“2019-a do të jetë viti më sfidues për noterinë, për shkak të ndryshimeve në ligj”

15/01/2019 2:30 PM 0 komente

Flet Mimoza Sadushi, drejtuese e Dhomës Kombëtare të Noterëve (DHKN)

 

Një ligj i ri “Për Noterinë”, i cili u hartua mes ekspertëve të misionit të EURALIUS, në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë dhe për të cilin diskutohej prej 5 vitesh ka hyrë në fuqi në 1 janar.

Sipas Mimoza Sadushit, drejtuese e Dhomës Kombëtare të Noterëve (DHKN), ky ligj do të shtojë transparencën në ofrimin e shërbimeve publike.

Sipas znj. Sadushi, në ndryshimet kryesore janë kriteret e reja për t’u bërë noter, për provimin e kualifikimit, për marrjen e licencës, për plotësimin e vendit vakant etj. Përpos të tjerave, për pranimin në profesionin e noterit, personi duhet të ketë përfunduar me sukses studimet e integruara në drejtësi ose të një programi të ciklit të dytë në drejtësi ekuivalent me të, i cili përmban jo më pak se 300 kredite dhe me një kohëzgjatje jo më pak se 5 vite akademike në një universitet publik ose privat në Republikën e Shqipërisë, ose në një universitet të huaj.

Po ashtu, kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses provimin e shtetit për juristët, si dhe duhet të ketë përvojë pune për të paktën pesë vjet si asistent i një noteri (kandidati për noter) pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit për juristët.

Në listën e kritereve përfshihet përfundimi me sukses i programit të trajnimit të detyrueshëm fillestar dyvjeçar, përfundimi me sukses i provimit të kualifikimit për noterët etj. Diskutimet që hasi ky ligj lidheshin kryesisht me kundërshtitë e disa noterëve, për shpalljen e profesionit të noterisë si profesion i trashëguar, si dhe mosaplikimin e sistemit elektronik të databazës së noterisë.

Çfarë risish sjell ligji i ri “Për noterinë”? Çfarë efektesh prisni që të ketë me hyrjen në fuqi?

Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2019, do të shtojë transparencën në ofrimin e shërbimeve publike. Në ndryshimet kryesore janë kriteret e reja për t’u bërë noter, për provimin e kualifikimit, për marrjen e licencës, për plotësimin e vendit vakant etj. Përpos të tjerave, për pranimin në profesionin e noterit, personi duhet të ketë përfunduar me sukses studimet e integruara në drejtësi, ose të një programi të ciklit të dytë në drejtësi, ekuivalent me të, i cili përmban jo më pak se 300 kredite dhe me një kohëzgjatje jo më pak se 5 vite akademike në një universitet publik ose privat në Republikën e Shqipërisë, ose në një universitet të huaj.

Po ashtu, kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses provimin e shtetit për juristët, si dhe duhet të ketë përvojë pune për të paktën pesë vjet si asistent i një noteri (kandidati për noter ose zv.noteri) pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit për juristët. Në listën e kritereve përfshihet përfundimi me sukses i programit të trajnimit të detyrueshëm fillestar dyvjeçar, përfundimi me sukses i provimit të kualifikimit për noterët etj. Një tjetër pikë e parashikuar është vendosja e 1 noteri për 15 mijë banorë. Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë ka 570 noterë.

Diskutimet që hasi ky ligj lidheshin kryesisht me kundërshtitë e disa noterëve, për shpalljen e profesionit të noterisë si profesion i trashëguar, si dhe mosaplikimin e sistemit elektronik të databazës së noterisë. Një ndër ndryshimet më të mëdha të këtij ligji është krijimi i një sistemi elektronik, i parashikuar të funksionojë në 2019, që do të jetë një databazë ndërlidhëse, mes shumë institucionesh, që do t’u shkurtonte kohë dhe burokraci qytetarëve, si dhe noterëve, në kryerjen e shërbimeve të ndryshme.

Sistemi do të shtojë padyshim transparencën në ofrimin e shërbimeve nga noterët shqiptarë, si një nismë e luftës ndaj informalitetit në këtë sektor. Sistemi aktualisht është përfunduar dhe regjistruar, ndërsa presim që në fillim të 2019-s të nisim trajnimet me noterët për sistemin. Më pas, planifikojmë që të realizojmë ndërlidhjen e sistemit me të gjitha Dhomat Noteriale Europiane dhe më gjerë, duke ofruar saktësi në tre drejtime për noterët: në fushën e trashëgimisë ndërkombëtare, në pronësinë ndërkombëtare, si dhe në revokime prokurimesh.

Cilat shërbime janë përdorur më tepër në 2018? Cilat mendoni se do të jenë më të kërkuara në 2019? (leje ndërtimi, kontrata sipërmarrje, shitblerje makine-shtëpie, etj.)

Gjatë 2018 kanë dominuar transaksionet e pasurisë, një shërbim i cili mendoj se do të jetë sërish më i kërkuar edhe në 2019. Pra, shitblerje apartamentesh, makinash, tokash. Edhe shërbimet e tjera janë kryer, por më pak. Një ndër shërbimet që janë kryer më pak është regjistrimi i shoqërive, duke qenë se më krijimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit u transferua atje. Të vetmit që vijojnë ta kryejnë pranë noterëve janë të huajt, kjo pasi noteri luan rolin e një garancie më tepër në marrëveshje.

Si e parashikoni vitin 2019 për noterët shqiptarë?

Viti 2019 padyshim do të jetë viti më sfidues për noterët shqiptarë, për shkak të të gjithë ndryshimeve që do të sjellë ligji i ri, që shpjegova më lart. Sidomos futja e sistemit elektronik të databazës së noterëve do t’i japë një tjetër stad këtij sektori, duke shtuar transparencën në nivelin më të lartë të mundshëm, krahas kësaj edhe bashkëpunimit më të mirë dhe pa burokraci mes institucioneve, apo dhe lehtësimit të punës së qytetarëve. Nga ana tjetër, kriteret e reja për të marrë profesionin e noterit, do të forcojnë pozitat e tyre duke stimuluar meritokracinë dhe duke rritur profesionalitetin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of