Rënia e blerjeve të makinave të reja dhe makinerive e pajisjeve ka ulur ritmet e rritjes në tregun e qirasë financiare. Operatorët e leasing presin rritje këtë vit, por vetëm pas kapërcimit me sukses të situatës zgjedhore
Nga Laura çela
Rënia e sektorit të ndërtimit dhe si pasojë ulja e investimeve në këtë sektor ka ulur ritmet e rritjes së tregut të qirasë financiare (leasing). Të dhënat nga kompanitë e leasing-ut në Shqipëri konfirmojnë se rritja totale e tregut ka qenë rreth 10% në 2010-n, krahasuar me një vit më parë, shumë më e moderuar se vitet e mëparshme.
Kompanitë janë duke financuar gjithnjë e më shumë blerjen e makinave të reja për individët, ndërsa blerjet e pajisjeve dhe makinerive kanë ulur peshën e tyre.
Ida Shehu, drejtore e “Raiffeisen Leasing”, thotë se 2010-a kishte një ritëm rritjeje më të ulët se 2008-2009, por gjithsesi ishte një vit i mirë, duke pasur parasysh aktivitetin e ngadalësuar ekonomik në përgjithësi.
“Viti 2009-2010 shënoi rritje prej 8% të portofolit të leasing-ut në Shqipëri.
Kjo ka ardhur kryesisht nga rënia e kërkesës së biznesit, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe transportit”, thotë Shehu.
Një fenomen që po vihet re nga drejtuesit e kompanive të leasing-ut është “frika” që ata kanë kur financojnë biznese, kryesisht të ndërtimit.
“Ne shpesh kemi hezituar të financojmë kompani apo biznese, sepse druajmë për korrektësinë e pagesave të tyre”, thotë Fatos Aliaj, drejtor i përgjithshëm i “Tirana Leasing”. Sipas tij, ndërtuesit kanë probleme në pagesa, si pasojë e mosshitjes së objekteve që kanë ndërtuar, por edhe nga vonesat në shlyerjen e detyrimeve nga qeveria, në rastet kur ata kanë kryer punime publike.
Edhe Ida Shehu pohon se në leasing, si të gjithë aktivitetet e tjera financuese dhe kredituese janë shfaqur probleme, sidomos në klientët që i përkasin sektorit të ndërtimit. “Kjo ka ndikuar edhe në uljen e ritmit të rritjes së biznesit krahasuar me 2009-n në të gjithë tregun e leasing-ut, por gjithsesi presim që situata të vijë duke u përmirësuar”, shpjegon drejtorja e “Raiffeisen Leasing”.
Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e kompanive të leasing të synojnë individin, duke financuar kryesisht makinat e vogla.
Drejtori i “Credins Leasing”, Fatmir Sulo, thotë se raporti i financimeve ka shkuar gjithnjë e më shumë në favor të automjeteve të reja, që për 2010-n kanë zënë 80% të portofolit kundrejt 70% që ishin një vit më parë. Ndërsa në vitin 2009, financimet për makinat e reja ishin 70%, pjesa tjetër shkoi për pajisje dhe makineri.
Sipas Fatmir Sulos, rënia e peshës së financimeve për pajisje ka ardhur për shkak të rënies së kërkesës nga biznesi, sidomos si pasojë e rënies së sektorit të ndërtimit, por edhe të shëndetësisë apo printimeve.
“Në fakt, ndryshimi i portofolit është shqetësues, sepse tregu i automjeteve të reja mbetet gjithsesi i vogël, por shumë më i shëndetshëm nga pikëpamja e financimit se për mjetet e rënda apo makineritë prodhuese”, thotë Sulo.
Si u nda tregu
Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton se gjatë 9 muajve të vitit 2010, tregu i leasing-ut ka xhiruar rreth 13.5 milionë euro, me rritje të vazhdueshme çdo 3-mujor.
Ndërkohë, operatorët konfirmojnë se “Raiffeisen Leasing” zë rreth 50%, ndërsa pjesa tjetër ndahet nga kompanitë e tjera të qirasë financiare.
