Flet Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri
Drejtësia është ende sfida kryesore dhe ne kemi shumë shpresë te vetting-u, në mënyrë që të kemi një drejtësi të ndershme në Shqipëri për ne, por edhe për popullsinë në krahasim me sistemin ekzistues.
Si e vlerësoni punën e sistemit bankar dhe bankën tuaj në vitin 2017?
2017-a ishte një vit pozitiv për sistemin bankar në Shqipëri. Ka pasur përmirësim të mëtejshëm të situatës financiare dhe bankat vazhdojnë të jenë të kapitalizuara mirë. Gjithashtu vlen të përmendet ulja e nivelit të kredive me probleme krahasuar me vitin e kaluar.
Ishte një vit pozitiv edhe për Raiffeisen Bank, me rezultate shumë të mira në të gjithë treguesit e performancës. Një nga arritjet tona në vitin 2017 ishte prezantimi i platformës dixhitale bankare për biznesin dhe individët. Kjo është platforma më e përparuar në treg dhe në këtë mënyrë kemi më shumë se 40,000 abonentë që kryejnë transaksione bankare nëpërmjet kësaj platforme.
Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me performancën e bankës dhe sistemit bankar në vitin 2018?
Ne dëshirojmë dhe besojmë se viti 2018 do të jetë i njëjtë, ku do të zhvillojmë më tej kreditimin dhe optimizojmë kostot. Përveç kësaj, transformimi ynë dixhital do të vazhdojë përmes ofrimit të më shumë produkteve dhe shërbimeve online, duke i bërë veprimet bankare më të përshtatshme për klientët tanë. Gjithashtu me shpresën që Shqipëria të fillojë negociatat me BE, ne presim të vijnë më shumë Investime të Huaja Direkte.
Banka e Shqipërisë ka nisur kohët e fundit një plan veprimi për të ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë shqiptare. Si e vlerësoni këtë plan, sa efikase mendoni se do të jetë dhe çfarë propozoni për të ulur nivelin e euroizimit të Shqipërisë?
Plani është i shkëlqyer. Ne duhet të promovojmë më shumë kreditimin në monedhë vendase, për të shmangur rrezikun nga kursi i këmbimit për klientin. Efekti është tashmë këtu me rritjen e huadhënies në monedhë vendase.
Sistemi bankar ka qenë i zënë kohët e fundit me procesin e blerjes së bankave. Si e vlerësoni këtë trend dhe cili do të jetë ndikimi në sistemin bankar?
Besoj se do të vazhdojmë të kemi një konsolidim në sistemin bankar.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet sistemi bankar në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme?
Drejtësia është ende sfida kryesore dhe ne kemi shumë shpresë te vetting-u, në mënyrë që të kemi një drejtësi të ndershme në Shqipëri për ne, por edhe për popullsinë në krahasim me sistemin ekzistues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.