Kreditë e këqija, më të ulëta se rajoni. Vetëm USHKK jep 5500 kredi të reja
Ndërsa kushtet e kreditimit të sipërmarrjeve e individit mbetën të forcuara edhe këtë vit, mikrofinanca ka vazhduar të ruajë ecuri të mirë.
Operatorët kryesorë të mikrofinancës në vend tregojnë se kanë dhënë më shumë kredi gjatë 2011-s krahasuar me një vit më parë. Drejtorja ekzekutive e Unionit SHKK (Unioni i Shoqatës së Kursim Kredive) Zana Konini, pohon se gjatë këtij viti janë dhënë më shumë kredi nga Unioni i Kursim Kredive. SHKK financoi këtë vit 5500 familje fshatare, me një vlerë totale prej 2,1 miliardë lekësh, ndërkohë që vlerësohet të jetë rritur edhe niveli i depozitave.
Më pak të ekspozuara ndaj efektit të krizës, institucionet mikrofinanciare janë shumë më mirë se bankat e nivelit të dytë në treguesin e kredive të këqija. “Niveli i kredive të këqija shënon 6.8% për këtë vit, ky është një nivel më i ulët nga ai i sistemit bankar, me të cilin ju jeni njohur. Madje mund t´ju them se niveli i kredive të këqija në vendin tonë është shumë më i ulët se sa në rajon”, pohon Konini.
Për të qenë më konkurrues në treg dhe për t´iu përshtatur kushteve, edhe institucionet e mikrofinancës diversifikuan portofolin e produkteve të tyre. Sipas Koninit, “gjatë këtij viti kemi bërë diversifikime të produkteve financiare, duke pasur kujdes që ato të jenë sa më të përshtatshme në plotësimin e nevojave specifike të popullatës që i shërbejmë”. Nga institucionet mikrofinanciare përfiton kryesisht një sektor i rëndësishëm për ekonominë, por pothuajse aspak “i mirëpritur” nga bankat tregtare. Bujqësia vazhdon të paraqesë një risk të lartë për bankat. Avantazhi kryesor i mikrokredisë është se ajo nuk kërkon garanci për hipotekë.
Përmes financimit të fermerëve me mikrokredi dhe shërbimeve të tjera financiare, institucionet e mikrokredisë në vend mbeten ofrues potencialë për më shumë se gjysmën e popullsisë (gjithë popullsinë rurale).
Ritmet u ngadalësuan nga 2010-a
Institucionet e mikrofinancës po tregojnë performancë më të mirë krahasuar me pjesën tjetër të sistemit financiar. Megjithatë, edhe për këtë pjesë të tregut, gjërat nuk janë më njësoj pas efektit të krizës financiare ndërkombëtare.
Ritmet e rritjes së tregut të mikrofinancës filluan të ngadalësohen që në vitin e kaluar. Në fund të 2010-s, stoku i kredisë për këto shoqëri u rrit gati 5% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2009, rritja ishte gati 10%. Sipas të dhënave të institucioneve mikrofinanciare, totali i kredisë aktive është pak më shumë se 150 milionë dollarë. Me ritme pak më të larta (5.5%) u rrit vlera e aseteve. Në fund të vitit të kaluar numëroheshin gati 190 milionë dollarë aktivet e institucioneve mikrofinanciare. Rritja e tyre është ngadalësuar po të shohim rritjen prej 10% që pësuan asetet e tyre në 2009-n. Vitin e kaluar, rritjen më të madhe e patën në numrin e klientëve që shtuan përreth tyre Fondi Besa, Unioni i Kursim Kreditit, Unioni Jehona, NOA dhe Fondi i Zhvillimit të Zonave Malore. Ato numërojnë së bashku më shumë se 62 mijë klientë. Krahasuar me një vit më parë, numri i tyre u rrit gati 10.4%, pothuajse me të njëjtin ritëm të një viti më parë.
Pavarësisht se ritmet e rritjes së këtij tregu janë ngadalësuar krahasuar me rreth dhjetë vite më parë (kur shifrat e rritjes ishin 20-30%), drejtuesit e institucioneve mikrofinanciare shprehen të kënaqur me ecurinë e aktivitetit të tyre.
Klientët e mikrokredisë
Mbi 62 mijë klientë, institucionet e mikrokredisë
10% rritja e klientelës (2010)
Mbi 20%, rritja e klientëve (2000)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.