me shefin tuaj apo me ambientin në punë, po shpeshherë nuk është profesioni ai që duhet të ndryshojmë – është dinamika e vendit punës” – thotë Juliet Murphy, administrator i deleguar i Juliet Career Development në Tustin, Kaliforni.

Por mund të jetë vërtet profesioni. Emily Shortell, nga Nju Jorku, kuptoi se problemi ishte profesioni i saj si design-er, pasi provoi të njëjtën ndjesi palumturie kur punonte në ambiente të ndryshme si për shembull në shoqëri burse, kompani marketingu. Sot ajo punon në sektorin veteriner.
Identifikoni burimin e pakënaqësisë duke bërë një listë se çfarë pëlqeni dhe nuk pëlqeni në punën tuaj. Nga kjo do të kuptoni nëse është momenti për të ndryshuar profesion apo jo.

2. Bëni kërkime për profesionin që doni

Bëni kërkime se çfarë duhet të bëni që të fusni këmbët në fushën që doni dhe kompanitë e mundshme.
Shortell për shembull nuk hoqi menjëherë dorë nga profesioni i saj si design-er. Ajo bëri disa kërkime më parë rreth ligjeve të licencimit si veterinere dhe gjeti një program të akredituar teknik në fushën e veterinarisë.

3.Krijoni kontakte me profesionistët e sektorit

Gjeni njerëz të profesionit për të cilin aspironi. LinkedIn është një burim, por ju mund të krijoni kontakte edhe nëpërmjet miqve apo njerëzve të afërt, të merrni pjesë në konferenca të kësaj fushe, grupeve lokale profesioniste etj. Bëni pyetje që vënë në provë hipotezat tuaja rreth profesionit që dëshironi, si për shembull cilat janë punët që duhet të bëni gjatë ditës, koha që kërkohet për t’i përmbushur ato, – thotë Dorie Clark, këshilltare në strategjinë e marketingut.

4.Vlerësoni aftësitë tuaja

Vlerësoni aftësitë tuaja, duke u këshilluar me një profesionist të fushës, për të parë se cilat aftësi mund të transferohen në profesionin tuaj të ardhshëm dhe çfarë duhet të përmirësoni. Ndoshta do t’ju duhet të ndiqni ndonjë program të certifikuar, të regjistroheni në kurse online, apo të riktheheni në shkollë, nëse profesioni që doni të bëni në të ardhmen kërkon një diplomë universitare.

“Ndoshta ju nuk keni përvojë në drejtimin e një projekti dhe është kjo aftësia për të cilën keni nevojë”, thotë Teri Coyne, drejtues ekzekutiv dhe këshillues në kompaninë Five O’Clock CLub, një shoqëri këshillimi për burimet njerëzore në Nju Jork. “Ju mund të punoni si vullnetar në një organizatë lokale dhe të drejtoni një projekt”. Në këtë mënyrë ju do fitoni aftësitë që ju kërkohen për profesionin e ri.

5.Rishikoni CV-në tuaj

Një njoftim pune në fushën ku dëshironi të punoni rendit aftësitë dhe përgjegjësitë që ju do të keni.
Ju duhet t’i shfrytëzoni ato për të personalizuar CV-në tuaj. Shkruani arritjet tuaja dhe pikat tuaja të forta që i referohen profesionit të ri.
“CV është vetëm një histori se si mund të përshtaten mundësitë”, – thotë Coyne.

*Anna Helhoski, gazetare te NerdWallet. Bashkëpunëtore për The Associated Press, USA Today dhe Time.
Burimi: NerdWallet

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz