Rastet e vendosjes së sekuestrove mbi pronat duhet të trajtohen në mënyrë urgjente në mënyrë që të mos bëhen pjesë e transaksioneve që u ndryshon pronësinë. Ka qenë kjo kërkesa e Kryeregjistrueses së Zyrës së Përgjithshme të Pasurive të Paluajtshme Blerina Doracaj në një takim me zyrat vendore të pasurive të paluajtshme.
Nga ana tjetër ajo kërkoi që të evitohen në maksimum rastet e dosjeve të humbura apo praktikave të harruara në sirtar të cilat në rast se nuk marrin përgjigje në kohë mund të rezultojnë në largim të punonjësve që kanë shkaktuar problematiken.
Një nga problemet e hasura në vazhdim lidhur me praktikat e pronave duket se ka qenë ajo e kordinimit institucional. Duke qenë se në sistem janë të përfshirë, noterë, përmbarues, Agjencia e Legalzimit apo ajo e Trajtimit të Pronave edhe shkëmbimet shkresore janë të shpeshta. Doracaj ka kërkuar që të trajtohet me përparësi çdo kërkesë nga institucionet respektive.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u angazhua që me buxhetin që disponon t’i japë zgjidhje problematikave të trashëguara ndër vite, siç janë mungesa e ambienteve, plotësimi me burimet e nevojshme njerëzore, por dhe kompletimi me logjistikën e nevojshme, me qëllim që këto mangësi të mos bëhen pengesë në shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Aktualisht të gjitha zyrat rajonale të pasurive të paluajtshme janë në reformim, ku pak kohë më parë u hapën edhe vendet vakante për pozicionet e drejtuesve të këtyre zyrave. Ministria e Drejtësisë shtyu madje me dy javë kohën e aplikimeve për këto pozicione duke deklaruar se është në vështirësi për të gjetur kandidatë të përshtatshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.