Nga Selami Xhepa/
Ekonomia e Shqipërisë gjatë tre-katër viteve të fundit ka përjetuar fort goditjen e krizës së huaj të disa prej ekonomive europiane me të cilat ekonomia jonë ka lidhje të forta, siç janë Italia dhe Greqia, ashtu sikurse ka vuajtur edhe nga mungesa e reformave të brendshme dhe pasiguritë e shtuara në klimën e biznesit. Kjo bëri që rritja e prodhimit të brendshëm të shkonte drejt ritmeve shumë të ulëta, nën 2%. Parë në një kuadër krahasues me zhvillimet në vendet e tjera të rajonit, sidoqoftë, rritja vazhdoi të ishte pozitive krahasuar me ekonomitë e Ballkanit, të cilat, përveç Kosovës, shënuan rritje negative ose rritje më të dobët. Prirjet për një rritje prej afër 2% në vitin 2014 dhe me një rritje me rreth 3% për vitin 2015, mund të dëshmojnë se duke filluar nga viti i ardhshëm, vendi do të rifutet në një trajektore më pozitive të një rritje më dinamike.
Rritja prej 3% në gjykimin tim është e arritshme, duke marrë në konsideratë edhe risqet që e shoqërojnë. Risqet kryesore lidhen më së pari me dobësitë e sistemit bankar dhe kushtet e kreditimit të ekonomisë. Rritja e kredive me probleme në sistemin bankar në gati ¼ e totalit të stokut të kredisë, së bashku me shtrëngimin e rregullave të mbikëqyrjes së bankave, duke forcuar më shumë rregullat e kujdesit me synim ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar, do të bëjnë që kredia në ekonomi të jetë modeste. Nga ana tjetër, prurjet valutore me burim nga jashtë – eksportet, investimet e huaja dhe transfertat nga emigrantët – gjithashtu do të jenë modeste. Të tre këto burime do të vazhdojnë të mbeten brenda “normalitetit” të sjelljes së tyre. Edhe pse parashikohet të kryhen disa privatizime të disa ndërmarrjeve të mbetura në pronësi shtetërore, vlera e aseteve është shumë modeste për të shënuar ndonjë volum të lartë të investimeve nga jashtë, ndërsa investimet në sektorin e energjisë, që kanë qenë faktori kryesor i hyrjes së investimeve të huaja, pritet të jenë negative, duke marrë shkas nga ndryshimet që po bën qeveria në reformën tarifore. Edhe transfertat nga emigrantët po vazhdojnë prej vitesh që të vijnë në rënie. Nga ana tjetër, rritjet e të ardhurave nga eksportet do të mbeten në po ato nivele të rritjes, si dhe në vitet e mëparshme, e për rrjedhojë nuk do të kundërbalancojnë rëniet që mund të priten nga dy kanalet e tjera. Një tjetër rrezik mbetet edhe rifinancimi i borxhit publik të emetuar në Euro (ose siç njihet, Eurobondi), duke pasur parasysh se gjatë vitit 2015 duhet të shlyhet vlera prej 200 milionë eurosh e këtij obligacioni qeveritar, duke marrë një borxh të ri. Në këto rrethana, kushtet e financimit të tregut për borxhin e ri do të jenë një faktor shumë i rëndësishëm për gjendjen e financave të vendit.
Në krahun e faktorëve që do ta mbështesin rritjen ekonomike pritet të jenë rritja e kapaciteteve shfrytëzuese të investimeve ekzistuese, rritja e produktivitetit të përdorimit të burimeve ekonomike, i nxitur nga proceset rialokuese të investimeve private që do të diktohen nga reformat strukturore.
Një nga problemet më delikate me të cilën lidhet stabiliteti makroekonomik i vendit është çështja e borxhit publik, i cili ka arritur në mbi 70% të prodhimit të brendshëm. Procesi i rritjes së borxhit publik erdhi si rrjedhojë e nevojës për t’iu përgjigjur krizës së huaj me investime më të mëdha publike, një kurs politik që është i ngjashëm me të gjithë vendet e tjera të botës. Sot, barra e borxheve publike është bërë shqetësimi kryesor për të ardhmen e ekonomisë globale. Nevoja e reduktimit të borxhit në kontekstin e ekonomisë së Shqipërisë është materializuar në një nivel më të ulët të huamarrjes së re – nga 96 miliardë lekë që ishte për vitin 2014, në 60 miliardë në vitin 2015. Po kështu, rritja e të ardhurave të buxhetit është parashikuar të jetë shumë e fortë, duke pritur që të arkëtohen rreth 46 miliardë lekë më shumë se viti 2014, një rritje kjo e pandodhur më parë. Reduktimi i huas së re në ekonomi, bashkë me rritjen e fortë të të ardhurave, do të shënojnë një kthesë në menaxhimin e borxhit publik. Po kështu, edhe disa rreziqe të fshehta që mund të cenojnë financat publike, siç ishte gjendja e rënduar e borxheve në sektorin e energjisë elektrike, janë vënë në rrugën e zgjidhjes. Një politikë e “dorës së fortë” në arkëtimin e energjisë dhe shmangien e abuzimit me të ka filluar të japë efekte pozitive dhe prandaj dhe performanca financiare e kompanisë së energjisë pritet të jetë pozitive. Nga ana tjetër, në bashkëpunim me FMN, qeveria po punon për të vendosur rregulla të reja të huamarrjes për qeverinë, duke e limituar qeverinë në këtë drejtim dhe duke e kufizuar huamarrjen sipas rregullave që nuk do të lejojnë që borxhi publik të kalojë shifrën prej 60% të prodhimit të brendshëm. Prandaj dhe gjykoj se rreziqet e “një skenari grek” në raport me borxhin publik janë të pabaza.
Rritja e ekonomisë në vazhdimësi, me ritme të qëndrueshme dhe relativisht të larta, kërkon reforma të rëndësishme strukturore dhe institucionale, inovacion nga sektori privat dhe bashkëpunim të ngushtë të të tre aktorëve kryesorë të progresit ekonomik dhe shoqëror. Edhe pse janë thënë dhe përsëriten në mënyrë të vazhdueshme, aspektet e ligjshmërisë dhe zbatimit të kontratave nuk kanë njohur asnjë zhvillim pozitiv; korrupsioni po vazhdon të mbetet endemik dhe një shqetësim madhor i shoqërisë; profesionalizmi dhe përkushtimi i administratës publike vazhdojnë të mbeten problematike; ndërhyrjet e shtetit në ekonomi shpeshherë janë të pamotivuara dhe kundërproduktive – për të përmendur vetëm disa prej sëmundjeve të ekonomisë sot. Qeveria ka një sfidë shumë të madhe që të trajtojë të gjithë këtë panoramë komplekse dhe për më tepër që bashkëpunimi midis forcave politike vazhdon të jetë problematik dhe për më tepër konfliktual. Prandaj dhe besoj se zhvillimi dhe progresi i ekonomisë do të vazhdojë të mbetet i ngadaltë, duke reflektuar stadin e zhvillimit demokratik dhe kulturor të shoqërisë.
Nga Selami Xhepa
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.