Ekonomia e vendit do të rritet me ritmet 4.3, 4.4 dhe 4.5% gjatë periudhës 2019-2021, sipas parashikimeve të qeverisë në projektbuxhetin afatmesëm.
Më konkretisht, rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin prej 4.3% në vitin 2019 nga 3.8% e vlerësuar për 2017-n dhe 4.2% për 2018-n.
Edhe në dy vitet e tjera, 2020 dhe 2021, ajo parashikohet të vijojë të përshpejtohet marxhinalisht me rreth 0.1 pikë përqindje në çdo vit, respektivisht në 4.4% në vitin 2020 dhe 4.5% më 2021.
Investimet, prioritet PPP në rrugë
Për investimet publike synohet ruajtja e raportit prej 5% ndaj PBB-së, do të kanalizohen në sektorët kyç për zhvillimin ekonomik dhe social, si: – Infrastruktura rrugore nacionale Përqendrimi i financimeve buxhetore për kompletimin e akseve të rëndësishme nacionale: Thumanë–Vorë–Kashar, Kashar–Rrogozhinë, Milot–Balldren, Orikum–Dukat dhe Kardhiq–Delvinë; si dhe bypass-et e Fierit dhe Vlorës për shumën totale prej 75 miliardë lekësh për periudhën 2019–2021.
Në sektorin e Ujësjellës-kanalizimev, synohet rritja e aksesit të popullsisë në shërbime cilësore furnizimi me ujë dhe kanalizime përmes financimit projekteve të ujësjellës-kanalizimeve për periudhën 2019–2021, me vlerën totale prej 32 miliardë lekësh.
Sektori i ujit, i mbështetur nga modeli i financimit i miratuar në vitin 2018, parashikon rritjen e investimeve çdo vit, mesatarisht 4,3 miliardë lekë në vit përgjatë 2019–2021 dhe parashikon edhe sistemin e granteve në bazë performancën për të rritur përgjegjshmërinë dhe mbulimin e kostove të ndërmarrjeve të ujit.
Konsumi, nxitje nga eskportet dhe shërbimet
Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Eksportet e shërbimeve, veçanërisht, shërbimet turistike, priten gjithashtu të vijojnë performancën pozitive në periudhën afatmesme dhe do të jenë elementi kryesor për të kompensuar kontributin negativ të ardhur prej rritjes së importeve.
Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet si nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar.
Konsumi final total për periudhën afatmesme (2019–2021) parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 3.1% në vit, me një ngadalësim të lehtë të ritmit në vitet 2020 dhe 2021, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.7 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së. Në përputhje me parashikimet afatmesme të rritjes, punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 2.5% në vit gjatë viteve 2019–2021. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës. Investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë me mesatarisht rreth 5.3% në vit, me një përshpejtim të lehtë në vitet 2020 dhe 2021, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindje në vit.
Nga pikëpamja e ofertës agregate pritet që të gjithë sektorët kryesorë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike. Megjithatë, për shkak të peshës së tyre ndaj strukturës së ofertës agregate, shërbimet pritet të kontribuojnë më shumë sesa sektorët e tjerë në rritjen e PBB-së. – Politika fiskale për periudhën afatmesme 2019–2021 synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.7% të PBB-së për 2019-n, nga 2.0% i programuar për vitin 2018; nivel prej 1.2% të PBB-së më 2020-n; dhe 0.5% në vitin 2021. – Ky konsolidim fiskal synon që niveli i borxhit publik si raport ndaj PBB-së të vijojë trajektoren e sigurt rënëse të nisur që në vitin 2016. Borxhi publik pritet që të bjerë rreth nivelit 66.4% të PBB-së më 2019-n, 63.5% më 2020-n dhe më tej në 59.9% në vitin 2021. – Njëkohësisht targeton në vijimësi një balancë primare pozitive dhe në rritje për vitet 2019–2021, respektivisht 1.0% më 2019-n nga 0.6% i targetuar në buxhetin 2018; 1.5% më 2020-n; dhe 2.2% në vitin 2021.
Poltika fiskale, do të vijonë përjashtimet
Politikat fiskale në vitet në vijim do të vazhdojnë të mbështesin sipërmarrjen dhe sektorët strategjikë të rritjes. Nisma e qeverisë për rritjen e kufirit për aplikimin e tatimit fitimit nga 8 në 14 milionë qarkullim vjetor, duke ulur ngarkesën fiskale për mbi 91% të ndërmarrjeve në 0% ose 5%. Kjo politikë synon të krijojë më shumë nxitje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për t’u rritur dhe për të krijuar më shumë punësim.
Përtej shkallës së reduktuar të TVSH-së për aktivitetet e hotelerisë në turizëm prej 6%, në këtë cikël trevjeçar nisim nxitjen e agroturizmit, me aplikimin e tatim fitimit në shkallën 5% dhe TVSH-së në shkallën 6% për shërbimet e akomodimit, si edhe përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për zhvillimet e agrotuzimit.
MInistria e FIncave ka argumentuar se këto politika synojnë jo vetëm nxitjen e turizmit, por edhe bujqësisë, e cila mbetet një tjetër sektor prioritar për këtë cikël trevjeçar, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të përfitojnë rimbursimin e TVSH-së në masën 20%, si fermerët, pa kufizime në lidhje me masën e qarkullimit vjetor, ndërkohë që bëhen subjekt i tatim-fitimit të reduktuar nga 15% në 5%.
Kjo politikë trevjeçare synon nxitjen dhe rritjen e ekonomisë për zhvillim të qëndrueshëm nëpërmjet kuadrit të ri ligjor për nxitjen e investimeve strategjike, për zonat e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik dhe ligji për turizmin; të cilat synojnë përthithjen e teknologjive dhe investimeve të huaja private. Njëkohësisht, përmirësimi i klimës së biznesit dhe derregullimi lehtësojnë aksesin në shërbimet publike në kohë dhe kosto: platforma e unifikuar e qeverisë e-Albania po zgjerohet për të përfshirë tatimet, Doganat, Qendrën Kombëtare të Biznesit, Inspektoratin e Punës dhe një sërë institucionesh të tjera shtetërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.