SHBA dhe Kina vendosen në një tjetër sfidë në distancë për supremacinë ekonomike në nivel botëror. Sipas studimit të “Boston Consulting Group” në tregtinë përmes internetit, brenda katër viteve të ardhshme, Kina pritet të arrijë një xhiro totale prej rreth 315 miliardë dollarësh, çka do të kalonte vlerën e shifrës së gjeneruar nga transaksionet e bëra në Shtetet e Bashkuara.
Rritja e aktivitetit online në Kinë është te këto shifra: 128 miliardë yuan të regjistruara në fund të 2008-s, ndërsa në vitin 2010 xhiro e këtij aktiviteti arrin në 476 miliardë. Kjo është një hedhje trefishe e mundësuar nga fakti që 23% e popullsisë kineze me banim në qendrat urbane ka realizuar blerje në ueb gjatë vitit të kaluar. Kjo përqindje, sipas raportit të shoqërisë së kërkimeve, pritet të arrijë në 44% në vitin 2015. Pjesën e luanit në tregun “e-commerce” të Kinës e bën sot “Taobao Mall”, njësia internet e biznesit të gjigantit “Alibaba”, që ka kapur gati 80% të vëllimit të përgjithshëm të transaksioneve të bëra online në 2010-n. Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit të Rrjetit të Internetit në Kinë, vendi më i madh aziatik është sot baza e lidhjeve në botë, me rreth 485 milionë persona të lidhur në rrjet në fund të qershorit të kaluar.
Mundësitë e tejkalimit janë të gjitha dhe mes këtyre është edhe prirja e fortë e kinezëve që të shpenzojnë në bazë të rritjes së disponibilietit të tyre ekonomik.
Të ardhurat për frymë në banorët e qyteteve të mëdha e të mesme janë rritur me 8%, me rreth 19 mijë yuan (rreth 3 mijë dollarë), në 2010-n, një vlerë dyfishe krahasuar me vitin 2006. Rritja ekonomike ka ndihmuar tregun e shitjeve me pakicë, të cilat kanë pësuar zgjerim vjetor prej 17,2% në muajin tetor. Dy arsye të tjera pse pritet të rritet kaq shumë kjo lloj tregtie janë: kostot e ulëta të dërgesave, 1 dollarë për një pako nën 1 kg, krahasuar me 6 dollarë që nevojiten në SHBA dhe normativat e parashikuara për të rregulluar e lehtësuar veprimet e shitjeve online.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.