Mbyllja e ciklit po i ndihmon sipërmarrjet më fason të prodhimit të veshjeve të këmbëve, ndërkohë që tekstilet nuk po arrijnë të rrisin vlerën e shtuar
Ndërsa të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e tekstileve e këpucëve e kanë marrë veten në muajt e parë të 2013-s, duke shënuar një rritje prej 6.5% me bazë vjetore për periudhën janar-maj, të dhënat më të detajuara bëjnë të ditur se ka qenë ecuria e mirë e sipërmarrjeve të këpucëve ato që kanë dhënë ndikimin kryesor në këtë performancë pozitive, në një kohë që ndërmarrjet e tekstileve nuk kanë arritur që të rrisin shitjet e tyre jashtë vendit.
Eksportet e këpucëve u rritën me 16.5% për janar-maj 2013, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa ato të tekstileve me vetëm 3%.
Për herë të parë vlera e eksporteve të këpucëve është pothuajse barazuar me atë të tekstileve për pesëmujorin 2013, ndërkohë që në 2008-n, tekstilet përbënin gati 62% të totalit të eksporteve të të gjithë grup-mallit “Tekstile dhe këpucë”.
Sipas ekspertëve, sipërmarrjet që punojnë me material porositësi për prodhimin e veshjeve të këmbës kanë pasur një ecuri më të mirë vitet e fundit, për shkak se ato kanë arritur të zhvillohen më shumë në drejtim të mbylljes së ciklit të një procesi prodhimi (nga modeli deri te produkti përfundimtar) në krahasim me kompanitë e tekstileve, të cilat vazhdojnë të bëjnë vetëm disa procese themelore, si prerja dhe qepja. Mbyllja e ciklit u ka dhënë një avantazh konkurrues kompanive të këpucëve, duke u rritur vlerën e shtuar dhe u garantuar kontrata të qëndrueshme me partnerët e huaj.
Sektori i tekstile- këpucëve punon kryesisht me material porositësi dhe është i dyti për nga pesha e eksporteve me 29% të totalit, pas atij të “mineraleve lëndëve djegëse e energjisë”.
Italia mbetet destinacioni kryesor i eksporteve si të tekstileve ashtu dhe këpucëve. Drejt shtetit fqinjë shkojnë mbi 80% e produkteve me material porositësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.