20 inovatorët që po ndryshojnë botën tonë

27/11/2017 1:17 PM 0 komente

Revista amerikane “Rolling Stone” i ka kushtuar një shkrim gjenive revolucionarë të kohës sonë, që me idetë e tyre po përmirësojnë realitetin në të cilin jetojmë

 

1.Elon Musk

Me disa ide brilante – shkruan Rolling Stone – disa njerëz po ndryshojnë botën tonë e ndoshta do ta shpëtojnë. Cilët janë heronjtë e kohës sonë? Lista e përpiluar nga revista amerikane është e përbërë nga burra dhe gra që janë kryesisht të panjohur për publikun e gjerë. I vetmi në listë, i cili është vërtet një personazh i famshëm, është Elon Musk. 46-vjeçari është një nga njerëzit më të fuqishëm në botë, pasuria e të cilit shkon më shumë se 20 miliardë dollarë, falë shoqërive inovative të krijuara prej tij, ndër të cilat PayPal (shërbim pagesash online), Tesla (makina elektrike), SpaceX (kompani hapësinore) dhe Solar City (energji diellore). Musk ka ndërtuar veturën e parë sportive elektrike të kohës moderne, Tesla Roadster, dhe ndër të tjera ka projektuar Hyperloop. Inxhinieri Musk është cilësuar nga Rolling Stone si “Arkitekti i së ardhmes”, por ai pëlqen ta cilësojë veten si “Teknolog”.

 

2.Bren Smith

Personazhi i dytë në listë është ish-marinari kanadez, Bren Smith, themelues i GreenWave, shoqëri që merret me kultivimin nënujor të algave dhe mbarështimin e karkalecave të detit larg brigjeve të Konektikatit në SHBA.
Nëpërmjet një modeli agrikulture ekologjik synon të reduktojë ndotjen, aciditetin e ujërave dhe prodhimin e kulturave ushqimore dhe të qëndrueshme.

 

3.Anthony Romero

Anthony Romero është drejtues i ACLU (American Civil Liberties Union), organizata kryesore në mbrojtjen e të drejtave civile dhe individuale. Fëmijë i një familje emigrante portorikane dhe një gay i deklaruar, është një ndër zërat kryesorë në administratën e Donald Trump.
Në vitin e fundit ka prezantuar më shumë se 100 veprime ligjore kundër rregullave të diskutueshme si Muslim Ban ose ligjin që kërkon të shkatërrojë të drejtat e të ashtuquajturve Dreamers.

 

4.Simona Levi

E lindur në Itali, Simona Levi është themeluese e Xnet, shoqëria iberike jofitimprurëse, e cila synon të luftojë korrupsionin. Falë aktivizmit dhe denoncimeve, këtë vit, dhjetëra ish-drejtues bankash dhe anëtarë të këshillit të administratës së vetë instituteve financiare spanjolle janë dënuar me burgim ose ndëshkuar me gjoba. “Është sikur Occupy Wall Street t’i kishte çuar bankierët përpara drejtësisë”, – shkruan Rolling Stone.

 

5.Billy Parish

36-vjeçari Billy Parish ka themeluar Mosaic, site crowdfunding që financon instalimin e paneleve solare në shtëpitë e amerikanëve dhe projektet e energjisë së pastër. Platforma funksionon si një bankë virtuale e energjive të rinovueshme: kërkon oferta për qytetarët dhe paguan edhe dividentët. Mjafton të regjistrohesh dhe të dhurosh të paktën 25 dollarë me të cilat financohet një kuotë. Deri më sot, Mosaic ka financuar më shumë se 1 miliard dollarë panele diellore. Parish e konsideron një kapitalizëm dashamirës, një biznes që mund të bëjë para dhe mbi të gjitha, një mënyrë për të shpëtuar planetin.

 

6.Kyle Vogt

32-vjeçari Kyle Vogt është themelues i Cruise Automation, startup e cila kohët e fundit është blerë nga General Motors për 1 miliard dollarë për zhvillimin e makinave automatike. “Premtimi më i madh i makinave automatike është që mund të parandalojnë aksidentet dhe të shpëtojnë miliona jetë”, deklaron Vogt.

