Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në analizën e “300 ditëve” i ka kushtuar vëmendje masave që janë marrë në sektorin e rregullimit të territorit dhe turizmit. Në fjalën e saj ministrja Eglantina Gjermeni tha se në vijim do të duhet të bëhet më shumë progres për të ushtruar kontroll të plotë ndaj territorit.
Si një nga masat e rëndësishme ajo vlerësoi futjen e formave më inovative në fushën e strehimit për shtresat në nevojë, si pjesë e një dokumenti që është hartuar dhe që i përgjigjet realitetit shqiptar.
Gjithashtu, sipas ministres Gjermeni, një tjetër sfidë e rëndësishme është vendosja e standardeve të reja në fushën e ndërtimit, i cili dre dje bazohej në ato të 30 viteve më parë. Për t’i çuar në një nivel tjetër do të synohet forcimi i bashkëpunimit me gjithë aktorët, me qëllim final qasjen e integruar ndaj territorit.
Në fushën e turizmit, ministrja Gjermeni tha se është gati një draft paraprak të paketës për industrinë e turizmit që do të lançohet në nëntor. Ai është hartuar në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillim (CID), univerisitetin e Harvardit. Paketa është e stukturuar në 4 shtylla kryesore; turizmi gjithëvjetor, investimet, reforma ligjore dhe strukturore, menaxhimi i destinacioneve. Koordinimi më të gjithë institucionet është i rëndësishëm, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike të sektorit të turizmit.
“Për të promovuar turizmin do të vazhdojmë me ‘Branding Albania’, në bashkëpunim edhe me mediat ndërkombëtare dhe kombëtare. Tashmë është koordinuar puna. Kemi shumë për të bërë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Strategjia 2014 – 2020, do të krijojë kushte për rritjen e investimeve të huaja dhe vendase”, tha Gjermeni.
Ajo iu bëri thirrje operatorëve turistikë që të përmirësojnë shërbimin, të ketë më shumë përkushtim, qytetari dhe cilësi.
Ndërsa në fjalën e tij zëvendëskryeministri Nimko Peleshi tha se zhvillimi urban, ndërtimi ka pasur realizime që kanë injoruar mjedisin dhe nuk është menduar për brezat e ardhshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.