Faktorët gjeopolitikë, zgjedhjet në disa shtete të Europës dhe inaugurimi i presidencës së Donald Trump do të kontribuojnë në një kontekst të lartë pasigurish në 2017-n. Për shkak të pritshmërisë së rritjes ekonomike prej 2.5% në 2016-n, analistët e pyetur nga FocusEconomics projektojnë një rritje ekonomike globale me një përmirësim të lehtë prej 2.9% në 2017-n dhe që do të vazhdojë rreth kësaj shifre dhe në dy vitet e ardhshme. Përmirësimet e projektuara në 2017-n mbështeten kryesisht në supozimet e analistëve se ekonomia globale do të vazhdojë të nxitet prej rimëkëmbjes së vazhdueshme të vendeve të zhvilluara, mbështetur nga politikat monetare lehtësuese në disa prej tyre dhe politika fiskale në vende të tjera, si dhe nga aktiviteti i fortë ekonomik në pjesën më të madhe të vendeve në zhvillim.
Disa kërcënime qëndrojnë. Ndër këto kërcënime janë bllokimet e mundshme të negociatave të Brexit, rishfaqja e një episodi tjetër të vështirë kinez siç ndodhi herët në 2016-n, me pasoja në ngadalësimin e ekonomisë së saj, si dhe një pasiguri e lidhur me politikat ekonomike të administratës Trump, të cilat kanë potencialin që të ndezin situatat në mënyrë drastike në ekonominë botërore. Për sa u përket rreziqeve politike, vala e ndryshimeve e parë gjatë vitit 2016 në disa shtete përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Italinë do të vazhdojë dhe në 2017-n së bashku me ngjarjet e fundit të pasigurta gjeopolitike.
Duke vështruar vendet veçmas, pikëpamja botërore për këtë muaj tregon për një rishikim në rritje të perspektivës së ekonomive të mëdha sikurse janë vendet e Eurozonës, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Parashikimi për rritjen ekonomike për Mbretërinë e Bashkuar u përmirësua muajt e kaluar, sikurse dhe shqetësimet mbi votën për të dalë nga Britania janë zbehur.
Për sa u përket ekonomive në zhvillim, perspektiva ekonomike për Brazilin, Rusinë dhe Indinë u përkeqësua në muajt e kaluar, ndërsa projeksioni i rritjes së PBB-së kineze mbetet i qëndrueshëm. Në nivel rajonal, vetëm perspektiva e rritjes për Amerikën Latine dhe Afrikën Nënsahariane u përkeqësua nga muajt e kaluar.
Për sa u përket ekonomive më të pasura, ekonomia e Shteteve të Bashkuara padyshim ka pozicionin më të mirë, edhe pse rritja ka pasur një ritëm prej 1.5%. Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka dhënë shenjat për stimuj fiskalë. Në Europë, edhe pse treguesit më të fundit tregojnë se rajoni do të marrë veten, besimi në Eurozonë ka vazhduar të dëmtohet nga rreziqet politike, rritja në shkallë kombëtare e opozitave në rajon dhe vështirësia e BE-së për të zgjidhur daljen e Britanisë prej saj. Rreziqet që do të përballet Europa, sikurse janë dilemat mbi të ardhmen e Greqisë, kriza e emigracionit dhe vështirësitë e sektorit bankar ka gjasa t’i nënshtrohet ndryshimeve për tani. Në zonën e monedhës së përbashkët, rritja ekonomike ka qenë në nivelet 1.5% për 2016-n. Fati i Japonisë lidhet me atë se çfarë vendet europiane po përpiqen që t’i shmangnin. Rritja e PBB-së në Japoni mbeti e vakët gjatë 2016-s, në rreth 0.5%. Ekonomia vazhdon të tkurret nga forca punëtore e zvogëluar, për shkak të moshës së madhe dhe kontrollit të fortë të emigracionit.
2016 provoi se ishte një vit më pak i sigurt për pjesën më të madhe të ekonomive në zhvillim se sa ishte parashikuar.
Pritshmëritë e ngushtimit të ciklit të SHBA në 2016 humbën gjatë vitit, rritja e parë u shty deri në fund të vitit dhe forcimi i dollarit ngeci. Kjo nxiti shumë banka qendrore të vendeve në zhvillim që të ulnin normat e interesit, për të nxitur të ardhurat e disponueshme.
