Duke qenë një shkrimtare, marr email-e të tilla thuajse çdo ditë: “Ne nuk i paguajmë shkrimtarët tanë, por ju do të fitoni shumë duke shkruar për ne”.
Nëse jeni një shkrimtar, folës në konferenca, trajner, këshilltar apo krijues i çfarëdo lloji, me siguri ju keni marrë ftesa të ngjashme për të punuar falas.
Pavarësisht pretendimeve të një kompanie se puna falas mund të bëhet shkas për mundësi të mira në karrierën tuaj, ju duhet ta vlerësoni një ftesë të tillë me kujdes. Investimi i kohës dhe aftësive tuaja në një punë për të cilën ju nuk do të paguheni mund të ndërhyjë në aftësinë tuaj për të fituar jetesën. Po ashtu, mund të zhvlerësojë profilin tuaj, duke ju djegur shumë mundësi.
Por ka disa raste që mund t’ju ndihmojnë që ju të filloni karrierën tuaj – edhe kur ju nuk paguheni për to.
Më poshtë janë 4 raste kur duhet të pranoni të punoni falas:
1.Kur mundësia do t’ju japë një përvojë reale
Nëse po mendoni të hapni një biznes në fotografi, mos prisni që të paguheni që në koncertin e parë. Pranoni të bëni foto nëpër dasma apo konferenca të ndryshme biznesi, kjo do t’ju shërbejë që të pasuroni CV tuaj.
Nëse ju doni të bëheni një folës, këshilltar, trajner, duke punuar falas për pak kohë mund t’ju shërbejë që të zhdërvjelltësoni aftësitë tuaja. Pasi të keni fituar përvojë, ju mund të kërkoni pagesë për shërbimet që ofroni. Përcaktoni një kufi se për sa kohë do të punoni pa pagesë. Më pas mendoni dy herë para se dikush t’ju kontaktojë për të punuar pa pagesë. Njerëzit nuk do t’ju marrin seriozisht kur ju thoni se koha dhe përpjekjet tuaj nuk kanë asnjë rëndësi.
2.Kur përvoja krijon një ekspozim legjitim
Nëse një miku juaj ju kërkon të krijoni website-n e tij pa pagesë, a do t’ju ndihmojë kjo punë që të krijoni më shumë kontakte? Kjo mund të ndodhë nëse ai është një blogger i famshëm me miliona lexues çdo muaj. Megjithatë, edhe atëherë, ju nuk ka shumë gjasa të krijoni kontakte dhe klientë të rinj.
Por nëse miku juaj thotë se do të shkruajë diçka në website-n e tij se pse ju jeni krijuesi më i mirë i website-ve, puna mund t’ia vlejë. Miliona persona mund ta klikojnë atë shkrim dhe befas ju mund të merrni një telefonatë që do t’ju shtyjë drejt botës së biznesit. Megjithatë, shpesh, njerëzit që do t’ju kërkojnë të punoni për ta falas, do t’ju japin pak informacione se si kjo përvojë mund t’ju ndihmojë në të ardhmen. Ata thonë shpesh se “do të ketë persona me ndikim që do ta klikojnë faqen dhe që mund t’ju punësojnë”. Është e nevojshme të bëni pyetje specifike se si mund të jetë i vlefshëm ekspozimi në këtë rast. Ju duhet të zbuloni se cili është target grupi i këtij website dhe se çfarë mund të fitoni në të vërtetë.
3.Kur ju mbështesni një kauzë në të cilën besoni
Kur ekziston një mundësi për t’u përfshirë në një kauzë në të cilën besoni, bën sens që të përqendroheni në atë se çka mund të jepni më shumë se sa në atë që mund të fitoni. Por mos prisni që puna juaj vullnetare të shërbejë si një katapultë drejt karrierës suaj. Përcaktoni limite se për sa kohë do t’i kushtoheni një pune të tillë. Ju mund të pranoni të bëni një logo falas apo të flisni tre herë pa pagesë në konferenca gjatë një viti – por ju duhet të vendosni një kufi konkret në mënyrë që kjo të mos dëmtojë karrierën tuaj.
4. Kur kjo përvojë do të jetë e rëndësishme për CV tuaj
Edhe pse mund të mendoni se kompanitë më të mëdha do t’ju paguajnë më shumë, nuk ndodh gjithnjë kështu. Interesant është fakti se shumë organizata të mëdha kërkojnë njerëz që të punojnë falas për to. Nëse një kompani me emër ju kërkon të punoni falas për të, puna juaj mund t’u bëjë përshtypje të tjerëve. Një bisedë e suksesshme mund t’ju çojë në një hap të rëndësishëm në karrierën tuaj.
Vlerësoni kohën tuaj
Për fat të keq, shumë kompani premtojnë se përpjekjet tuaja do të shpërblehen në të ardhmen. Në pjesën më të madhe, këto deklarata nuk janë të vërteta. Kur ju bëjnë një ftesë për të punuar pa pagesë, pyesni veten “Çfarë shpresoj të fitoj nga kjo gjë?”. Kini një objektiv të qartë para se të veproni. Njihni vlerat tuaja. Pranoni vetëm mundësitë që do t’ju ndihmojnë të arrini objektivat në afat të gjatë.
*Amy Morin është një psikoterapiste dhe autore e librit bestseller nëpër botë 13 Things Mentally Strong People Don’t Do.
Burimi: Forbes