Totali i të ardhurave në buxhet për periudhën janar-prill 2015 ishte 121 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, duke shënuar një rritje me 4.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor në këtë rritje ka vijuar ta japë zëri i të ardhurave jo tatimoredhe ai i fondeve special, ndërsa të ardhurat nga tatimet e doganat ka vijuar me performancë negative (rënie 1%), me rezultatin më të keq që e ka dhënë TVSH-ja.
Të ardhurat nga TVSH, një tregues i qarkullimit në ekonomi, ranë me 9%, në rreth 37 miliardë lekë. Ministria e Financave ka shpjeguar më parë se ulja e grumbullimit të taksës së TVSH-së ka ardhur edhe si rrjedhojë e uljes së TVSH të mbledhur në importin e “makineri dhe pajisje” për shkak të përjashtimeve që është bërë për këtë taksë në import. E njëjta e dhënë është edhe për uljen e të ardhurave në importet e materialeve të ndërtimit, që sjell një ulje të TVSH-së.
Të ardhurat nga tatim fitimi janë rritur me 30% në 10.3 miliardë lekë. Dalja e kompanisë shtetërore OSHEE me fitim për herë të parë që nga 2009-a (për tremujorin e parë fitimi i OSHEE ishte 2.1 miliardë lekë) ka ndikuar pozitivisht në këtë zë.
Të ardhurat nga akciza u rritën me 17% në 10.6 miliardë lekë.
Tatimit mbi të ardhurat personale vijon të ketë performancë negative, me një rënie prej 1.2% në 8.6 miliardë lekë.
Të ardhurat nga taksa nacionale ranë me 8% në 9 miliardë lekë, ku ndikimin kryesor e jep tkurrja e rentës, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të naftës.
Të ardhurat nga fondet speciale u rritën me 13% në 24 miliardë lekë, ku ndikimin kryesor e dhanë sigurimet shoqërore, performanca e të cilit është përmirësuar ndjeshëm dy muajt e fundit.
Por, zëri që po mban peshën kryesore në rritjen e të ardhurave në buxhet për katër mujorin është ai i të ardhurave jo tatimore, konkretisht “të ardhura nga institucione buxhetore” , që u zgjerua me 3.9 miliardë lekë, apo 44% në 13 miliardë lekë. Ky zë ka ndikuar në 82% të totalit të rritjes së të arhdurave në vlerë absolute (në total të ardhurat në buxhet u rritën me 4.8 miliardë lekë.
Rritja e tarifave të universiteteve dhe të ardhurat nga licence celulare janë arsyet kryesore të rritjes së të ardhurave jo tatimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.