Bashkitë dhe komunat në të gjithë vendin kanë lëshuar dorën me lejet e ndërtimit në vitin 2014 pavarësisht vendimeve që bllokojnë dhënien e tyre. Sipas të dhënave të INSTAT, lejet e ndërtimit më 2014 ishin 28 për qind më të larta se, më 2013. Nga 210 lejë të reja të dhëna më 2013, më 2014 u dhanë 270 të tilla. Volumi ma i madh i lejeve ishte në tremujorin tretë me 122 leje.
Lejet e dhëna kanë dominuar kryesisht qarkun e Tiranës me 110 lejë gjatë gjithë vitit, ose 40 për qind e lejeve të dhëna në total për të gjithë vendin. Në qytetin e Fierit u dhanë 33 leje dhe qarkun Shkodrës 26 leje, në Gjirokastër 5 leje dhe qarkun e Durrësit, 10 leje.
Në tremujorin e katërt 2014 janë miratuar gjithsej 51 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave është 80.329 m2 . Lejet e miratuara për ndërtesa rezidente, (ku përfshihen ndërtesat për banim) zënë 37,3 % të numrit gjithsej të lejeve, dhe ato për ndërtesat jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele, tregtare, industriale dhe të tjera) zënë 62,7 %.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit në tremujorin e katërt 2014 shënoi një rënie prej 80,9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkaq krahasuar me tremujorin e tretë 2014 ky tregues paraqitet me një rënie prej 86,3 %. Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet Tiranë me 56,8 %, Lezhë dhe Vlorë me nga 11,8 % secila.
Tremujori i katërt shënoi sërish rënie, pas vendimit të bllokimit të lejeve të ndërtimit në fund të gushtit 2014. Gjatë fjalës së tij, në Këshillin Kombëtare të territorit në fund të muajit gusht, kryeministri Edi Rama tha se KKT-ja do të pezullojë dhëniet e lejeve të reja zhvillimore nga autoritetet vendore deri zgjedhjet e 2015.
“Do të pezullohet dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe do të pezullohen planet e detajuara vendore nga të gjitha autoritet vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e 2015”.
Sipas, Ramës, vendorët do të kenë të drejtë të japin leje vetëm në rastet kur kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me turizmin, industrinë, bujqësinë por jo ndërtime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.