Ku po vilen taksat?
Për shkak se e ka më të lehtë që t’i vjelë, qeveria po rrit taksat ndaj konsumatorëve dhe ndaj biznesit. Sugjerimet janë për një korrektim ose rritje të taksave indirekte të tilla si akciza, TVSH-ja dhe tarifa të tjera, ndërsa nuk sugjerohen ndërhyrje në tatimet e drejtpërdrejta si tatim- fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe taksat mbi punën. Në terma të strukturës së taksimit, përgjatë viteve ka pasur një zhvendosje të taksimit nga taksat mbi tregtinë drejt TVSH-së dhe akcizave. Aktualisht shumë pak të ardhura vijnë nga tarifat doganore që u aplikohen importeve. Sipas një analize që ka bërë Ministria e Financave për ecurinë e grumbullimit të të ardhurave nga vitet 1993-2012, vihet re se taksimi indirekt (mbi konsumin) është dominant në mbledhjen e të ardhurave kundrejt taksimit të të ardhurave (individë dhe kompani) dhe pasurisë. Përgjatë 20 viteve vihet re një dominim i tatimeve që rëndojnë konsumin, siç janë: TVSH, akcizë dhe taksë doganore, kundrejt tatimeve që rëndojnë direkt të ardhurat e përftuara nga individë dhe biznese dhe pasurinë e tyre. Në ritmin e rritjes, të ardhurat nga taksimi indirekt pësojnë rritje më të theksuar se tatimet direkte, veçanërisht në periudhën 1998 deri më 2008, vit nga i cili ndihen pasojat e rënies së konsumit dhe si rrjedhojë të prodhimit të brendshëm dhe importit. Kjo ka ndodhur për faktin se tatimet indirekte janë më të thjeshta për t’u mbledhur, veçanërisht ajo pjesë që mblidhet në momentin e importit, ndërsa tatimet direkte (sidomos mbi të ardhurat individuale) për kohë të gjatë vijojnë të jenë objekt i niveleve të larta të shmangies dhe evazionit tatimor. Përveç kësaj, politika e ndjekur ka qenë ajo e uljes së vazhdueshme të normave të taksimit direkt, me fokus të veçantë tatim- fitimin; ndërsa lidhur me taksimin indirekt, norma e TVSH-së është mbajtur e pandryshuar që në vitin 1996 (kur hyri në fuqi tatimi mbi vlerën e shtuar) dhe akciza ka pësuar rritje të vazhdueshme për mallrat kryesore si karburante dhe cigare. Në terma shumë të përgjithshme, totali i të ardhurave në buxhet ka kaluar nga 33.5 miliardë lekë në vitin 1993, në 360 miliardë lekë në vitin 2014, me një rritje prej 11 herë.
Mapo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.