Stresi në punë është i natyrshëm dhe ndonjëherë i pashmangshëm, veçanërisht nëse merren në konsideratë afatet kanosëse dhe kërkesat konfliktuale.
Megjithatë stresi kronik mund të ketë ndikim edhe jashtë punës dhe t’ju shkaktojë një sërë problemesh si dhembje koke, ankth, depresion, si dhe zakone të pashëndetshme si ngrënia e tepërt.
Për fat të mirë ekzistojnë mënyra për t’i bërë ballë stresit sa më mirë për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien. American Psychological Association rekomandon masat e mëposhtme:
Përgjigjuni në mënyrë të shëndetshme
Kushtojini rëndësi pasojave që ju shkakton stresi. Vini re se si iu përgjigjeni. Pyesni veten: A është kjo një përgjigje e shëndetshme? Çfarë bëni zakonisht pas një dite të gjatë dhe të tendosur në punë? Merrni në konsideratë të shkoni në palestër. Ushtrimet fizike çlirojnë endorfinën në organizëm dhe do t’ju ndihmojnë të luftoni stresin negativ të ditës suaj të punës dhe t’ju bëjë të ndiheni më të fortë dhe shëndetshëm në përgjithësi.
Qetësoni mendjen
Programoni disa minuta në fillim dhe në fund të ditës për t’u ndalur dhe për të marrë frymë. Bëni një pushim, duke marrë frymë ngadalë dhe thellë dhe do të ndieni një ndjesi qetësie brenda sistemit nervor.
Në fund të ditës së punës, bëni një kontroll me mendjen tuaj. Çdo detyrë e papërfunduar mund të presë deri nesër. Çlodhni mendjen në mënyrë që kur të riktheheni në punë të ndiheni me energji.
Entuziazmohuni
Nxisni mendimet tuaja të brendshme. Merrni kontrollin e mendimeve negative për të ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe humorin tuaj. Përqendrohuni në atë që jeni të aftë të bëni dhe “mbillni” mendime pozitive në vend të atyre negative.
Jini të hapur ndaj angazhimeve të reja me entuziazëm.
“Perspektiva juaj e ngjarjeve në zyrë është zakonisht një interpretim subjektiv i fakteve, të cilat shpesh shihen përmes filtrit të dyshimit – thotë dr. Sharon Melnick, psikolog në fushën e biznesit. Ndryshoni perspektivën tuaj. Shikojeni stresin si një sfidë që mund ta menaxhoni me besim. Stresi është pjesë e pashmangshme në punë, por është e mundur të zgjidhni se si t’i përgjigjeni. Duke gjetur mënyra pozitive për t’u përballur me stresin në jetë, do të jeni në gjendje të përballeni më mirë me sfidat dhe të ndiheni sërish gjithë energji”.
*Elle Kaplan, themeluese dhe CEO e LexION Capital, një shoqëri e besueshme në menaxhimin e pasurisë në New York City.
Burimi: CNBC