Në 100-vjetorin e përkujtimit të lindjes së “Piktorit të Popullit” Abdurrahim Buza (22.12.1905 2005) kombi shqiptar nderon një nga figurat e shquara të tij, piktorin e tablove historike dhe sociale, mësuesin dhe pedagogun e nderuar të kaq e kaq brezave artistësh, mjeshtrin e penelit dhe burrin e urtë e fjalëpakë, që me veprat e tij mund të vlerësohet si “Piktori Kombëtar”.Bir i një familjeje patriote nga Gjakova, Abdurrahim Buza ishte një fëmijë mjaft inteligjent. Ai hyri në shkollë në moshën 5-vjeçare. I mbetur jetim në moshën 8-vjeçare me mbështetjen e patriotit Bajram Curri vazhdon studimet e mesme në shkollën normale, Elbasan. Buza studimet e larta i kryen në Itali (ishte 1 vit student në Torino), por studimet e rregullta i kryen në Akademinë e Firences në degën e pikturës monumentale. Pas kthimit nga studimet, në Shqipëri ai ishte pjesë e trupës së pedagogëve në shkollën e parë të vizatimit në Tiranë (1933) e më tej ndër pedagogët e Liceut Artistik “Jordan Misja” (Tiranë) dhe për shumë vite nëndrejtor i saj.Krijimtaria e “Piktorit të Popullit” Abdurrahim Buza është shumë planëshe dhe e niveleve më të larta artistike. Gjatë rrugës mbi 50-vjeçare krijuese Buza lëvroi peizazhin, natyrën e qetë, portretin, kompozimin në teknikën e vajit dhe realizoi mbi 10 000 vizatime, të cilat bëjnë pjesë në koleksionin e familjes Buza (në studion muze të piktorit). Në rreth 600 tablo në vaj, që realizoi mjeshtri në krijimtarinë gjysmë shekullore, gjejmë tablonë me temë historike dhe aktuale.Diplomën, Buza si monumentalist, e projektoi ta realizonte në afresk për ambientet e një aeroporti. Ajo titullohet “Të pastë baca aviator”. Me kthimin në Shqipëri (1933) mjeshtri realizon një cikël me peizazhe dhe portrete të ndikuara nga impresionizmi dhe ekspresionizmi.Të kësaj periudhe janë: “Autoportret”, “Vajza me kordele”, “Rrugë në Pogradec”, “Nudo”, “Naska”, “Teleti”, “Gruaja me dhinë”, “Fehmija”, “Sitkiu” etj. Është periudha kur artisti ruan kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën dhe me modelin. Më tej mjeshtri kalon në një stad tjetër artistik; vëmendja e tij kthehet gradualisht nga tabloja përshkuesenarrative në pikturën e një forme dhe komunikimi tjetër më të koduar, më simbolike dhe dekorative; pothuajse si në ikonat e magjishme bizantine. Brenda këtyre “Ikonave” (që për artin shqiptar akoma nuk janë studjuar plotësisht) ndodhet “misteri BUZA”. Si në bizant kur u krijuan tipat dhe arketipat Buza krijoi tipat e tij, gjithmonë në një lëvizje gati jotokësore, ata më së shumti paraqiten në profil, me duar herë të mëdha, me lëvizje magjike delikate të nuseve kosovare apo në kushtrimin e burrave luftëtarë që nuk mposhten. BUZA me pak fjalë, pa bujë, me artin e tij edhe pse me tablotë e formatit të vogël, krijoi një vizion tjetër pikturimi dhe komunikimi me publikun e kohës. Ai herë trajtonte në “Ikonat” e tij krenarinë shqiptare e herë me delikatesë pikturonte apo vizatonte me mijra vizatime mbi lojrat popullore, barinjtë, malësorët, dasmat dhe natën e parë të martesës, jetën e punën e popullit të tij sipas kujtimeve e përjetimeve si në legjenda apo dhe më pak tablonë me temën e ditës. Duke iu kthyer historisë, ai e kishte më të lehtë për kohën kur jetonte dhe “kërkesat e saj” të mbyllej në mbretërinë e artit të tij duke krijuar kodin apo çelësin e pikturës “monumentale” me emrin “Buza”. Edhe pse duke filluar me tablonë “Barrikadat në Tiranë”(1945) dhe më tej “Refugjatët” (1957), “Nusja kosovare” (1967), “Lojrat popullore” (1971), “Dasëm gjakovare” (1979) etj. Buza shpalosi qartazi figurën e një piktori bashkëkohor modern shqiptar e ndofta hapi një faqe të re në artin e kohës. Ai mbeti herëherë i vetëm dhe pse jo, i papërkrahur apo i pakuptuar, i rrethuar me xhelozi e ambicie, i përfolur e i pëshpëritur nga “kolegët artistë”. Buza në këto rrethana nuk rreshti së pikturuari e vizatuari i tërhequr në studion e tij. Piktura e tij tashmë e koduar por figurative ka një “mburojë”, – temën shqiptare të qëndresës dhe heroizmit, e cila edhe ekspozohej para publikut. Magjia dhe cilësia e lartë e artit të pikturës së mjeshtrit Abdurrahim Buza qëndron me personalitetin e tij si një figurë artistike e dimensioneve europiane, në lëvrimin e temës shqiptare me profesionalizëm e gjuhë artistike moderne, ku spikasin dekorativiteti, simbolika dhe koloriti i veçantë. “Piktori i Popullit” Abdurrahim Buza sigurisht që me artin e tij ka ndikuar në krijimtarinë e shumë artistëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të. Mjeshtri Abdurrahim Buza në ciklet e tablove të tij shpalos dramën shqiptare në padrejtësitë që kombit të tij i kanë ndodhur, në përpjekjet mbinjerëzore që ky popull historikisht është përpjekur të mbijetojë në liri dhe trojet e tij. Buza na sjell natyrshëm magjinë dhe misterin e jetës së popullit kosovar, zakonet dhe doket tradicionale, heronjtë dhe burrat e Kosovës, jetën e përditshme sipas “filozofit piktor”, që të magjeps dhe të trondit, që ashtu si në sixhadet e mrekullueshme të Kosovës, ai “end e qëndis” me penel historinë e saj. Individualiteti i mjeshtrit Buza tashmë vlerësohet edhe për stilin e tij dhe paletën piktorike që edhe pse shpaloset në tablo të përmasave modeste janë monumentale e shpesh madhështore e që përshkohen nga misteri i një bukurie pa cak.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.