Kompanitë thonë se tregu është më i madh, dhe për 2010 ato përllogarisin që vetëm kompanitë e mëdha kishin së bashku një xhiro prej rreth 65 milionë euro.
Sipas operatorëve, tregu ka pasur rritje të totalit të aktiveve 10%.
Sot, në Shqipëri, janë pesë kompani të mëdha leasing-u, “Raiffeisen Leasing”, “Tirana Leasing”, “LandLease”, “Credins Leasing” dhe më e reja në treg, “SogeLease”. Por tregu dominohet nga “Raiffeisen Leasing” dhe “Tirana Leasing”, që mbështeten nga dy institucionet bankare, “Raiffeisen Bank” dhe Grupi Bankar i Pireut.
Sektori dominohet tërësisht nga tregu i blerjes së makinave të reja, ndërkohë që njohësit e tregut pranojnë se lista e produkteve mbetet e shkurtër, edhe po të krahasohet me vendet e rajonit, në të cilët ky treg ka gjetur hapësirë pak a shumë në të njëjtën kohë. Më pas, në listën e produkteve më të shitura nëpërmjet leasing-ut vijnë mjetet e transportit, duke nisur nga autostradat e furgonët e më pas mjetet e transportit të rëndë.
“Mbi 50-60% e tregut ka të bëjë me financimin e makinave”, thonë operatorët. Pjesën tjetër, 15-20%, e zë financimi i blerjes së kamionëve dhe 20% të tjera për makineri dhe pajisje.
Kohëzgjatja e financimeve është gjithashtu pak a shumë e njëjtë për të gjitha kompanitë dhe shtrihet në të shumtën e rasteve nga një në pesë vjet, ndërkohë që norma mesatare e interesit që përdorin kompanitë luhatet te 8 përqindëshi në vit.
Pak i zhvilluar
Operatorët e tregut konfirmojnë se tregu i leasing-ut vijon të jetë ende shumë pak i zhvilluar, sidomos nëse krahasohet edhe me vendet fqinje të rajonit.
“Tregu ynë është më pak se 1/10 e çdo vendi që na rrethon, pra i pazhvilluar, siç do të dëshironin të gjitha kompanitë e leasing-ut kur u krijuan”, thotë Altin Saliasi, drejtor ekzekutiv i “LandesLease”.
Një nga mangësitë më të mëdha, që po e mban “peng” zhvillimin e tregut të leasing-ut është ligji mbi përdorimin e makinave të vjetra në vend. Në fakt, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, vitin e kaluar janë importuar rreth 16 mijë automjete, nga të cilat 2600 automjete ishin me 0 kilometrazh. “Disniveli” i shitjeve ndërmjet makinave të vjetra dhe të reja, sipas operatorëve, është ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit, ku falë normative dhe akteve nënligjore është penguar importimi i makinave më shumë se 6-8 vjet të reja. Ndërkohë që në Maqedoni, Kosovë etj., nuk lejohen që të shiten makina me normative ndotje nën Euro 4, në Shqipëri nuk ekziston as edhe një ligj që e pengon këtë.
Kjo hallkë e lë shumë të pazhvilluar tregun e makinave të reja dhe njëherësh edhe leasing-un, financuesin kryesor të tij.
“Ekzistenca e makinave të vjetra, të cilat nuk shiten përmes dealerave të licencuar çon në mosrritjen e tregut të automjeteve dhe si pasojë, të bizneseve që tregtojnë makina të reja, të financimeve me leasing, të kompanive sigurimeve, të TVSH nga tatimet dhe të një ambienti të pastër. Pra humbasin të gjithë”, thotë Saliasi. Rënia e tregut të makinave të reja me 10% në 2010, ka “detyruar” edhe drejtuesit e “LandesLease” që të fokusohen shumë më tepër në financimin e makinerive dhe pajisjeve për të ruajtur nivelet e rritjes.
“Kriza shkakton çrregullime financiare te biznesi, i cili vuan për likuiditet dhe për mendimin tim, leasing-u është produkti i duhur që ndihmon drejtpërdrejtë biznesin.
