Është zhvilluar sot analiza e 300 ditëve të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Ministri Edmond Haxhinasto ka pohuar se do të ndërtohet aeroporti në jug të vendit, por pa dhënë më shumë detaje se si do të zgjidhet situata me kompaninë Hotchief, që ka ekskluzivitetin e aeroportit të Rinasit, në një kontratë që nuk lejon ndërtimin e aeroporteve të tjerë në vend deri në vitin 2024.
Më pas, në fjalën e tij Ministri u përqendrua më tepër në reformat që do të ndërmarrë në vazhdimësi ky institucion. Ai cilësoi si të rëndësishme një sërë reforma si ajo e ligjit të prokurimeve publike, liberalizimit të tregut si dhe reformat e tjera në sektorin e shërbimeve.
Përveç këtyre Ministri veçoi si dy sfida të mëdha të institucionit atë të standardizimit të kuadrit rregullator sipas rregullave të Bashkimit Europian si dhe profesionalizmin, rritjen e kapaciteteve për të thithur investimet.
Investimet planifikohet të bëhen dhe në fushën e telekomunikacionit dhe inovacionit për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i porteve dhe ndërtimi i portit në jug për shkak të të flukseve të mëdha.
Mirëmbajta dhe rigjallërimi i aseteve aktuale është një sfidë për të cilën Ministri Haxhinasto kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe zbatimin e marrëveshjeve të kompanive private.
Gjithashtu për mirëmbajtjen e aseteve vlerësohet prania e privatëve dhe shikohet me pozitivitet rritja e numrit të tyre në të ardhmen.
Në planet e Ministrisë do të jenë dyfishimi i aksit Tiranë-Durrës, rregullimi i aksit me Malin e Zi, mirëmbajtja e rrugës së kombit, kapitalet mbi rrugën e Arbrit si dhe akset kyçe në jug të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.