2018, rritet ekspozimi i bankave tek borxhi i qeverisë

04/03/2019 10:00 AM 0 komente

Në vend që të ulin ekspozimin në borxhin e qeverisë, bankat e kanë rritur më tej gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, sistemi bankar mbajti 61.25% të borxhit të brendshëm të qeverisë ( obligacione dhe bono thesari) me një rritje 1.16 pikë përqindje në raport me vitin 2017.

Institucionet Financiare Ndërkombëtare sidomos FMN ndër vite e ka këshilluar qeverinë që të ulë mbajtjen e borxhit nga bankat tregtare.

Shtrëngimi i huasë  nga njëra anë dhe rritja e depozitave nga bizneset ka rritur likuiditet  në banka, të cilat pa shumë alternativa investimi po dynden në blerjen e borxhit të qeverisë.

Në raport me vitin 2018 shihet se gjithashtu është rritur edhe ekspozimi i Bankës së Shqipërisë, e cila zotëron 8.02% të borxhit 8.2 për qind të borxhit të qeverisë me një rritje të lehtë prej vitit të kaluar.

Që nga viti 2015 Banka e Shqipërisë ka likuiditet të shtuar për shkak se bankat kanë rritur mbajtjen e cash-it në llogaritë e BSH-se. Një rregullore që funksionon që nga fillimi i vitit 2015 i penalizon bankat që transferojnë cash-in e tepërt jashtë.

Individët gjithashtu kanë rritur investimet në borxhin e qeverisë. Më 2018 ato zotëruan 15.1% të totalit të borxhit të brendshëm me një rritje 0.25 % në raport me 2017. Rënia e interesave të depozitave në banka dhe mungesa e alternativave për investime e kanë bërë borxhin e qeverisë atraktiv vitet e fundit për investimin e kursimeve të qytetarëve.

Vetëm institucionet financiare jo banka e ulen investimet në blerjen e borxhit të qeveritar gjatë vitit 2018 me -0.6% në raport më 2017.

Portofoli i borxhit të brendshëm, megjithëse gjatë viteve të fundit është shoqëruar me një diversifikim në drejtim të institucioneve financiare (jo-banka), institucioneve jo-financiare dhe individëve, vazhdon të jetë i përqendruar në mbi 60% tek sektori bankar.

Banka e Shqipërisë, pavarësisht reduktimit të portofolit në terma relativë, vazhdon të mbajë të njëjtin volum titujsh (në vlerë absolute) të tregtuar në tregun primar, ndërkohë që ka rritur volumin e tregtuar në tregun sekondar për të stimuluar aktivitetin e këtij tregu.

Ekspozimi i më shumë se 60 për qind të borxhit të qeverisë tek bankave e bën rifinancimin me rrisk. Sipas një analize të Ministrisë së Financave risku i rifinancimit është ndër rrisqet kryesore që mbart portofoli i borxhit të brendshëm, për shkak të nivelit relativisht të lartë të titujve që rifinancohen në periudhën afatshkurtër.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of