Në termat e çmimeve të mallrave, më 30 nëntor, çmimet e naftës së papërpunuar u rritën në nivelin 50 dollarë për fuçi për herë të parë që nga tetori pasi OPEC-u firmosi një marrëveshje për të reduktuar prodhimin e naftës me 1.2 milionë fuçi në ditë, në rreth 32.8 milionë fuçi në ditë për gjashtë muaj, që nga janari i vitit 2017. Tregjet reaguan pozitivisht ndaj marrëveshjes, e cila përfshin dhe një mundësi për të zgjatur deri në fund të 2017-s. Në dy javët e para të dhjetorit, çmimet naftës së papërpunuar tejkaluan 57 dollarë për fuçi për shkak se karteli i naftës tha se kishte arritur një marrëveshje dhe me vendet joanëtare të saj, kryesisht Rusinë dhe të tjerë eksportues të mëdhenj të naftës së papërpunuar, se do të pakësonin prodhimin e tyre në 558 mijë fuçi në ditë.
Cikli i normave të lira të interesit po mbaron
Shumë banka qendrore në botën e zhvilluar kanë ndjekur një politikë shumë të lirë monetare në përpjekje për të mbështetur konsumin e familjeve dhe investimet e bizneseve. Tetë vite pas fazës akute të krizës globale financiare, bota e zhvilluar ende po i përdor bankat qendrore si patericë. Në mesin e ekonomive të zhvilluara, normat e interesit janë në rekordet e tyre më të ulëta dhe disa prej tyre po eksperimentojnë me politika avangardë me shpresën se do të stimulojnë kërkesën e brendshme. Megjithatë është e qartë se të tilla politika aktualisht po mbështesin rritjen ekonomike, megjithëse kanë sjellë shpërqendrime të tregjeve të aseteve, është e vështirë për të parë se si këto ekonomi do të shikojnë veten jashtë mbështetjes së bankave qendrore. Në Shtetet e Bashkuara, skenari i normave të larta të interesit vazhdon të forcohet. Në takimin e fundit për politikën monetare të 2016-s, Rezerva Federale shpalli vendimin e tij për të rritur normat e interesit.
FMN-ja redukton përsëri parashikimin e rritjes së Britanisë për 2017
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka reduktuar përsëri parashikimin e rritjes ekonomike për 2017-n dhe rishikoi me rënie përllogaritjen e rritjes në afat të mesëm nga 2.1% në 1.9%.
Në korrik, afër me referendumin e 23 qershorit, FMN-ja ka parashikuar në rënie rritjen e PBB-së nga 1.9% në 1.7% dhe parashikimin për 2017-n nga 2.2% në 1.3%.
Fondi gjithashtu deklaroi se ka rishikuar në rënie dhe parashikimin për rritjen e mundshme të PBB-së në afatmesëm për shkak të pritshmërive se migrimi i ulët, tregtia dhe rrjedha e kapitalit do të tarifohen.
Rezultatet e anketave dhe disa prej të dhënave nga Zyra e Statistikave Kombëtare të mbledhura pas votimit ka bërë që një pjesë e ekonomistëve të rishikojnë pritshmëritë e tyre dhe se Mbretëria e Bashkuar do të hyjë në një recesion të ri këtë vit.
Banka e Anglisë aktualisht parashikon një rritje prej 0.3% në tremujorin e tretë, pas zgjerimit me 0.7% gjatë tremujorit të dytë. Por, FMN-ja deklaron se rritja ka shumë gjasa që do të ngadalësohet në dy vitet e ardhshme, si pasojë e pasigurisë që peshon tek investimet e firmave private punësimi.
Duhet shtuar edhe se besimi konsumator ka gjasa që të jetë i ndikuar negativisht dhe se inflacioni do të rritet ndjeshëm në rreth 2.5%, falë zhvlerësimit me më shumë se 10% të sterlinës prej votës së 23 qershorit.
Fondi tha se parashikimi i tij i fundit, të cilat janë shumë pranë me projeksionet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik OECD, u bënë mbi supozimet se negociatat e daljes së Britanisë me pjesën tjetër të BE-së do të ishin të lehta dhe se do të kishte vetëm një shtim të kufizuar të barrierave ekonomike.