Periudha përpara zgjedhore shoqërohet gjithnjë me shtim të shpenzimeve dhe parasë në qarkullim. Të dhënat e fundit, të publikuara nga banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se në maj të këtij viti, kohë që përkon me kulmin e fushatës zgjedhore, është konstatuar një rritje e ndjeshme e parasë jashtë korporatave depozituese, që është zgjeruar me rreth 4%, çka nënkupton se rreth 6 miliardë lekë, apo 44 milionë euro janë hedhur në qarkullim vetëm në një muaj. Sjellja e këtij treguesi ishte jashtë normalitetit, ku siç duket nga grafiku, në muajt e mëparshëm ndryshimet e nivelit të parasë jashtë banke kanë qenë të ulëta.
Normalisht rritja e parasë në qarkullim ka ndikon si në rritjen e çmimeve ashtu dhe në zhvlerësimin e monedhës. Leku është kuotuar në nivelet më të dobëta të vitit përgjatë muajit majit, duke arritur në mbi 140 lekë, ndërkohë që efektet në çmime u konstatuan në qershor, kur inflacioni u rrit në mënyrë të pazakontë (duke pasur parasysh që në këtë periudhë tradicionalisht ai ulet për shkak të daljes së produkteve sezonale) nga 2.1% në maj në 2.3% në qershor.
Rritja e shpenzimeve kapitale por edhe fushatat e partive kryesore, në garën për të tërhequr sa më shumë elektorat ishin arsyeja kryesore që vlerësohet të kenë ndikuar në këtë tendencë.
Burimi: Banka e Shqiperisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.