Leasingu rritet në periudha krizash dhe ndryshon strukturën e portofolit të tij në varësi të nevojave të zhvillimit të ekonomisë vendase. Ne si kompani jemi fokusuar pikërisht te biznesi, që ka nevojë për financime në automjete, pajisje, linja prodhimi”, thotë drejtori ekzekutiv i “LandesLease”.
Pengesat
– Një nga pengesat kryesore të sektorit mbetet mosrimbursimi i TVSH në çast për blerjet leasing. Drejtori i “Credins Leasing” shpjegon se kjo mungesë nuk e bën leasing-un më të favorshëm, sepse rrit automatikisht çmimin e mjetit që po financohet.
“Ne nuk kërkojmë që leasing-u duhet të jetë i përjashtuar nga TVSH, por dëshirojmë që TVSH të jetë e rimbursueshme menjëherë, ose të shtyhet mjaftueshëm. çështja është të zgjidhet një skemë që të mos e rëndojë klientin kur bën një transaksion me leasing”, thotë Fatmir Sulo.
Leasing është një veprim që mbështetet mbi bazën e kalimit të pronësisë në emër të shoqërisë së leasing-ut. Por ndryshimi i pronësisë së një aktivi kërkon një transaksion blerjeje, që tatohet me TVSH. Shoqëritë e leasing-ut kërkojnë që leasing-u të mos trajtohet si transaksion shitblerjeje, por si transaksion financiar, sepse shoqëria e leasing-ut nuk ka asnjë përfitim nga ndryshimi i pronësisë së mjetit, por nga interesat mbi vlerën e financuar.
“Ai që dëmtohet më shumë në këtë rast është klienti, sepse në tarifën e leasing-ut atij i përllogaritet edhe vlera e TVSH”, thotë Sulo.
– Një tjetër pengesë për tregun duket të vijë nga mungesa e zbatimit të ligjit për sekuestron e automjeteve të debitorëve.
Drejtori i “Tirana Leasing”, Fatos Aliaj, thotë për “Monitor” se në Shqipëri nuk zbatohet ligji për bllokimin dhe rimarrjet e mjeteve.
“Prokuroria dhe Policia e Shtetit nuk i sekuestrojnë menjëherë mjetet e debitorëve, por kjo procedurë zgjat shumë, deri në 3 vjet, duke dëmtuar kompanitë e leasing. Megjithëse gjykata nxjerr vendimin për bllokim, këto dy institucione zgjasin tej mase procedurat”, thotë Aliaj. Sipas tij, edhe kur policia e gjen përdoruesin e mjetit pa autorizimin për të përdorur makinën, e lejon atë të ecë në rrugë me makinë.
ç´po ndodh
Efekt negativ po i jep tregut edhe situata politike në Shqipëri. Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë “Final”, Emin Barçi, në periudha zgjedhjesh, individët reduktojnë konsumin dhe reduktojnë huamarrjen dhe si pasojë, edhe në kompanitë e financimit do të ndihet një lloj “rrudhje” e kërkesës.
“Është normale që në periudha delikate, individët të mendojnë se nëse marrin një kredi, a do të mund ta shlyejnë atë në të ardhmen”, thotë Barçi.
Të njëjtin fakt e konfirmojnë thuajse të gjithë operatorët e pyetur nga “Monitor”. “2011-a ka filluar i ngadaltë, ashtu si një vit më parë, por ne besojmë se situata do të përmirësohet në muajt në vazhdim kur do të fillojnë edhe investimet”, thotë Ida Shehu e “Raiffeisen Leasing”.
Të njëjtin fakt e konfirmon edhe Fatos Aliaj i “Tirana Leasing”, sipas të cilit, vihet re një lloj druajtje për të marrë financime, kjo si pasojë e situatës politike.
“Nëse këto zgjedhje do të kalohen pa probleme dhe me sukses atëherë presim rritje shumë të mira rritjeje”, thotë Aliaj.
Në këtë situatë, operatorët po vënë re një tjetër fenomen, rritjen e blerjeve “me para në dorë”, duke ulur blerjet përmes financimeve.
