Për drejtuesit e mëdhenj, komunikimi është në krye të prioriteteve.
Amanda Augustine, eksperte karriere në TopResume, thotë se drejtuesit më të mirë flasin me punonjësit e tyre rregullisht dhe e përdorin komunikimin e përditshëm si një mundësi që të ndihmojnë punonjësit që të ndihen sa më rehat në punë.
Është po aq e thjeshtë sa të pyesësh “Çfarë të rejash ka?”dhe të mos harroni të përgëzoni punonjësit për çdo arritje – shpjegon ajo.
Më poshtë janë 5 gjëra që ju mund t’u thoni punonjësve tuaj nëse doni të jeni një drejtues i mirë…
“Çfarë të rejash ka?”
Kjo mund të duket një këshillë e thjeshtë, por Augustine thotë se kjo është “një përshëndetje shumë efektive”. Komunikimi i përditshëm me punonjësit tuaj duhet të jetë prioritet. “Ç’kemi, si je” – është një mënyrë e mirë për të pasur një komunikim të përditshëm me ta , për t’u informuar mbi ecurinë e punës dhe për të parë gjendjen e moralit të tyre, – thotë ajo.
“A mund të diskutoj me ju për një çështje?”
“Drejtuesit më të mirë janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre, në këtë mënyrë ndihmojnë punonjësit që të rriten” – shprehet ekspertja.
Por është e rëndësishme ta bëni një gjë të tillë me kujdes.
Përpara se të diskutoni rreth çështjes në fjalë, “kërkoni për lejen e tyre”. Augustine këshillon që ju të thoni “A mund të ndaj disa vëzhgime që kam bërë me ju?”.
Pas kësaj pyetjeje, punonjësit do të jenë më të prirë të dëgjojnë reagimet tuaja me mendje të hapur.
“Ju lumtë, keni bërë punë të mirë”
Drejtuesit e mirë nuk kanë frikë të përgëzojnë punonjësit për arritjet e tyre. Bëjuni të ditur se ju i çmoni përpjekjet e tyre – thotë Augustine. Punonjësit janë të gatshëm të punojnë më shumë për dikë që vlerëson kontributin e tyre.
“A ka kuptim kjo?”
Një drejtues i fortë bën të mundur që “rrugët e komunikimit të jenë të hapura”.
Nuk ka rëndësi nëse jeni duke nisur një projekt të ri, apo duke ndarë detyrat mes punonjësve – është e rëndësishme që punonjësi të jetë në të njëjtën linjë me ju. “Duke bërë këtë pyetje, u jepni qartësinë për të cilën kanë nevojë, pa u ndier të pavlerë”.
“Cili është qëllimi”
Kjo është një shprehje tjetër që do ta dëgjoni çdo ditë nga drejtuesit e mëdhenj, thotë ekspertja e karrierës. Është përgjegjësia juaj të synoni drejt arritjes së objektivave të departamentit dhe të kompanisë si një e tërë.
“Nëse dikush propozon një projekt të ri, pyesni se si kjo nismë do të ndihmojë ekipin të arrijë qëllimin e tij”, – shprehet Augustine. “Duke pyetur gjithnjë ‘Pse’ ju do të ndihmoni punonjësit tuaj të jenë gjithnjë të motivuar në punën që është më e rëndësishme”.
*Benjamin Snyder
Burimi: CNBC