 

7.Kamala Harris

Kamala Harris është një nga personat më premtues të politikës amerikane (anëtare e Partisë Demokratike). 53-vjeçarja, vajzë e një familjeje emigrante, e diplomuar në juridik, Prokurore e Përgjithshme në Kaliforni, ka mundur bankat e mëdha amerikane, duke siguruar një marrëveshje 25 miliardë dollarë mbi konfiskimet e shtëpive. Në vitin 2016 u kandidua në zgjedhjet për Senatin dhe u bë gruaja e dytë afro-amerikane e cila është zgjedhur në Capitoll Hill. Në Uashington, ajo ka sponsorizuar projektin Medicare for All të Bernie Sanders. Një shprehje e saj e famshme thotë: “Kur idealet dhe vlerat tona më të rëndësishme rrezikohen, tërhiqemi apo luftojmë? Unë them: luftojmë”.

 

8.Chase Adam

Chase Adam është themelues i Watsi, aplikacioni që ka si projekt ambicioz të mbledhë në një databazë të vetme informacionet mjekësore dhe shëndetësore të të gjithë qytetarëve amerikanë “Ju regjistroheni, të dhënat tuaja hyjnë në aplikacion një herë, ju nuk duhet të përpiloni një tjetër”, thekson Adam. Aplikacioni Watsi lidhet me një databazë kombëtare regjistrash mjekësore dhe sigurimesh, në mënyrë që kur një pacient shkon në spital – “ka të gjitha informacionet e nevojshme”. “Watsi – shkruan Rolling Stone – është një startup teknologjik, që do të modernizojë burokracinë e tmerrshme të shërbimit mjekësor në të gjithë botën”.

 

9.Chido Govera

31-vjeçarja Chido Govera, e mbetur jetime në moshën 7-vjeçare, në zonën rurale të Marange në Zimbabve, ka marrë pjesë në një program trajnimi për vajzat e reja për kultivimin e kërpudhave. Sot, 31 vjeç, drejton Future of Hope, organizata që mëson më shumë se 2500 studentë (nga Berkeley në Mongoli) të kultivojnë kërpudha si një burim ushqimi dhe të ardhurash në vendet e varfra në botë. “Nuk ka një zgjidhje për të zgjidhur gjithë problemet që prekin shoqërinë tonë – deklaroi ajo. – Qëllimi im është të përhap artin e kultivimit të kërpudhave, në mënyrë që të ndihmoj të gjithë njerëzit që kanë nevojë”.

 

10.Jordi Riba

Doktori spanjoll Jordi Riba ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në studimin e proceseve neurokimike në bazë të Ayahuasca, një halucinogen me origjinë bimore nga Amazona. Riba identifikoi ndryshime të mundshme në trurin e atyre që pinë Ayahuasca për një kohë të gjatë. Ndër të tjera zbuloi se Ayahuasca mund të nxisë krijimin e qelizave të reja në tru. Studimi mund të ndihmojë në zhvillimin e terapive për të luftuar Parkinsonin dhe Alzheimer. “Jam i bindur që në 50 vjet do të dimë më shumë për trurin tonë – deklaroi Riba. – Nuk mendoj se do të duhet shumë para se të shohim këto substanca të përfshira në arsenalin teraupetik”.

 

11.Tristan Harris

Tristan Harris është një ish-designer i Google dhe veçanërisht një “i penduar” në botën teknologjike. Në vitet e kaluara ka themeluar Time Well Spent, një fondacion që ka si qëllim “të pengojë kompanitë teknologjike të sekuestrojnë mendjet tona” dhe synon një “Rilindje të web design” me produkte që të mos dëmtojnë shëndetin e përdoruesve”.

 

12.Alex Steffen

Alex Steffen është autori i librit Carbon Zero, vepër ambientaliste ku përfytyrohen qytetet e mbipopulluara të së ardhmes si kufiri ideal për të luftuar ndryshimet klimatike. Sa më shumë që qytetet të popullohen – kostot e tyre energjetike për frymë zvogëlohen.
“Gabimi më i keq që mund të bëjmë është që të mendojmë se bota e dhjetë viteve të ardhshme do të jetë si dhjetë vitet e fundit”.

 

13.Daniel Gross

Inteligjenca artificiale shpesh lidhet me skenarë si humbja e vendeve të punës dhe padronët robotë. Daniel Gross, i cili drejton startup AI e Y Combinator, mendon se skenari vërtet i frikshëm është një shoqëri që dominohet nga një grup kompanish të mëdha, të afta të kontrollojnë një botë kompjuterësh që mendojnë. “Disbalanca e fuqisë mund të çojë në kontrollin e të dhënave personale dhe një pabarazi ekstreme sociale. Personalisht jam gati të luftoj për të garantuar që të jenë shumë startup në konkurrencë dhe jo vetëm pesë kompani monolitike”.

 

14.Andrea Dutton

Andrea Dutton është një studiuese gjeokimike në Universitetin e Floridës e cila prej kohësh po drejton studime interesante në koralet e fosilizuar për të zbuluar pasojat e ngrohjes globale dhe ngritjes së nivelit të ujit. Nga studimi i koraleve fosile rreth 125 mijë vjet më parë, të gjetura në disa ishuj të Oqeanit Indian, ka vënë re se temperatura mesatare globale është pak më e ngrohtë se ajo aktuale. “Jam një shkencëtare dhe e dua punën time – tregon ajo. I bëj këto studime, jo vetëm sepse e dua shkencën, por edhe sepse jam e interesuar për të ardhmen dhe botën që do t’u lëmë fëmijëve tanë”.

 

15.Kendra Kuhl, Nicholas Flanders dhe Etosha Cave

Kendra Kuhl, Nicholas Flanders e Etosha Cave janë ish-studentë të Universitetit të Stanford dhe themelues të Opus 12, një startup që ka zhvilluar një reaktor në gjendje të përthithë gazin serrë dhe ta konvertojë në elemente me bazë karboni që përdoren për të prodhuar lëndë djegëse plastike dhe likuide. “Çështja – thonë ata – është t’ia dalim mbanë të riciklojmë emetimet në produkte të reja në vend që t’i shpërndajmë ato në ajër”.

 

16.David Kirtley

David Kirtley është themelues dhe administrator i deleguar i Helion, bën pjesë në një grup shkencëtarësh që ka zhvilluar Fusion Engine, një central elektrik me përmasat e një shtëpie të lëvizshme që në të ardhmen mund të furnizojë një qytet të vogël duke përdorur një sasi minimale lëndësh të para.

 

17.David Benjamin

David Benjamin është një designer i famshëm nga Nju Jork, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e studios Living, ka projektuar vepra të jashtëzakonshme bioarkitekturore. Në vitin 2014 prezantoi në MoMa në Nju Jork një instalacion të përkohshëm të quajtur Hy-Fi. I gjithë instalimi është i qëndrueshëm dhe me ndikim zero të emetimeve të dioksidit të karbonit dhe konsumit të energjisë.

 

18.Josh Evans, Roberto Flore, Michael Bom Frøst

Për tre vjet – Josh Evans, Roberto Flore dhe Michael Bom Frøst – udhëtuan nëpër të gjithë botën, duke kataloguar më shumë se 150 lloje insektesh të ngrënshme në Nordic Food Lab, një think-tank kulinar i krijuar nga kuzhinierët e famshëm René Redzepi e Claus Meyer. Së fundi ata kanë shkruar “On eating insects – ese, histori dhe receta”, manual me receta insektesh dhe tregon për përfitimet e kësaj diete të pasur me proteina. që për shumë studiues do të ndryshojë zakonet e të ngrënit të njerëzimit.

 

19.Kate Orff

Kate Orff është një designer gjeniale, e cila me shoqërinë e saj të arkitekturës së peizazhit SCAPE, është drejt përfundimit të punëve futuristike. Në bregun jugor të Staten Island, i shkatërruar nga uragani Sandy, po ndërton një seri barrierash dhe habitatesh natyrore për ta bërë bregun më rezistent. “Po përpiqem të ideoj projekte që t’u japin mundësi njerëzve të ndihen pjesë e një procesi për të ndryshuar qytetet dhe komunitetet”, ka deklaruar arkitektja.

 

20.Sue Sisley

Psikiatria Sue Sisley ka bërë studime pioniere mbi përfitimet mjekësore të kanabisit dhe në të njëjtën kohë ka denoncuar burokracitë që prej shumë kohësh kanë penguar kërkimin në SHBA. “Qeveria e SHBA e ka penguar sistematikisht prej vitesh këtë punë – ka deklaruar ajo. – Për të bërë punën tonë – jemi detyruar të bëhemi aktivistë. Në të vërtetë, ne donim vetëm të bënim shkencë”.

Burimi: Corriere della Sera

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz