Gjithkush prej nesh mund të arrijë një pikë kur pasi i ngjit të gjitha shkallët e karrierës dhe rritet shumë profesionalisht, niveli i radhës nuk është tjetër veçse “vendi i shefit”. Edhe pse nuk është një fenomen shumë i përhapur dhe që ndodh shpesh sidomos në vendet ish-komuniste, ku nocionet kryesore të demokracisë duan shumë kohë që të zbatohen vërtet, nuk do të ishte çudi që një ditë, edhe ju ta shikonit veten në atë pozicion që jo rrallëherë edhe mund ta keni komentuar edhe për “keq”. Janë të shumta rastet kur punonjësit shprehen se nuk i jepen meritat që i takojnë dhe se vendi i shefit është vendi i shefit. Por edhe ata, shpeshherë gabohen, sepse të rritesh profesionalisht nuk do të thotë domosdoshmërisht që të kesh aftësi të mira drejtuese. Nëse edhe ju bëni pjesë në grupin e atyre punonjësve që mendojnë se mund të bëhen liderë në të ardhmen, duhet të lexoni me kujdes 4 cilësitë e mëposhtme përpara se të ngrini dorën dhe të pohoni se jeni gati për t’u bërë “shefi i ri”…
1.Perspektivë pozitive
Nuk ka të bëjë me atë çka u thoni të tjerëve por me mënyrën sesi ia thoni. Nëse një prej cilësive tuaja më të mira është fakti i të qenët pozitiv dhe nëse është pikërisht kjo ajo që ju dallon nga të tjerët, atëherë duhet të bëni kujdes që edhe nëse bëheni shefi i ardhshëm ta ruani këtë cilësi, sepse është pikërisht ky një ndër gabimet më të shpeshta të liderëve të rinj. Të bëhesh shef nuk do të thotë domosdoshmërisht të mos jesh pozitiv, por përkundrazi, nëse juve ju ka karakterizuar edhe më përpara pozitiviteti, atëherë ju duhet të vazhdoni ta ruani këtë cilësi. Drejtuesit më të mirë dhe më të suksesshëm janë ata që i frymëzojnë për mirë punonjësit e tyre.
2.Model për të tjerët
Të jesh më i miri nuk do të thotë të përfundosh një fushatë të caktuar me rezultatet më të larta. Lideri i suksesshëm fillimisht është një njeri i mirë, është model dhe pikë referimi për stafin e tij, ai që mundohet gjithmonë të përçojë pozitivitet tek punonjësit e tij dhe padyshim ai që nuk gëzon vetëm frytet e një pune të suksesshme por mbi të gjitha, ai që merr përsipër përgjegjësitë në raste dështimi.
3.Mos krijoni barriera por komunikoni
Puna juaj si lider i suksesshëm do të jetë të mos krijoni barriera por të mundoheni t’i hiqni ato, sepse krijimi i barrierave është një prej gabimeve që bëjnë pjesa më e madhe e liderëve që shumë shpejt dështojnë. Krijimi i barrierave të tilla si “UNË JAM SHEFI” dhe “ju punonjësit e mi” shpeshherë i bën punonjësit që të mos japin më të mirën e tyre si pasojë e frikës së dështimit. Nëse doni të bëheni shefi i ardhshëm, këshillohet që t’i hiqni këto ide të gabuara. Bëni sa më shumë takime me stafin tuaj ku të kuptoni edhe problematikat më të vogla që mund t’i shqetësojnë ata dhe do ta shikoni që projekti i radhës do të jetë me siguri i suksesshëm.
4.Vlerësimi
Nëse ju mendoni që jeni gati për të kaluar në rolin e drejtuesit, atëherë duhet të jeni gati që t’i pranoni meritat e kolegëve tuaj dhe mbi të gjitha, t’i vlerësoni ata. Studimet e shumta tregojnë se mirënjohja dhe vlerësimi është një ndër faktorët më të rëndësishëm për punonjësit, dhe mbi të gjitha do t’i motivojë ata për të dhënë më të mirën edhe në projektin e ardhshëm.