“Për sa i përket tregut të makinave, ai shënoi një rënie të vogël pasi më shumë se gjysma e makinave blihen me cash”, thotë drejtorja e “Raiffeisen Leasing”.
Të njëjtin fakt e konfirmon z. Aliaj: “Efektet e stanjacionit po ndihen në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe po rritet numri i klientëve që blejnë me cash, sepse është rritur frika për ekonominë”.
Avantazhe & Dizavantazhe
– Leasing ka përparësitë e veta në raport me kredinë, sepse kur blen me leasing, klienti nuk ka nevojë të mendojë për të gjetur një kolateral, pasi vetë produkti i blerë shërben si garanci për shoqërinë e leasing-ut.
Kjo është një lehtësi, sepse klienti nuk bllokon kolateral shtesë.
– Por leasing-u ka dizavantazhin e taksave. Nëse një klient ka një kolateral, natyrshëm do të zgjedhë kredinë për të financuar blerjen, sepse leasing-u e rëndon me TVSH.
– Leasing-u ka aset mjetin apo pajisjen dhe është konsumator i madh i kapitalit dhe njëkohësisht është pararoja e zhvillimeve të produkteve të reja apo tërheqjes së kapitaleve të huaja. Leasing-u është produkti që shtyn bankat që të përmirësojnë procedurat e kredidhënies për klientët.
– Nëse një makineri importohet nga një biznes përdorues, pagesa e TVSH-së mund të shtyhet deri në një vit. Shoqërive të “leasing”-ut nuk u njihet kjo e drejtë.
Modeli i ri i financimeve të vogla
“Final” ka sjellë një model të ri biznesi në tregun shqiptar, që po njeh ritme të larta rritjeje. I licencuar për të ushtruar aktivitetin e leasing-ut financiar në vitin 2009, kompania është përqendruar në financimet e vogla deri në 100,000 lekë kryesisht për blerjen e pajisjeve shtëpiake, mobilieve, pajisjeve kompjuterike, duke u lidhur me një rrjet të gjerë dyqanesh. Pas rreth një viti e gjysmë, që operon në treg, Emin Barçi, drejtuesi i Final, thotë se ritmet e rritjes së kompanisë janë rreth 29% çdo muaj.
“Sipas të dhënave tona, në 3-mujorin e parë të vitit 2011 ne kemi një xhiro rreth 112% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2010”, thotë Barçi.
Fokusi i kompanisë ka qenë financimi i individëve dhe kryesisht atyre që nuk kanë të ardhura të larta. Tashmë kompania, e vetmja në këtë fushë, operon në 7 qytete dhe rreth 340 dyqane dhe kryesisht ka financuar blerjen e pajisjeve elektroshtëpiake, mobilieve etj. Planet janë për t´u zgjeruar dhe në 5 qytete dhe për ta rritur numrin dyqaneve në rreth 500, ndërsa xhiro pritet të dyfishohet në 2011.
Fleksibiliteti i jep kompanisë një avantazh konkurrues, pasi klienti mund të marrë produktin vetëm duke paraqitur kartën e identitetit dhe një librezë dritash, që vërteton adresën e banimit, dhe më pas klienti shlyen produktin me këste, që i paguhen “Final”. Shuma mesatare e një financimi rezulton 38,500 lekë, sipas Barçit.
Megjithëse risku i kreditimit është i lartë, të dhënat e kompanisë konfirmojnë se kreditë e këqija zënë rreth 5.4% të portofolit.
“Ky është një lloj biznesi që ka ecur mjaft mirë në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, sidomos pas vitit 2009, ku efektet negative të krizës ekonomike u rritën. Por edhe në Shqipëri po ecën mirë, sepse ndihmon njerëzit e të gjitha shtresave që të blejnë ato që u nevojiten”, thotë drejtori i “Final”, Emin Barçi.
TABELA
Financimi sipas produkteve:
Makina të reja Makineri & Pajisje (%)
Raiffeisen Leasing
2010 32 68
Tirana Leasing
2010 90 10
Landeslease
2009 70 30
2010 64 36
Credins Leasing
2009 70 30
2010 80 20
Burimi: Kompanitë e Leasing
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.