4 tipet e shefave që “frikësojnë” punonjësit e tyre

23/11/2017 2:56 PM 0 komente

Fatkeqësisht nuk ju duhet të shkoni në kinema për t’i parë “ata” në veprim. Fatkeqësisht “ata” ndodhen në ambientet e punës të gjithkujt prej nesh dhe për një pjesë të madhe punonjësish, festa e Halloween-it nuk është vetëm më 31 tetor, por çdo ditë të javës.

Më e keqja e gjithë kësaj historie është se askush nuk e konsideron veten një “shef të keq”, edhe pse sipas një sondazhi të kryer nga Gallup, një në dy punonjës e kishin lënë punën e tyre vetëm për faj të një “shefi të keq”.

Duke qenë se menaxherët janë burimi kryesor i një produktiviteti më të lartë, i mirëmenaxhimit të punës, imagjinojeni pak se çfarë ndodh në rastin kur “shefi” shikohet si makthi i punonjësve… Por, edhe në ditët e sotme, me teknologjitë dhe burimet e shumta që ekzistojnë, shefat vazhdojnë të bëjnë gabimet e tyre.

Më poshtë do të gjeni katër prej gabimeve kryesore që i shndërrojnë “shefat” në makthin e shumë punonjësve:

1. Mungesë komunikimi

Një drejtues apo një menaxher, i cili nuk komunikon me punonjësit e tij, është pikënisja më e keqe për mosfunksionimin e të gjitha hallkave në një kompani, por megjithatë kjo gjë ekziston. Kur në drejtimin e një kompanie  dhe të një grupi pune është dikush, i cili nuk është i aftë të komunikojë me të gjithë anëtarët e grupit, atëherë nuk është çudi nëse i gjithë projekti të mos shkojë mirë.

2. Menaxher që “i fut hundët kudo”

Një prej qëllimeve më të rëndësishme të shumë menaxherëve është motivimi i të gjithë skuadrës së punës dhe përmbushja e misionit të kompanisë. Por ky qëllim shpeshherë i kalon kufijtë dhe shkon deri aty sa menaxherët t’i fusin hundët kudo, edhe aty ku nuk i takon, ose të mos i delegojnë mirë detyrat e tyre dhe të mos u lënë fare liri punonjësve apo personave që kanë nën vete, për të marrë vendime. Kjo gjë krijon trysni të madhe në punë dhe shpeshherë ulje të produktivitetit, sepse ekziston frika ndaj punëdhënësit, i cili duhet të japë “verdiktin final”.

3. Menaxherët që nuk njohin caqe

Menaxherët e këtij lloji janë ata që veshin maskën e “menaxherit më popullor” dhe zakonisht janë pjesë e kompanive të vogla ose të startup-eve. Ky lloj menaxheri nuk i referohet vetëm tipit të personit që do të thotë fjalën e fundit në çdo projekt, opinion apo vendimmarrje, por mbi të gjitha atij që mendon se punonjësit nuk kanë jetë tjetër, përveç asaj profesionales. Në këto lloj kompanish ka mungesë balancimi midis jetës profesionale dhe asaj personale, sepse puna nuk mbaron asnjëherë dhe jo të gjithë mund të kenë mundësinë që punën ta marrin me vete edhe në shtëpi. Ky është një prej atyre menaxherëve që kthehen në makth për punonjësit e tyre.

4. Menaxherët e pavendosur

Këta lloj menaxherësh bëjnë pjesë në atë kategori drejtuesish që asnjëherë nuk kënaqen me asnjë lloj arritje të stafit të tyre dhe të cilëve, asnjëherë nuk u mbarojnë kritikat. Nga perspektiva e tyre atë janë shumë në rregull, sepse mendojnë që në këtë formë do t’i mbajnë gjithmonë punonjësit e tyre në lëvizje dhe në kërkim të përsosmërisë, por ajo që ndodh është krejt e kundërta. Punonjësit ndihen shumë nën trysni, sepse e dinë që në këmbim të punës së tyre do të marrin vetëm kritika dhe asnjë lavdërim dhe kjo i step ata që të mos përparojnë.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz